Shtëpia e ushtarakëve kthehet në identitet
KUçOVE - Shtëpia e ushtarakëve në Kuçovë, më e madhja në vend është krejtësisht e rikonstruktuar. Ajo iu ka shërbyer qindra ushtarakëve të aerodromit dhe reparteve të tjera, por, pas viteve të tranzicionit, mbeti në mëshirë të fatit dhe u kthye në gërmadhë. Kjo situatë zgjati për shumë vite, por së fundmi, ambientet e kësaj godinë janë kthyer në identitet. Banorët e qytetit e kanë mirëpritur një fakt të tillë, pasi ambientet e amortizuara të godinës ishin kthyer në vatër prostitucioni, apo të rinj që merrnin drogë. Ferit Breçani, drejtori i këtij institucioni shfaqi një interesim maksimal për rehabilitimin e shtëpisë ushtarake duke e kthyer atë në funksionale. Ai ndaloi iniciativën e disa personave, të cilët tentuan ta shkatërronin atë. Kjo shtëpi ka qenë ndër më të kompletuarat në vendin tonë për vetë shërbimin që kryente për ushtarakët, pilotët dhe teknikët e aviacionit. “Kemi marrë masa për ta kthyer siç ishte më parë këtë godinë”, shprehet drejtori Breçani. Kjo shtëpi sot është kompletuar me pajisje të ndryshme, si dhe stenda të NATO-s, apo stenda që tregojnë se si ka funksionuar ushtria. Tashmë kjo shtëpi është gati për të pritur forcat e NATO-s që do të vijnë në Aerodromin Ushtarak të Kuçovës. Në të do të funksionojnë salla çlodhëse, si bilardo, pingpong, shah etj. Në këtë godinë ndodhet edhe një nga lokalet më të mira në këtë qytet që do të shërbejë për çlodhjen e forcave ushtarake në kohën e pushimit. d.xh