E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër futbollistë në FSHF: Duam paratë tona!

 

I janë drejtuar institucionit të futbollit shqiptar, për të gjetur drejtësi, teksa pretendojnë se klubet ku kanë bërë pjesë sezonin e kaluar, nuk kanë respektuar kontratën me ta. “Duam lekët tona!” Ka qenë kjo kërkesa e tyre. Nuk janë pak, por katër lojtarë, madje emra shumë të njohur, që pritet këto ditë të bëjnë një kërkesë zyrtare në FSHF, drejtuar Komisionit të Disiplinës, për të shqyrtuar çështjen. Bëhet fjalë për portierin Orges Shehi, mesfushorët Dritan Babamusta e Paulin Dhëmbi, e gjithashtu sulmuesin Daniel Xhafa. Këta të fundit tashmë janë pjesë e Besës, por kërkojnë që të shlyhen deri më një, detyrimet që klubet u kanë nga sezoni i kaluar. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta në federatë. “Të katërt lojtarët kanë qenë këto ditë në ambientet e FSHF-së, për t’u njohur më shumë me procedurat në të tilla raste. Pasi kanë marrë informacionin e duhur, tashmë pritet të bëjnë një kërkesë zyrtare, në mënyrë që çështjet e tyre të kalojnë për shqyrtim Disiplinë”, - tregojnë në institucionin e futbollit. Ndërkohë, edhe vetë shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, e konfirmoi këtë lajm. “Gjithsesi, çështja është ende në kuadrin e fjalëve, sepse lojtarët duhet të bëjnë një kërkesë zyrtare në FSHF, pastaj kjo do të kalojë në komisionet juridike”, - tha Shulku, i cili nuk e mohoi se ekziston një çështje e tillë, në një kohë që lojtarët janë gati të bëjnë kërkesat zyrtare.         J.MEMO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›