E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret në zinxhirë

Elsa Ballauri 

Ngjarja e ndodhur në Maqellarë të Dibrës, ku babai i dy vajzave të sëmura mendore i mbante ato të lidhura me zinxhirë nga frika e veprimeve të tyre të pakontrolluara, është e pavendosur dot në kohë. Koha fizike ka ndalur që prej disa ditësh, kur ngjarja iu zbuluar syve dhe veshëve të njerëzve që jetojnë larg Maqellarës, por koha njerëzore ka ndalur që prej momentit kur dy vajza të reja kanë shfaqur shenjat e një sëmundjeje të rëndë psikike dhe njerëzit që duhej të merreshin me kurimin e tyre i harruan, i abandonuan, i dënuan përjetë. Rasti i Maqellarës nuk është pa precedent (sikurse janë shprehur gazetarët naive të mediave tona… apo edhe të huaja) për shkak se prindi i tyre i mbajti me zinxhirë, por është pa precedent se ato vargonj ishin pamja e përditshme që vështronin banorët e fshatit, madje jo vetëm të një gjenerate të vetme, ishte pamja e përditshme që haste ish-kryetari i kooperativës së Maqellarës përpara vitit 1991, ish-sekretari i partisë së fshatit, apo sigurimsi i zonës. Paradoksalisht, ishte pamja e përditshme edhe pas vitit 1991, për sytë e kryeplakut, të kryetarit të PD-së, apo PS-së… dhe ndofta edhe për sytë e të njëjtit sigurims…
Duket se sistemet shoqërore do të fajësojnë njëri-tjetrin dhe pozicionimi politik, aq shumë tipik në psikologjinë shqiptare  do të justifikojë mungesën e vëmendjes, nxitimin, indiferencën.
Është ndofta ndër rastet e rralla të bëra publike ku e kaluara gërshetohet me të tashmen me të gjitha ndryshimet dhe njëllojshmëritë e tyre. Nëse do ta quanim ndryshim lëvizjen e personave të caktuar nëpër postet e tyre në fshat, sikurse janë ata që përmenda më lart, ka disa gjëra të përbashkëta që nuk kanë ndryshuar dhe të cilat përmbajnë në vetvete përgjegjësitë më të mëdha. E para, sikurse përpara 1991, edhe pas këtij viti kemi një fshat me banorët e tij, edhe nëse ata kanë lëvizur dhe udhëtuar nëpër vende të tjera, përsëri struktura njerëzore brenda fshatit është e njëjtë: ata janë fshatarët që jetojnë atje përditë, flenë, hanë, gëzojnë, vdesin, ushqehen. Janë ata që bëjnë sehir çdo ditë e natë se ç’ndodh në fshat. Janë ata që kanë lejuar të parët të përdoret veprimi ekstrem i lidhjes më zinxhirë të të sëmurave sepse janë ata, egoistët e mosprishjes së rehatisë së tyre. Nëse do të themi se Maqellara është gjynah se është e varfër dhe e paditur, kjo është e pajustifikueshme, sepse ajo për të cilën tentojmë të flasim sot dhe që bënim sikur flisnim dje, është ndjenja e humanizmit. Nuk duhet shkollë për të t’u dhimbsur tjetri, për t’u ndihmuar tjetri.
