Zvicra të mendohet mirë, atje Shqipëria si në shtëpi
Nga VALON KONUSHEVCI
LORIK CANA
Kapiteni kuqezi e konsideron të veçantë përballjen me helvetikët, pasi është rritur në Zvicër dhe debutimin me kombëtaren e ka me të
Lorik Cana ka vendosur që festat e fundvitit ti kalojë në Kosovë. Nga Prishtina ai i uroi mirëseardhje trajnerit italian, Xhani De Biazi, në krye të kombëtare shqiptare, për të cilën thotë se ka një të ardhme të mirë. 28-vjeçari foli edhe rreth gjasave të kuqezinjve për tu kualifikuar në Botërorin 2014. Ndeshjet kualifikuese ndaj Zvicrës i konsideron të veçanta, ndërsa shqiptarëve të ekipit helvetik u uron karrierë të ndritur.
Gjithashtu Lorik Cana pohon se nuk e ka ndër mend të lëvizë nga Lacio. Lorik Cana ka zgjedhur vendlindjen e tij, Kosovën, për ti pritur festat e fundvitit. Me këtë rast, ai ka gjetur kohë që të flasë edhe rreth kombëtares së Shqipërisë e po ashtu edhe për aventurën e tij në Serinë A, ku po aktivizohet me Lacion.
Mesfushori gjakovar ka folur për herë të parë rreth trajnerit të ri të Shqipërisë, Xhani De Biazi, që prej emërimit të tij në këtë post nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kapiteni i kuqezinjve i ka uruar mirëseardhjen strategut italian në krye të ekipit kuqezi.
Xhani De Biazi Dihet cilësia e trajnerëve italianë, të cilët e kanë një shkollim të futbollit. Ne e kemi për detyrë që të jemi në dispozicionin e tij dhe tia lehtësojmë punën. Unë pres që ta takoj shpejt dhe të bisedoj me të. Fatmirësisht, nuk e kemi pengesë gjuhën dhe do të bashkëpunojmë ngushtë për një të ardhme sa më të mirë të kombëtares,- ka deklaruar Cana të dielën mbrëma në Prishtinë.
Brazil 2014 Mesfushori difensiv i Lacios ka folur edhe rreth gjasave të Shqipërisë për tu kualifikuar në Kampionatin botëror, Brazili 2014. Kuqezinjtë kualifikimin do ta kërkojnë në kuadër të Grupit E, përballë Norvegjisë, Zvicrës, Sllovenisë, Qipros dhe Islandës. Cana beson se skuadra e tij do ta tregojë forcën e vërtetë përballë këtyre përfaqësueseve tjera. Është e vështirë që përnjëherë ti bësh disa hapa.
Kemi pasur një ecuri në 10 vitet e fundit dhe duhet të vazhdojmë. Jemi në një moment ngërçi dhe nuk po mundemi ta bëjmë këtë hap për të kaluar këtë boshllëk që ne të bëhemi pretendentë. Jam i bindur se në një të ardhme do të arrihet ky synim. Shqipëria ka talente dhe cilësi dhe nuk është e pamundur të kualifikohemi. Jemi në një grup të balancuar. Kemi skuadra më të forta në grup, por Shqipëria ka për ta thënë fjalën e saj. Por duhet ta nisim mbarë dhe tifozët kosovarë të vazhdojnë të na mbështesin,- ka theksuar Cana.
Përballja me Zvicrën Ai ka pranuar se dy ndeshjet e Shqipërisë ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2014, do të jenë të veçanta për të. Jo pse për skuadrën helvetike pritet që të luajnë Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Albert Bunjaku, por për disa fakte tjera, që lidhen personalisht me të.
Të them të drejtën, ndeshjet ndaj Zvicrës nuk i veçoj për faktin se aty luajnë futbollistë shqiptarë, por për faktin se kur do të luajmë në Zvicër, gjysma e stadiumit do ta mbështesë Shqipërinë. Ndeshjen time të parë zyrtare me kombëtaren e kam zhvilluar në Zvicër dhe në atë takim kishim përkrahjen e rreth 15 mijë tifozëve shqiptarë, – tha Cana, i cili u uroj suksese në karrierë futbollistëve shqiptarë të reprezentacionit zviceran.
Jam rritur në Zvicër, pasi u largova nga Kosova në moshën 7 vjeç. I uroj shqiptarët e Zvicrës dhe u uroj karrierë të ndritur. Por, kur vjen puna të luajmë ndaj tyre, ne përfaqësojmë vendin tonë dhe ata do të jenë kundërshtarë si gjithë të tjerët, – vijon më tej Lorik Cana.
Lacio Cana ka folur edhe rreth aventurës së tij në Lacio, ku u transferua gjatë verës nga Gallatasaraj. Ai pohoi se ndihet mirë në kryeqytetin italian, derisa shton se me hapa të sigurt po shkon drejt formacionit të parë të. Jemi në një pozicion në krye të tabelës dhe kjo është diçka e kënaqshme. Personalisht, pata një fillim pak të vështirë, me probleme fizike, por secilën herë po shkoj përpara dhe po e ndiej vetën mirë.
Jam optimist për të ardhmen time. Kam dëshirë që çdo ndeshje ta filloj prej fillimi. Jam i sigurt se në të ardhmen do të kem hapësirë më të madhe. Jemi në luftë për kreun e tabelës, për Kupën e Italisë dhe në Europa League, dhe kjo është diçka e mire,- nënvizoi 28-vjeçari i kombëtares shqiptare.
Olimpik Marsejë Lorik Cana ka folur edhe për zërta që kanë të bëjën me një lëvizje të tij në merkaton e janarit. Mesfushori lacial ka theksuar se nuk ka ndër mend që nga Lacio të kalojë tek Olimpiku i Marsejës, siç po spekulohet nëpër mediat e huaja. Janë thashetheme të mediave. Unë kam dëshirë të kthehem tek Olimpiku i Marsejës, por jo tani, mbase pas disa viteve, sepse kam ende për të dhënë diku tjetër,- përfundoi rrëfimin e tij për mediat kosovare kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Cana shpallet ambasador i Kosovës
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka vendosur që Lorik Canën ta shpallë ambasador të sportit të Kosovës. Për ta dekoruar me këtë titull, mësohet se KOK-u të martën do të organizojë një ceremoni solemne në Prishtinë. Cana është shprehur që është i nderuar me këtë vendim të institucionit më të lartë sportiv në vend.
19 vjeç ka debutuar Lorik Cana me kombëtaren shqipëtare, pikërisht me 11 qershor 2003 ndaj Zvicrës. Në moshën 7-vjeçare Cana la Kosovën dhe familjarisht u vendos në Zvicër.
12 shtator 2007 është momenti kur kapiteni kuqezi ka marrë kartonin e parë të kuq me kombëtaren, pikërisht në takimin Shqipëri-Holandë, 0-1. Në minutën e 87-të anglezi Rili ndëshkon me karton të kuq Canën.
53 ndeshje ka zhvilluar deri tani 28-vjeçari gjakovar me kombëtaren shqiptare dhe ka shënuar një gol. Pas tërheqjes së Skelës dhe Lalës, shiriti i kapitenit i kalon Lorik Canës.