Ngjela: Ramës i vura kusht të kandidojë në zgjedhjet e reja
Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha dje se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me moskandidimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë një interviste në “Top Story” në Top Channel, kreu i PLiDr theksoi se ky është një prej kushteve të tij për kreun socialist për zgjedhjet e ardhshme. “Në zgjedhjet e ardhshme kryeministri do të jetë në Parlament. Është një nga kushtet e marrëveshjes, nuk kam ndryshuar qëndrim unë”, theksoi Ngjela. Duke iu referuar marrëveshjes së bashkëpunimit me PS-në, avokati tha se është rënë dakord për parimin se shteti është ruajtësi i pakontestueshëm i konkurrencës në treg dhe aftësia është shansi për të ecur përpara. “Kemi rënë dakord për gjithë pemën institucionale të shtetit në funksion të pavarësisë institucionale. Berisha ka katër vjet që tenton të pushtojë republikën. Nuk e ka marrë dot Prokurorinë dhe ka mbetur me një bandë policësh. Aspekti tjetër është reforma në arsim dhe pastaj më kryesorja respektimi maksimal i këtij shteti ndaj emigracionit që po na mban gjallë në një vend që nuk prodhohet”, vijon Ngjela, sipas të cilit, Rama i pranoi këto kërkesa. “Shqipëria nuk ka shpëtuar nga absolutizmi që nga viti 1944 dhe vazhdon të jetë nën një tirani. E gjithë bota e di se qeveria nuk është legjitime, sepse ka manipuluar zgjedhjet. Ky është pragmatizmi im për të realizuar qëllimet e mia dhe është i qartë brenda normave morale”, nënvizon Ngjela.