E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Të negociohet me PS jashtë Parlamentit për të gjetur zgjidhje

 

Kuvendit të Shqipërisë i shtohet deputeti më i ri, kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, duke e çuar në 76 numrin e të zgjedhurve të popullit që kanë bërë betimin. Në seancën e pasdites së djeshme, seanca ka nisur me betimin e deputetit Idrizi, i cili tashmë ka lënë PS-në për të drejtuar një parti të re që përfaqëson interesat komunitetit çam. Bashkë me të i është bashkangjitur dhe ish-deputeti i PDI-së, Dashamir Tahiri. Në fjalën e tij, Idrizi i ka kushtuar një vëmendje të madhe çështjes së mungesës së opozitës, si dhe të pronave me Çamëri. “Opozita nuk po e zë vendin e vet në Parlament dhe polemikat vazhdojnë, duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë. Nuk mund ta injoroj në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet. Në lidhje me këtë çështje, do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke iu shmangur komunikimit në distancë nga foltoret e mediave. Le të fillojnë këto kontakte jashtë Parlamentit për të negociuar zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pra për të ushtruar pa u lodhur dhe me besim këtë art të vjetër të politikës-negociatën”, tha Idrizi. Sipas tij, “negociatë do të thotë se askush nuk ka të drejtë paraprakisht dhe se të gjithë palët duhet të lëshojnë nga pozicionet paraprake, që i kanë tani”. Për çështjen çame, Idrizi bëri të ditur se fillimisht ka ndërmend t’i kërkojë Kuvendit miratimin e një rezolute të posaçme. “Ne do të propozojmë që diplomacia jonë të negociojë pikësëpari amendimin e ligjeve greke të viteve ‘80, që ndërsa lejonin riatdhesimin e gjithë shtetasve grekë të larguar pas Luftës së Dytë Botërore, e bllokuan këtë për ata shtetas të vendit fqinj që janë me kombësi jo greke. Këto ligje janë diskriminuese dhe krejtësisht në kundërshtim me Konventën evropiane të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Idrizi. Sipas tij, ky amendim, që imponohet nga Konventa, do të lejonte riatdhesimin në Greqi të së gjithë çamëve, që do të dëshironin një gjë të tillë. “Ne kërkojmë riatdhesim dhe rifitim të së gjithë të drejtave të humbura prej atij që gjerësisht quhet gjenocid grek dhe nga ekspertë të paanshëm grekë si pastrim etnik. Pra, ne nuk duam thjesht kompensim pronash. Ne do të punojmë për përpunimin e një studimi fizibiliteti nga një studio ndërkombëtare britanike dhe dhënia e një zgjidhjeje juridike për çështjen çame dhe të pronave të shqiptarëve në Greqi”, theksoi kreu i PDU-së, duke përmendur dhe përplasjen në gjykatat ndërkombëtare. Ai shtoi se: “Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie që të kujdeset dhe të vendosë një lapidar përkujtimor në varrezat e fshatit Klogjer – ku dergjen eshtrat e 2600 çamëve kryesisht gra, pleq dhe fëmijë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›