Tjetër element i njëjtë që ka ekzistuar pothuajse në të njëjtën mënyrë si përpara 1991 edhe pas është funksioni dhe figura e mjekut. Jo më kot e kemi quajtur mjekësinë një nga gangrenat e shoqërisë sonë: ajo vazhdon të tregojë se nëse ka ndonjë qëllim minimal për të cilin interesohet, është vetë njeriu. Linja e mjekut është shumë mirë e kuptueshme po të vëmë re se as spitalet e vjetra dhe të reja nuk asistuan ndonjëherë në përmirësimin apo kujdesin e kushteve të së sëmurave. Nëse mjeku i dikurshëm ka pasur frikë edhe nga hija e vet dhe përpiqej t’i mbijetonte sistemit të diktaturës dhe jetës së vështirë në Maqellarë, ndofta edhe me pije alkoolike, mjeku i sotëm mund të dalë e të japë intervista moraliste pa e vrarë ndërgjegjja dhe pa kuptuar akoma se cili është misioni i tij…
Humanizmi është një filozofi e panjohur për shqiptarët. Të talentuar për të kapur frazeologjinë moderne, shpesh herë mbetemi deri këtu dhe s’jemi në gjendje të veprojmë: nuk krijojmë dot as strategji, as aksione sepse na mungon eksperienca dhe pasioni. Mos mundohemi kot të shesim mend për një gjë që na mungon thellësisht e kjo ka arsyet e veta: së pari nuk i kemi kaluar dot fazat e zhvillimit të shoqërisë, kur ndjesitë dhe sjelljet humane filluan ta qeverisnin shoqërinë si një nevojë përsosjeje: që në Testamentin e ri, pyetja: Kush është fqinji im?, kishte përgjigjen: “Fqinji yt është ai që ti duhet ta ndihmosh në nevojë”. Humanizmi është një sjellje aktive dhe etike e cila historinë e saj fillestare e ka nëpërmjet shprehjes së filantropisë. Këtu është një nga ngecjet tona historike: shqiptarët nuk e njohin filantropinë, e kanë bërë instinktivisht shpesh herë (jo në kohët tona), është folur shumë pak për të dhe filantropët shqiptarë të njohur mund të jenë aq sa gishtat e njërës dorë. Sigurisht që ka pasur më shumë, por asnjëherë ky s’ka qenë një motiv i rëndësishëm për t’u propaganduar… Nëse i rikthehemi shkurtazi humanizmit, s’duhet të harrojmë që ai ka ecur jo vetëm nëpërmjet rrugës së feve të ndryshme (që ne nuk i zhvilluan siç duhet), por edhe nëpërmjet periudhave historike të rëndësishme si: Iluminizmi, Rilindja, apo idetë moderne të së drejtave të njeriut. Në secilën prej këtyre periudhave, ne shqiptarët jemi të paplotësuar. Edhe nëse na duket se i kemi kaluar disi ato, të mos harrojmë se i kemi kaluar në mënyrë virtuale dhe jo në shtrirjen dhe realizimin e tyre të plotë. Çdo periudhë ka nevojë përveç ngritjes së strukturës së ideve, edhe ato të shërbimeve sociale. Ne i kapërcyem me nxitim periudhat, pa i njohur, ose pa i asimiluar ato. Periudha e pasluftës së Dytë Botërore, koha kur e gjithë bota përqafoi idetë e të drejtave të njeriut dhe i përparoi ato, ne iu kthyem, diktaturës e cila filloi të fabrikonte mjekët e trembur, kryetarët e kooperativave prepotentë dhe injorantë dhe sigurimsat kompleksivë e fuqiplotë në të keqen e tyre…. E gjithë kjo histori e trishtë është një paralajmërim I shumë rasteve tragjike dhe traumatike që po zbulojmë sot. Pra, s’ka një rastësi. Nuk mundet ta barazojmë këtë histori me atë të Monstrës austriake Josef Fritzl dhe nuk duhet ta analizojmë si të tillë. Austriaku veproi në një fshehtësi të plotë dhe mashtroi e gënjeu për vite me radhë. Dine Keshi e bëri veprimin e tij hapur, ose fshatçe, madje duke u përpjekur dhe pretenduar se po mbronte edhe të tjerët dhe fshati e ka falënderuar për këtë. Dinia kishte edhe halle të tjera, ai ishte një i armik i popullit gjatë viteve të diktaturës dhe më vonë, gjatë viteve të demokracisë, një ish-armik i popullit. Ai duhej të mbijetonte me vështirësi, sepse s’kishte shtet dhe fqinj ta mbronte.
Mjeku i diktaturës nuk e mbronte dot se kishte frike, mjekut të demokracisë, nuk i interesonte Dinia dhe vajzat, se s’kishin para. Përveç motrave Keshi, edhe i ati i tyre është një viktimë dhe duhet parë si i tillë. Ai nuk ka ditur se bënte krim (neni 110 në Kodin Penal për “heqje pa të drejtë të lirisë”), ai është munduar të mbrojë veten dhe vajzat nga pasoja ekstreme siç ishte arratisja e tyre pa ndërgjegje, apo dëmi që mund t’i shkaktonin të tjerëve. Tjetër problem i vjetër dhe i ri që e gërryen ende nga brenda shoqërinë shqiptare, është marrëdhënia prind–fëmijë: koncepti i pronësisë dhe dhuna. Dine Keshi e konsideron normale ta quajë pronë fëmijën e vet, aq më shumë kur ai është i pandërgjegjshëm dhe po ashtu e quan normale veprimin e lidhjes me zinxhirë. Për fat të keq ka shumë Dine Keshi në Shqipëri dhe nëse do të duam ta konsiderojmë këtë ngjarje një rast studimi për të nxjerre rezultate të rëndësishme në të ardhmen, le të shpresojmë se do të dëgjojmë gjithmonë e më rrallë për këto histori të dhimbshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›