E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas skemës së kafshatës, Berisha lajmëron kursin për çrrënjosjen e mjerimit



Nëse në fillimin e mandatit të parë, kryeministri Berisha lajmëroi skemën e kafshatës për të luftuar varfërinë, tani, me rastin e fillimit të mandatit të tij, ai ka deklaruar se vendi do të ketë një kurs për të çrrënjosur mjerimin. Një deklaratë e tillë është bërë nga kreu i qeverisë gjatë vizitës që zhvilloi dje në Bulqizë, ku mori pjesë në prerjen e shiritit të përurimit të një aksi të Rrugës së Arbrit.
“Kryeministri Berisha u ndal edhe në luftën me zero tolerancë kundër varfërisë, duke siguruar se qeveria do të përballet në mënyrën më të ashpër me të dhe do ta luftojë atë në çdo skaj të këtij vendi”, - thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Sipas zotit Berisha, “Shqipëria do të ketë një kurs, do të ketë një drejtim, në të cilin nuk do të ketë dhe nuk do të mund të ketë të mjerë”. “Unë nuk them se ne do të çrrënjosim varfërinë. Varfërinë nuk e çrrënjos dot as vendi më i pasur i botës, por mjerimin po. Për mjerimin do të ketë zero tolerancë”, - nënvizoi kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2 të Rrugës së Arbrit, që përfshin segmentin dalje Ura e Vashës - Bulqizë dhe ka një gjatësi prej 7.7 kilometrash. Ai theksoi vendosmërinë e qeverisë që në katër vitet në vijim të realizojë ndryshimin e madh të Shqipërisë. “Në këto katër vite ne jemi të vendosur të punësojmë mbi 160 mijë qytetarë shqiptarë”, - u shpreh zoti Berisha dje, vetëm pak ditë para përfundimit të bisedimeve me LSI-në për krijimin e qeverisë së re. Kryeministri u ndal edhe në luftën me zero tolerancë kundër varfërisë, duke siguruar se qeveria “do të përballet në mënyrën më të ashpër me të dhe do ta luftojë atë në çdo skaj të këtij vendi”. Pikërisht në vizitën e djeshme njoftoi kursin për çrrënjosjen e varfërisë, e cila bëhet pikërisht në momentin kur dy partitë kryesore qeverisëse kanë në prioritet varfërinë dhe punësimin. I njëjti prioritet ishte për Berishën edhe katër vjet më parë, kur deklaroi publikisht se ka gati skemën e kafshatës, përmes së cilës do të nxirren nga varfëria mijëra familje shqiptare që ushqeheshin me lista.

I refuzohet bursa e studimit, ia ofron Berisha nxënëses shqiptare në Maqedoni

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka lëshuar urdhrin që t’i jepet bursë studimi një nxënëseje shqiptare në Maqedoni, pasi i ishte refuzuar e drejta e studimit në vendin e saj. Një fakt i tillë është konfirmuar nga këshilltari i kryeministrit për çështjet e arsimit, zoti Myqerem Tafaj. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së nxënëses shqiptare nga Maqedonia, Arjeta Alili, duke i ofruar asaj të drejtën e studimit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Madje, ajo do të përfitojë një bursë, e cila do të përfshijë shpenzimet e jetesës në Tiranë, si dhe tarifën e pagesës vjetore të fakultetit. Nxënësja shqiptare nga Maqedonia, Arjeta Alili, e cila kërkonte një bursë studimi nga institucionet maqedonase për shkak të kushteve të vështira ekonomike, do të ketë mundësi të studiojë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, në degën Inxhinieri Transporti. Kreu i qeverisë ishte dje në Bulqizë dhe prej andej përcolli një mesazh për shtetasit e Maqedonisë, duke i falënderuar ata dhe duke u premtuar infrastrukturë më të mirë për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›