E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ka krizë të thellë morale

 

Aristir Lumezi

Shqipëria është zhytur në një krizë të rëndë institucionale. Kryetari socialist Edi Rama gjatë një konference për shtyp dje në selinë rozë, shprehu shqetësim për situatën në të cilën ndodhet vendi. “Shqipëria përballet sot me krizën më të thellë morale të qeverisjes, rastet e Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës, janë simbole të së keqes që ka mbërthyer qeverinë, shtetin ligjor e kthyer në vegël të pushtetit të paligjshëm”, u shpreh Rama. Duke folur për herë të parë për rastet çnjerëzore të trajtimit të njerëzve me probleme mendore, të zbuluara së fundmi nga mediat, Rama konsideroi se këto raste janë dëshmi e varfërisë që ka përfshirë vendin, ndërkohë që fajëson strukturat e shtetit për dështim të plotë me politikat sociale. “Shqiptarët po përballen me degradimin çdo ditë e më shumë, kriza financiare që i prek çdo ditë është dëshmi e këtij degradimi. Këto ditë opinioni është ballafaquar me ngjarje çnjerëzore, njerëzit trajtohen si në mesjetë për shkak të varfërisë. Pamjet shokuese në Dibër dhe Fier tregojnë jo vetëm shkallen e varfërisë, por dështimin e plotë të strukturave të shtetit”, u shpreh Rama përpara mediave.
Sipas kryesocialistit, përveç krizës financiare vendi përballet edhe me atë që ai e quajti krizën më të thellë morale të qeverisjes. “Rindarja në mënyrë abuzive e pronave për interes të familjes qeveritare dhe klientëve të saj, strehimi në qeveri i përgjegjësve për shpërthimin e Gërdecit, përplasja e dy policive në Fier, janë fakte absurde për një vend që po troket për të marrë statusin e kandidatit në BE”, tha Rama. Duke komentuar dhe ngjarjen e Orikumit, Rama tha se, “konflikti në Orikum mes Policisë së Shtetit dhe palëve të ndryshme të pronarëve për një pronë në konflikt, tregon se problemet e pronësisë jo vetëm nuk kanë gjasë të zgjidhen, por në fakt janë kthyer në pengje të një politike qeveritare, që synon kthimin e Sali Berishës e të fëmijëve të tij në pronarë të mëdhenj dhe rindarjen e pronave me forcën abuzive të shtetit në favor të familjes në pushtet, të klientëve dhe të shërbëtorëve të saj”. Duke ripërsëritur bindjen për të çuar deri në fund “betejën” për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama lajmëroi protestën e radhës të socialistëve dhe mbështetësve të saj, e cila do të organizohet nesër në Lushnjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›