E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Canaj, “truri” i ri i Gramozit



Agim Canaj është trajneri i ri i Gramozit, duke zëvendësuar në bankinën Ilir Qirjakon. Është paksa befasuese ky zëvendësim, nisur dhe nga fakti se të shtunën e kaluar, Gramozi fitoi 2-0 me Flamurtarin. Gjithsesi, me vetëm 5 pikë në po aq javë, drejtuesit e klubit kolonjar kanë menduar t’i japin një profil më agresiv skuadrës së tyre dhe personaliteti e kapaciteti një trajneri me përvojë të madhe me ekipet e vogla, si ai i Agim Canajt, përmbush kriteret e klubit të mbështetur financiarisht nga kompania “Taçi Oil International”. Ilir Qirjako bëhet kështu trajneri i tretë këtë sezon që largohet nga drejtimi i një skuadre të Superligës, teksa më parë kanë dhënë dorëheqjen Gugash Magani nga Shkumbini (aktualisht drejton Flamurtarin) dhe Eqerem Memushi nga Flamurtari. Agim Canaj ka një karrierë të pasur si trajner, teksa për vlonjatin numërohen skuadra të tilla si Dinamo, Shkumbini, Flamurtari, Besa. Skuadra e fundit që ka trajnuar Canaj është Vllaznia, por tekniku u zëvendësua më pas te kuqeblutë shkodranë nga malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç. Gramozi në javën e 6-të do të përballet me Besën, që nga ana e saj bashkëkryeson me Dinamon (nga 13 pikë) e që nuk ka pësuar asnjë humbje në pesë javët e para. Një debutim i vështirë për Canaj përpara publikut të zjarrtë kolonjar.

SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE

Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java 3)

Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Nga java e 5-të, Gugash Magani

Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj nga java e 6-të.

Mërgjyshi: “Laçi? Synojmë vetëm fitoren”

Dinamo është shfaqur si favoritja kryesore për fitimin e titullit kampion, çka do të ishte si “qershia mbi tortë” në 50-vjetorin e themelimi të klubit blu (1950). Zëvendëstrajneri i Dinamos, Artan Mërgjyshi e vlerëson ecurinë pozitive. “Jemi duke ecur në rrugën e duhur. Ajo që më gëzon është fakti se po funksionin grupi. Këtë e tregon qartë loja kolektive, ku te Dinamo sulmi po shënon rregullisht. Kjo tregon se kemi forcën e grupit. Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, por Dinamo ka objektiv titullin kampion dhe ne synojmë që ta fitojmë këtë ndeshje”, - tha ndihmësi i Muçës për “Ora Sport”. Dinamo ka fituar katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani në këtë edicion, duke fituar dy nga tre transferuat e luajtura.

Arsenali, rekord fitimesh vjetore

Arsenali bëri të ditur se ka arritur një rekord fitimesh prej 35.2 milionë paund, ndërkohë që në total xhiroja vjetore totale –periudha një vjeçare deri, më 31 maj - shkoi në 313 mlionë paund, falë shitjeve të së drejtës televizive dhe biletave, kur skuadra londineze mbërriti në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Anglisë. Në të njëjtën kohë, borxhet e përgjithshme të klubit si pasojë e ndërtimit të stadiumit të ri 60 mijë vendësh, “Emirates”, u reduktuan në 297 milionë paund, nga 318 milionë paund që ishin vitin e kaluar.

Bufon: “Do të jetë një natë fantastike”

Portieri i Juventusit, Xhixhi Bufon, ndihet i karikuar për sfidës. “Kundër Bajernit do të jetë një ndeshje për të cilën ia vlen të jesh futbollist”. Numri një i Kombëtares italiane: “Nuk duhet të kemi frikë, edhe pse luajmë kundër një skuadre të fortë. Bavarezët janë rivalët tanë në grup, do të luftojmë kundër tyre dhe Bordosë për vendin e parë në grup”.

Ibra për rekord, shënon në çdo ndeshje

Në Spanjë kanë filluar të dashurohen me suedezin Zlatan Ibrahimovic pas fillimit të jashtëzakonshëm të ish-lojtarit të Interit në Primera Divizion. Ibra ka vendosur rekordin e parë personal: ka shënuar në të pesë ndeshjet me Barcelonën në këtë fillim sezoni. Kjo nuk ndodhte te Barça prej më shumë se 60 vjetësh. Zlatan barazoi kështu Sezarin, një ish-sulmues i katalanasve në vitet ’40. “Fillim historik për Ibrahimoviçin”, i thurte lavde gazeta sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›