E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore s’e nxjerr dot PS-në nga ilegaliteti

25-06-2012 / Gazeta 55

Pas denoncimit të ekspertëve të PD-së, Edi Rama ka nxjerrë Damian Gjiknurin të shqiptojë tre pretendime të reja kontradiktore, si e vetmja mënyrë për të fituar kohë, pa nisur publikisht një betejë publike me ODIHR-in. Detyra për të bllokuar reformën ngjan aq e vështirë, sa Gjiknuri është detyruar të shqiptojë publikisht frazën “kemi frikë ta japim konsensusin, sepse ndihemi të intimiduar” 

Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste dhe bashkë me ta edhe bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, justifikojnë aksionin e tyre bllokues, përmes 3 pretendimeve që ndryshojnë nga njëri-tjetri në tre ditë të ndryshme.
Kështu, bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës, Damian Gjiknuri teksa ka mohuar një bojkotim të mundshëm nga partia e tij, thotë se PS s’mund të pajtohet me rrëzimin e amendamenteve për çështje të tilla si numërimi elektronik, kompozimi i KQZ-së dhe ankimimi.
Gjiknuri tha se opozita as e ka pasur dhe as e ka ndër mend ta bojkotojë reformën zgjedhore, siç e akuzuan të premten kolegët e tij demokratë, por që në të vërtetë as pohon e as mohon se selia rozë ka qëllime bllokuese për të zvarritur reformën në ligjin elektoral.
Në ditë të ndryshme nga njëra-tjetra, të premte, të shtunë dhe të diel, përfaqësuesi socialist, Gjiknuri ka shprehur pretendime të ndryshme, duke i mëshuar më tepër ndasive mes palëve sesa përqasjes konsensuale.
“Ka pasur sulme dhe spekulime me qëllim intimidimin e personit tim mbase, por edhe të rolit të opozitës në procesin e reformës. Kërkojnë të na portretizojnë në sytë e të tjerëve sikur nuk duam Reformën Zgjedhore dhe kemi qëllim ta bllokojmë atë. Në të vërtetë Partia Socialiste është e interesuar në mbylljen një herë e mirë të procesit në mënyrë që të kemi një infrastrukturë dhe platformë të qartë ligjore për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thekson Gjiknuri.
Ai tha se debati që u zhvillua të premten në mbledhjen e Komisionit ishte emocional dhe i provokuar nga demokratët. Sipas tij, e vërteta është se ekspertët i kanë marrë detyrat. Madje palët janë sot pranë arritjes së një kompromisi për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
Ajo që i ndan, është riformatimi dhe detyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kemi pasur dy paketa shumë të rëndësishme për identifikimin elektronik dhe numërimin elektronik. Të dyja do të qëndrojnë dhe i kemi miratuar me konsensus. I gjithë problemi është se sa do t’i shtrijmë. Po shohim mundësinë e shtrirjes së tyre në qendrat e mëdha. Ndahemi tek problemi i KQZ-së dhe roli i tij për procesin hetimor. Jemi të gatshëm për kompromis edhe për formulën e emërimit të KQZ-së dhe jemi të vendosur për të garantuar të drejtën e dy anëtarëve të kenë mundësinë e aksesit në dokumentacion dhe kjo është pika kyçe”, deklaron Gjiknuri.
Por, e vërteta thotë të kundërtën. Të premten, Damian Gjiknuri tha se takimi i parë i tryezës së reformës zgjedhore dështoi për faktin se mazhoranca kundërshtoi aplikimin e modulit të votimit elektronik. Pavarësisht se një propozim të tillë e ka rrëzuar më herët edhe misioni i ODIHR-it.
Në daljen mediatike të shtunën, Gjiknuri pohoi se ka mosmarrëveshje mes palëve politike sa i takon procedurave të ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa dje, të dielën, Damian Gjiknuri konfirmoi formulën e bojkotimit të reformës zgjedhore, përmes këtyre aludimeve me 3 pretendime që rrëzojnë njëra – tjetrën.
Pra, i gjithë shqetësimi i socialistëve është se si do të ndërtohet KQZ-ja, duke i mëshuar fort tezës së Edi Ramës për emërimin e kryetarit të këtij institucioni nga Avokati i Popullit dhe duke prodhuar kështu alibinë e bojkotimit të reformës zgjedhore. Pas të tilla qëndrimeve fshihet as më shumë e as pak, llogorja e bojkotit të statusit të vendit kandidat.
Komisioni i Reformës Zgjedhore është rimandatuar nga Parlamenti të enjten e shkuar.
Komisioni do të ketë edhe tre javë të tjera kohë (deri më 12 korrik), për të arritur një kompromis të plotë për të tëra pikat e mbetura pezull.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›