Idrizi i PS-së dhe Tahiri i çamëve, krijojnë parti
Dy deputetët që krijuan partinë PDU nuk konfirmuan se me cilën parti do të bashkëpunonin
TIRANË - "Xhuvelizmi", fenomeni i trafikimit të votave pushton dhe çamët. Shpëtim Idrizi deputeti i zgjedhur në qarkun e Vlorës nga listat e Partisë Socialiste me votat e elektoratit socialistë është divorcuar prej saj dhe sëbashku me deputetin Dashamir Tahiri, i cili edhe ai u zgjodh nga listat e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, kanë krijuar forcën më të re politike në vend me emrin Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDU), në themel të programit të së cilës, do të jetë çështja kombëtare dhe ajo çame në veçanti.
Në këtë mënyrë, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk e deklaroi qartazi, me shumë gjasa pritet që Qeverisë t'i shtohet tashmë si mbështetje edhe vota e Idrizit (Tahiri është pozicionuar që më parë pro Qeverisë), ndërsa opozita e cila nuk ka pranuar ende të rikthehet në Kuvend do të ketë në përbërje të saj një numër më pak, duke u reduktuar në 65 deputetë.
Në një dalje të përbashkët për mediat, Idrizi dhe Tahiri, si dy nga njerëzit me më shumë influencë në radhët e këtij komuniteti për shkak të mandatit të deputetit që mbajnë, kanë shpallur krijimin e Partisë Për Drejtësi dhe Unitet. Deklaratën e rastit e ka mbajtur Idrizi, i cili ka evidentuar arsyet pse e ndërmorën këtë hap, si dhe synimet që kërkojnë të arrijnë nëpërmjet këtij organizimi të ri politik.
"Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDU) është një parti e re, që ka në programin e vet në mënyrë ekskluzive, promovimin dhe zgjidhjen e Çështjes Kombëtare. Duke e bërë gjithçka me cilësi të re; me energji të përqendruara tek zgjidhja e saj, e në veçanti zgjidhjen e çështjes çame", - tha Idrizi në prezantimin e kësaj force politike.
Duke u ndalur tek arsyet pse vendosën të krijonin këtë parti, Idrizi ka argumentuar se të gjitha forcat politike shqiptare në këto 19 vite demokraci kanë bërë pak ose aspak në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Për këtë arsye, sipas tij, ishte i nevojshëm krijimi i një force politike që ka në qendër të objektivit të saj luftën politike për zgjedhjen e problemeve me karakter kombëtar dhe nacionalist.
E organizuar në formën e një lëvizje, sipas Shpëtim Idrizit, PDU-ja do të jetë një parti e hapur për bashkëpunim me të gjithë forcat e spektrit politik shqiptar dhe përfaqësuese e të gjithë atyre zërave të shoqërisë civile shqiptare që vënë mbi të gjitha interesin kombëtar.
Ai e ka vënë theksin te roli që pritet të luajë PDU-ja në dinamizimin e panoramës politike në vend, nëpërmjet ushtrimit të presionit pozitiv mbi dy partitë e mëdha për të shtruar ndryshe çështjen çame. Idrizi ka lënë të kuptohet qartë se ndryshe nga sa ka vendosur PS-ja, ai do të marrë pjesë në Kuvend, por duke mos deklaruar dot votën që do të japë për rastin e marrëveshjes së përcaktimit të kufijve ujorë mes Shqipërisë dhe Greqisë.