Muça: Rusheku, akuza të pabaza
Fatos Mahmutaj
Komuniteti Musliman Shqiptar reagoi dje zyrtarisht pas dy javësh debati mediatik për zhvillimet e fundit në këtë institucion me shkarkimin e nënkryetarit Sajmir Rusheku. Me anë të një deklarate për shtyp, të lexuar mesditën e djeshme nga kryetari i KMSH-së Selim Muça, iu bë një rezyme mbledhjes më të fundit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, mbajtur në Medresenë e Kavajës dy ditë më parë. Sipas tij, rendi i ditës ishte diskutimi i raportit të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të KMSH mbi kontrollet e kryera në disa rrethe. Pika e dytë ishte raporti i kryesisë së KMSH në mbarëvajtjen e punës në qendër dhe në bazë dhe e treta ishte raporti i llogaridhënies përpara Këshillit të Përgjithshëm të KMSH, për punën e bërë nga Myftinita e Pogradecit dhe Burrelit. “Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, e cila kaloi përgjithësisht në një atmosferë të qetë vëllazërore, filloi me votimin e ndryshimit të disa anëtarëve të Këshillit, të cilat u miratuan me shumicë votash. Përveç diskutimeve të bëra rreth miratimeve të raporteve midis dy mbledhjeve të Këshillit, ku u evidentuan arritjet dhe problemet që ka ndeshur institucioni ynë gjatë periudhës gjashtëmujore, u diskutua edhe lëvizja nga detyra e ish-nënkryetarit të KMSH-së, Saimir Rusheku, i cili ditët e fundit ka akuzuar nëpër media të ndryshme, kryetarin dhe KMSH-në, me akuza të pabaza dhe emocionale”, pohoi Muça në deklaratën për shtyp, duke vazhduar më tej, se ishin miratuar edhe disa vendime të kryesisë së KMSH-së. Sipas tij, në këtë mbledhje ishte miratuar formimi i Këshillit të Teologëve si dhe lëvizja e disa kuadrove brenda KMSH-së. Duke shpjeguar me detaje lëvizjen e kuadrove, në institucionin e myslimanëve shqiptarë, Muça tha se ishte miratuar largimi nga detyra i nënkryetarit të KMSH-së, Saimir Rusheku, i cili ishte emëruar në detyrën e këshilltarit të kryetarit dhe përgjegjës në Rubrikën Fetare në Drejtorinë e Kulturës. Në vendin e lënë bosh nga Rusheku është emëruar Bujar Spahiu. Më tej Muça tha se ishte larguar nga detyra Myftiu i Tiranës Shaban Saliaj, i cili ishte emëruar këshilltar i parë i kryetarit dhe Imam në xhaminë e Et’hem Beut në qendër të kryeqytetit. Në vend të tij ishte emëruar Myftiu i Durrësit Ilir Vokshi, i cili do t’i drejtojë aktualisht të dyja Myftinitë. Duke reaguar ashpër ndaj deklaratave mediatike të nënkryetarit të shkarkuar Saimir Rusheku, Muça tha se këto vendime u hodhën në votim në bazë të statutit mbi të cilin funksionin KMSH dhe u miratuan me shumicë votash. “Votimi për lirimin e Saimir Rushekut nga detyra e nënkryetarit të KMSH-së, rezultoi me 66 vota pro, dy kundër dhe 8 abstenime”, tha Muça.
Besimtarët akuza krerëve të KMSH-së për vjedhje pronash
TIRANE - Besimtarët myslimanë kryeqytetas kanë akuzuar dje kreun e KMSH-së, Selim Muça dhe Myftiun e Durrësit Ilir Vokshi për abuzime me pronat, duke përmendur si rast konkret shitjen e një prone 2764 metër katrorë në zonën më të lakmuar të Durrësit, ngjitur me vilën e Zogut me pamje nga qyteti. Duke publikuar kontratën e shitjes së kësaj sipërfaqeje, besimtarët pohojnë se çmimi i saj 24 mijë lekë të reja për metër katrorë është qesharak, pasi referuar çmimeve të tregut duhet të ishte të paktën disa herë më i lartë. “Parimisht vakëfi nuk shitet. Çmimi 24 mijë lekë të reja është shumë herë më i vogël së çmimi real. Në Durrës nuk ka tokë që shitet poshtë 1000 eurove për metër katror brenda qytetit. Po ta shikosh kontratën, në fillim theksohet se është marrë miratimi i kryesisë së KMSH-së për shitjen e saj dhe kjo do të thotë se kryesia ka dijeni për këtë gjë. Nëse kontrata nuk ka kaluar në kryesinë e KMSH-së, atëherë kemi vjedhje të hapur. Kontrata mund të prishet fare lehtë dhe Myftiu i Durrësit duhet të shkojë për ndjekje penale”, thuhet në materialin e shpërndarë dje nga besimtarët, të cilin e mbyllin me vargun 227 të kapitullit 26 të Kur’anit, ku thuhet: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes)”. fa.ma.