E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova, angazhim të përbashkët për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë

25-06-2012 / Gazeta 55

Takim pune i Kryeministrit Sali Berisha me homologun e Kosovës Hashim Thaçi

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me homologun e tij të Kosovës, z. Hashim Thaçi, me të cilin pati një drekë pune në mjediset e një prej rezidencave qeveritare, në Tiranë.
Pas përfundimit të saj, të dy kryeministrat informuan mbi tematikën e bisedimeve, përmes një konference të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës u shprehën. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Berisha vlerësoi se Republika e Kosovës po përmbyll me sukses të plotë procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi më njohu mua me te gjithë procesin dhe etapat përmbyllëse të tij, përmbyllje që vjen si dëshmi e një suksesi të madh të zhvillimeve në Kosovën e pavarur dhe demokratike, funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, shndërrimit të Kosovës në një faktor të vërtetë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe për zhvillimet në Shqipëri. Ai veçoi procesin e zgjedhjes së Presidentit si një nga sfidat që u përmbyll në përputhje me Kushtetutën. “Shqipëria kaloi një nga proceset më të rëndësishme në historinë politike te vendit, atë të zgjedhjes së presidentit të republikës, proces, i cili u konkludua në përputhje të plotë me germën dhe frymën e kushtetutës, me zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar, në Shqipëri, të  një personaliteti me integritet dhe me të gjitha dhuntitë dhe cilësitë për të përmbushur me dinjitet këtë mision”.
Një temë e rëndësishme e diskutimeve ishin edhe kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe e ardhmja euroatlantike e të dy vendeve.
“U diskutua gjerësisht për etapat e bashkëpunimit të shkëlqyer të mëtejshëm, midis dy vendeve për angazhimin e përbashkët, në bashkëpunim të gjithanshëm në interesin më të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por natyrisht edhe në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 100 vjetor ky, që për shkak të Kosovës së pavarur, luftërave të qytetarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet, festohet në Shqipëri, Kosovë, e kudo me flamurin kombëtar më lart se kurrë në historinë tij. U diskutua gjerësisht perspektiva evropiane dhe euroatlantike e dy vendeve tona, vendosmëria për të bashkëpunuar intensivisht në këto dy projekte të mëdha për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të tyre të përbashkët”, tha Berisha.
Ndërkaq, nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se Kosova po përgatitet për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, më 2 korrik. “Unë e falënderoj kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe të gjithë institucionet e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë në të gjitha hapat për Kosovën, në procesin  e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Ndaj dhe me besim të plotë mund të them se më 2 korrik do të kemi vlerësimin pozitiv nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar mbështetës i pavarësisë së Kosovës, për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Për Kosovën nga ky moment, ne gjithashtu sapo pranuam udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, do të hapet një perspektivë e re, për integrimin në NATO dhe në BE. I gjithë ky proces do të përmbyllet në fillim të shtatorit. Parlamenti i Kosovës sapo aprovoi në leximin e parë legjislacionin  e duhur dhe të nevojshëm të ndryshimeve që kërkoheshin për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë, një legjislacion ky, komplet sipas standardeve evropiane. Pra, ne po ecim me hapa të sigurtë. Gjithashtu diskutuam me kryeministrin Berisha edhe për manifestimet që kemi organizuar dhe do të organizohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Këtë 100 vjetor e madhështon më tepër pavarësia e Kosovës, konsolidimi dhe forcimi i shtetit të Kosovës. Kështu që vetëm dy muaj para ceremonisë së madhe më 28 nëntor, për Kosovën do të përmbyllet i tërë procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare, por natyrisht që do të vazhdojë mbështetja e fuqishme ndërkombëtare. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë festojnë sot dhe në të gjithë vitin, shqiptarët kudo që janë, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, edhe në Mal të Zi, por edhe në diasporë. Gjithashtu, ne diskutuam edhe për mundësi të tjera të bashkëpunimit tonë institucional, ndaj edhe njëherë i nderuari kryeministër Berisha ju falënderoj për pritjen tuaj vëllazërore e miqësore”, tha kryeministri Thaçi.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›