Cana në fokusin e “Top-four”
Lorik Canës i kanë mjaftuar shtatë ndeshje në Premier Ligën, kampionatin më të fortë më botë, për të qenë në vëmendjen jo vetëm të medias britanike, por edhe të “skanohet” çdo javë nga katër “Top-skuadrat” angleze. Mesfushori 26-vjeçar shqiptar, vlerësohet si një nga prurjet më të bujshme të merkatos verore dhe një bast i fituar i trajnerit të Sandërlendit. Stiv Brjus, i cili këmbënguli në blerjen urgjente të ish-kapitenit të Olimpikut të Marsejës, që për të sjellë në “Stadiumin e dritës” pagoi 6 milionë euro. Cana vlerësohet në mënyrë të veçantë për ndërhyrje e fuqishme të tij, në dyluftimet e përhershme me kundërshtarët, një lojë tipike dhe e pëlqyer shumë në Britani. “Peshkaqenët” e mëdhenj të ishullit anglez, përfshirë edhe kampionen në fuqi, Mançester Junaitid, e kanë venë në rreth kapitenin e fuqishëm të Sanderlendit. Për të, sipas disa medieve britanike, mund të ketë një hapësirë transferimi në “dritaren” e merakos së muajit janar. Loriku ka fituar simpatinë e fansave, sidomos me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme kundër Çelsit, Boltonit dhe Bllekbërnit. Më parë, për Lorikun ishte i interesuar edhe Arsenali, që kërkon një partner të fortë në mbështetje të mesfushorit Sesk Fabregas, por dhe Liverpuli, që po vuan paksa nga agresiviteti në mesfushë. Sipas medieve angleze, Cana përmbush kriteret e “katër të mëdhave” të Premiership, të cilat marrin pjesë rregullisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, por dhe më tej. Beteja për Canën ekziston në një farë mënyre edhe midis Çelsit dhe Mançesterit, pavarësisht se bluve të Londrës u është ndaluar nga UEFA shit-blerja e lojtarëve deri në vitin 2011, por deri në atë kohë, një grup i fuqishëm lojtarësh si Esien, Mikel, Lampard e Balak, do të kenë rënë nga “bateritë” e Cana është një objektiv i mirë. Sandërlendi, që nga ana e tij investoi të mesfushori shqiptar, synon ta mbajë Canën të paktën për disa vite, duke synuar rritjen e vlerës së kartonit të tij. Gjithsesi, Cana, i ka të gjitha gjasat që të lëvizë drejt Jugut të Londrës apo Liverpulit pas përfundimit të Kupës së Botës 2010.
Zeman: “Mourinjo, trajner mediokër”
Trajneri i Interit: “Zeman? Nuk e njoh”
“Murinjo është një komunikues i madh, por i shërben për të fshehur pikërisht mediokritetin si trajner”. Zdenek Zeman e kritikon pa fshehur asgjë trajnerin e Interit. “Mendoj se Murinjo ndodhet te Inter pasi është një frymëzues i madh i lojtarëve dhe akoma më shumë i gazetarëve”. Hoze Murinjo iu kundërpërgjigj në mënyrën e tij kritikave në adresë të tij nga ana e trajnerit Zdenek Zeman. “Nuk e njoh”. Tekniku i Interit, duke folur nga Moska në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër rusëve të Rubin Kazanit tha: “Nuk është faji im që Interi nuk e fiton Ligën e Kampioneve prej 50 vjetësh. Unë për vete time, në pesë vjet, kam fituar 1 herë (me Porton) dhe shkova tre herë në gjysmëfinale”. Trajneri i Interit foli dhe për ndeshjen: “Nëse Interi luan si në ndeshjen kundër Barcelonës fitojmë. Rubin është një skuadër me cilësi taktike dhe individuale”.
Inter, një vit pa fituar në Champions
Inter në kampionatin italian është një superfuqi, por në Ligën e Kampioneve, zikaltërit nuk fitojnë thuajse prej një viti, e fundit më 22 tetor 2008. Në nëntë ndeshje e fundit të luajtura, këto nën drejtimin e Hoze Murinjos, përfshirë dhe ndeshjen e fundit me Barcelonë (0-0), Interi ka fituar vetëm 2, e fundit ajo kundër qipriotëve të Anorthosis Famagusta të Arjan Beqajt. Në ditën e dytë të Ligës së Kampioneve, Inter do të përballet me kampionen e Rusisë, Rubin Kazan.
Liga e Kampioneve
Dita 2
Sot, 20:45
Grupi E
Fiorentina-Liverpul
Debreceni-Lion
Grupi F
Rubin Kazan-Inter 18:45
Barcelona-Dinamo Kiev
Grupi G
Unirea-Shtutgard
Rejnxhërs-Sevilja
Grupi H
Arsenal-Olimpiakos
AZ Alkmar-Standard L.
Përplaset me pemën, Bendtner humbet Champions-in
Arsenali do të presë në “Emirates” kampionen e Greqisë, Olmpiakosin, një tjetër skuadër që fitoi ashtu si “Topçinjtë” londinezë në ditën e parë të Ligës së Kampioneve. Trajneri Arsen Venger do të ketë mungesën e dy lojtarëve titullarë. Sulmuesi Niklas Bendtner pësoi të dielën një aksident me makinë, teksa përplasi fort “Aston Martin”-in e tij në një pemë, por për fat të mirë pa rrezik për jetën. 21-vjeçari Bendtner shënoi edhe golin e parë të Arsenalit në fitoren 3-2 kundër Standardit të Liezhit dy javë më parë. Sa për kuriozitet: Danezi Bendtner ishte dhe autori i golit të Danimarkës në barazimin 1-1 me Shqipërinë në “Qemal Stafa”. Mungesa tjetër është ajo e mesfushorit Denilson. Braziliani do të qëndrojë rreth një muaj larg fushës.
29 Shtator 2009