E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: “Suedia ndien ethe, jo ne”



Përballja me Suedinë -14 tetor 2009 – ka filluar të ndihet në radhët e kuqezinjve, edhe pse përballja e fundit e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010 do edhe gati 20 ditë që të luhet. Mbrojtësi i Vorskla Poltavës në Ukrainë dhe Kombëtares sonë, Debatik Curri, pohoi se jo vetëm ai, por të gjithë lojtarët e përfaqësueses – përfshirë edhe mbrojtësin tjetër Armend Dallku, edhe ky te Vorskla - besojnë shumë te një tjetër paraqitje e mirë si ajo e fundit në barazimin 1-1 me Danimarkën në “Qemal Stafa”. “Ne nuk kemi çfarë të humbim nga ajo ndeshje, ndaj besoj se do të jetë më e lehtë për ne për të bërë një paraqitje të mirë. Nuk jemi në ‘ethe’, por Suedia që ka nevojë për fitore ndaj nesh”, - tha Curri, që me fanellën e Kombëtares është aktivizuar 27 herë e ka shënuar një gol kundër Holandës. Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka vendosur që grumbullimi të bëhet në Frankfurt të Gjermanisë, duke filluar nga 6 tetori, ku është programuar edhe një ndeshje miqësore me FSV Frankfurtin, një ekip gjerman i Bundesliga 2, me të cilin aktivizohet edhe tiranasi me pasaportë gjermane, Jurgen Gjasula. “Është një ide shumë e mirë që të grumbullohemi në Gjermani. Nga përvoja që kemi krijuar na ka ndihmua të bëjmë paraqitje të mirë kundër kundërshtarëve tanë”, - shton Curri. Të shtunën e kaluar Vorskla Poltava barazoi pa gola në transfertë me Iliçeviçin, barazimi i në shtatë javë. “Patëm shanse dhe për ta fituar ndeshjen, - theksoi Debatiku, - por topi nuk desh të hynte në portë. E goditëm dy herë shtyllën. Ndeshjen e ardhshme e kemi me Cernemoretsin dhe besojmë se do të fitojmë”. Vorslka Poltava renditet në vendin e 11-të me tetë pikë në tetë ndeshje. Krivbasi i katër shqitparëve – Hidi, Bulku, Bylykbashi e Agolli – ndodhet në vendin e fundit, me 7 humbje në tetë javë të luajtura. Zorja Lugansk i kavajasit Parid Xhihani renditet i 13-ti nga 16 ekipe që ka kampionati ukrainas.

Nuhiu: “Salihi, shembull i madh për mua”

Kosovari Atdhe Nuhiu po ecën në gjurmët e Hamdi Salihit. Zëvendësuesi i shkodranit te SV Ried shënoi një gol në fitoren 5-2 të skuadrës së tij kundër Lask Linz. Sulmuesi 20-vjeçar - autori i dy golave me Kombëtaren U-21 austriake në fitoren 3-1 kundër Shqipërisë- hyri zi zëvendësues në minutën e 73-të në vend të Dreksel. Në minutën e 80-të, gjiganti Nuhiu -1.97 m- shënoi golin 4-2 të ndeshjes pas asistit të dhënë nga mesfushori Thomas Schrammel. Interesant është një fakt, se edhe pse Lask Linz humbi 5-2 ishte në avantazh 0-2 deri në minutën e 42-të, përpara se mesfushori Stephan Lexa të shënonte golin e parë për SV Ried. Për Nuhiun ky ishte goli i dytë rresht në dy javët e fundit, pas atij të realizuar në barazimin 1-1 të SV Ried me Austrinë e Vjenës. Gjatë një interviste për faqen austriake Laola1.at, Nuhiu kishte pohuar: “Gjurmët e Salihit janë shumë të mëdha. Unë e kam vendosur si objektiv të jem pasuesi i tij. Dua të shënoj sa të mundem. Salihi është një ‘großer Spieler und ein großer Torjäger’(një lojtar i madh dhe një golashënues i madh)".

Çështje “vëllezërish Kuqi” te Tus Koblenz

Te skuadra gjermane Tus Koblenz (Bundesliga 2) ka nis të krijohet problemi “Kuqi”. Në fakt, midis dy vëllezërve kosovarë me pasaportë finlandeze, Shefki e Njazi Kuqi. Gjatë sezonit të kaluar, vëllai i vogël, Njaziu, u aktivizua në 29 ndeshje për Tus Koblenz, por këtë edicion ai është plotësisht nën hijen e të vëllait, Shefkiun. Këtë e konstaton versioni online i gazetës sportive gjermane “Kicker”. Shefkiu, në fakt ka shënuar deri tani 5 gola, ndërkohë Njaziu ka pasur probleme dëmtimesh dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes së thikës. Gjithsesi, 26-vjeçari Kuqi (katër ndeshje këtë sezon) nuk ka shënuar asnjë gol, por dhe nuk ka bindur.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›