E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandatet e PS-së, në dorë të kryeparlamentares Topalli

 

Mandati i 64 deputetëve të opozitës është në dorën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kushtetuta në nenin 71 të saj thotë se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në pikën dy të tij parashikohen rastet kur mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm dhe që janë “kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. Konkretisht, sipas Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm edhe në rastin kur ai nuk bën betimin. Por dokumenti i miratuar në vitin 1998 nuk jep një afat për kohën deri kur pritet për t’u betuar deputeti që atij t’i hiqet mandati. Ndërsa rregullorja e Kuvendit në pikën pesë të këtij neni thotë se, nëse deputetët refuzojnë të bëjnë betimin, Kryetarja e Kuvendit, me sekretarinë e përkohshme, deklarojnë mandatin e deputetit dhe njoftojnë KQZ-në. “Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, thuhet në rregullore. Megjithatë dokumenti nuk e specifikon kohën kur kryeparlamentarja dhe Sekretaria e Përkohshme deklarojnë mbarimin e mandatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›