Kundërspiunazhi britanik në alarm, dyshohen 20 agjentë rusë “të fjetur”
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara u arrestuan dhjetë spiunë rusë të gjurmuar prej më se dhjetë vitesh, një prej të cilëve është bukuroshja Anna Chapman, që ka jetuar pesë vjet në Britani, Londra ka nisur të shqyrtojë detajet për të kuptuar se sa thellë është futur “Shtëpia ruse” e KGB-së brenda strukturës së saj. Kundërspiunazhi britanik, MI5, është vënë në ndjekje të njëzet nënshtetasve rusë, që janë transferuar në Angli duke kryer punë në pamje të parë ligjore, por që në fshehtësi po punojnë si agjentë sekretë “të fjetur” për spiunazhin e Moskës, duke mbledhur informacione, kontakte, duke organizuar një rrjet bashkëpunëtorësh, gati të hyjnë në veprim për detyra më të rrezikshme, nëse nga Rusia vjen urdhri për “zgjim”. Sipas detajeve të publikuara nga britanikja “Sunday Times”, MI5 po verifikon të gjitha kontaktet e njohjet e bëra nga Chapman gjatë viteve që ajo ka qëndruar në Londër, përpara dhe gjatë martesës, të përfunduar me një divorc të prerë. Mes tyre mund të jenë bankierë të rëndësishëm të “City”-t dhe një anëtar i Dhomës së Lordëve, që është avokat në zë në Britani. “Nuk ka asgjë për t’u çuditur e për të qeshur”, thotë Boris Berezovskij, oligarku rus që jeton prej vitesh në azil politik në Londër dhe që ka mbuluar detyra të rëndësishme gjatë presidencës së Boris Jelcin. “KGB ka përdorur gjithnjë këto metoda. Rrjeti i agjentëve të ‘fjetur’ ka rëndësi të madhe për të ndërmarrë informacione shumë më të sofistikuara. Besoj se prej tyre ka me shumicë në SHBA dhe Britani”, tha ai për “Sky news”. Sipas “Sunday Times”, të paktën gjysma e diplomatëve të ambasadës ruse në Londër janë në të vërtetë agjentë të shërbimit sekret rus.