Rama: Qeveria në rrugë qorre, ndëshkojeni me votë
Kreu i socialistëve ishte prezent dje në mbylljen e fushatës elektorale në qytetin e Elbasanit dhe atë të Durrësit, ku mbështeti Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon
Rruga qorre e kusarisë e matrapazllëkut dhe e shitblerjes së vet personalitetit njerëzor, gjë që Elbasani nuk mund ta pranojë dhe do ta refuzojë, duke refuzuar Saliun e Tiranës dhe Saliun e Elbasanit. Kështu u shpreh dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës të fushatës në qytetin e Elbasanit. Në vlerësimin e tij, Qazim Sejdini i ka kuruar plagët Elbasanit me kujdes, me durim, me dashuri dhe e ka bërë këtë si një qytetar nderi i këtij qyteti. Rama këmbënguli se vota juaj, vota e secilit prej jush më 8 maj është fuqia e të ardhmes që ju dëgjuat në gjithë sa tha kryetari i sotëm dhe i nesërm i Bashkisë së Elbasanit. “Nga ana tjetër, në rrugën qorre të harbutllëkut dhe të injorancës, ata nuk janë në gjendje të na tregojnë një qytet, një të vetëm, ku kanë qeverisur dhe ku ne të mund të shohim një model të suksesshëm zhvillimi. Ku ne të mund të shohim një rrugë, e cila të jetë e projektuar si një rrugë me perspektivë të hapur për të gjithë qytetarët, pa dallim, për të gjithë ata që i jetojnë sot territoret tona të banuara”, u shpreh Rama. Nuk mund të na tregojnë dot, vijoi ai, një komunë të vetme ku ne të mund të shohim sesi mund të krahasohet modeli ynë i suksesit me modelin e tyre të shpenzimeve dhe të shpërdorimeve, të cilat sjellin një zhvillim me pasojë të tmerrshme degraduese për mjedisin natyror, për mjedisin social, për mjedisin urban, për mjedisin ekonomik. Vota juaj në 8 maj ka një vlerë të jashtëzakonshme, tha Rama, ndaj mos e harroni asnjëherë se vota është fuqia magjike e demokracisë, është fuqia që demokracia i jep çdo njeriu të zakonshëm, deri në fshatin më të largët, që ta gjykojë dhe ta ndëshkojë qeverinë. “Në 8 maj ju keni një votë për t’i thënë Saliut ‘Kurrë më!’ dhe për të garantuar ecjen përpara me ritme edhe më të larta në të vetmen rrugë. Në rrugën që Qazim Sejdini ka hapur për Elbasanin. Në rrugën që kandidatët e Aleancës për të Ardhmen kanë hapur kudo ku qeverisin. Në rrugën që ne të gjithë do të hapim së bashku për të gjithë Shqipërinë evropiane”, u shpreh Rama. Kreu i opozitës tha se është i angazhuar solemnisht që t’i heqë të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël dhe të garantojë një liri të paprekshme për çdo sipërmarrës të këtij vendi. Në orët e darkës kryesocialisti Edi Rama kërkoi nga qyteti i Durrësit, t’i jepet votëbesimi kryebashkiakut aktual Vangjush Dako edhe më 8 Maj, si e vetmja alternativë për zhvillimin e qytetit bregdetar. “Dera e hapur e Bashkisë së Durrësit është dera e asaj qytetarie që kemi vënë në themel të qeverisjes sonë, që na ndan nga rruga tjetër e cila hajdutërinë e ka vendosur në qendër. Unë vij sot i mbushur me krenari për zgjedhjen që kemi bërë 4 vite më parë”, u shpreh Rama. Sipas tij, durrsakët nuk mund të votojnë kandidatin e Saliut që i fyen ata me gënjeshtra, e bën gafa të tilla, siç është ajo e përmirësimit të cilësisë së diellit siç tha Rama. “Gënjeshtra e Xhaferraj është fyerje për Durrësin. Si mund ta pranohet kandidati i Saliut që nga njëra anë gënjen për varrin e Ismail Qemalit, sepse nuk mjafton fakti që nuk e di ku e ka varrin, po i thotë qytetarëve se si ministër kulture po bën negociata për të sjellë eshtrat e tij këtu. Kjo është fyerje për inteligjencën e këtij vendi. Çfarë mund të presësh nga një kandidat që thotë, unë do përmirësoj cilësinë e diellit? Prandaj më 8 Maj lëreni Ferdin të ngrohet në diell dhe investoni për Dakon”, theksoi Rama, ndërsa insistoi se ata që kërkojnë votën të kenë minimalisht respekt për historinë.