E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: “Kjo është absurde, PDI-ja udhëhiqet nga një njeri i papërgjegjshëm”



Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, e ka konsideruar absurd faktin se ka paraqitur një kërkesë për t’u integruar brenda PDI-së, duke e konsideruar kreun e saj një njeri të papërgjegjshëm. Në një intervistë për “Albania”-n ai ka sqaruar të gjitha detajet që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda kësaj partie dhe pretendimeve të saj. Ai ka komentuar edhe akuzat dhe aludimet që i janë bërë atij përmes deklaratës publike që nxori dje Kryesia e PDI-së. “Është e vërtetë që çështja çame nuk është çështje biznesi vizash, lejesh ndërtimi dhe bastesh”, - tha Idrizi për gazetën.

A keni parashtruar kërkesë për t’u përfshirë në strukturat e PDI-së?

Më vjen për të qeshur nga një gjë e tillë. Nëse do ta kisha ndërmarrë këtë hap, do ta kisha lajmëruar vetë publikisht dhe nuk kishte pse të dilte publikisht Tahir Muhedini. Kjo është një histori absurde dhe qesharake, që nuk ka të bëjë me mua. Unë personalisht nuk kam bërë ndonjë kërkesë për të hyrë në Partinë për Drejtësi dhe Integrim.

Si e komentoni qëndrimin e PDI-së në lidhje me ju?

Kjo parti udhëhiqet nga një njeri i papërgjegjshëm si Tahir Muhedini. Kjo është një lëvizje personale e tij. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem në kontakt të vazhdueshëm me deputetin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim që doli nga zgjedhjet e 28 qershorit në zonën e Vlorës. Madje, po ju them se kemi rënë dakord për të ndërmarrë nisma të përbashkëta në Parlament për të zgjidhur çështjen çame.

Mos ndoshta ka ndonjë skenar jashtë PDI-së që kjo forcë të ketë edhe një mandat tjetër?

Unë nuk dua që të hyj në skenarë, as brenda dhe as jashtë Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Për mua është e rëndësishme që bashkë me deputetin e kësaj partie të ngremë zërin për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në vendimin e dalë nga mbledhja e Kryesisë thuhet: “Ne nuk do të bashkëpunojmë me ata që çështjen çame e bëjnë biznes”. Sa e dëmtojnë këto zhvillime angazhimin për mbrojtjen e çështjes çame?

Është e vërtetë që çështja çame nuk është çështje biznesi vizash, lejesh ndërtimi dhe bastesh.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›