Radarë në autostrada, gjobat dërgohen me foto në banesë
Etleva Delia
Filloi dje nga puna Njësia e Kontrollit të Autostradave, një strukturë e re e Policisë së Shtetit, e cila do të mbikëqyr përmes radarëve trafikun rrugor në autostrada dhe superstradat e vendit. Pa qenë e nevojshme që policia të ndalojë drejtuesit e mjeteve, rrugorët do të marrin informacion në kohë reale për ata që tejkalojnë shpejtësinë, për shoferët që hyjnë kundravajtje dhe shumë shkelje të tjera, përmes radarëve. Sistemi i ri do të mundësojë fotografimin e mjetit në momentin që kryen shkeljen, si dhe kontrollin e menjëhershëm përmes targave, nëse makina ka gjoba të prapambetura apo nëse është e vjedhur. Radarët arrijnë të fiksojnë brenda një minute shkeljet e kryera nga gjashtë automjetit edhe nëse kundravajtjet ndodhin njëherësh. Njësia e Kontrollit të Autostradave, u përurua dje nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili është njohur nga afër me mënyrën si operon kjo strukturë. Dje është vënë në funksion sistemi “Scout”, një program modern i integruar që mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin online të informacionit në sallën e komandimit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë inspektimit në zyrat e Kontrollit të Autostradave në Laprakë të Tiranës, është informuar nga drejtuesi i Njësisë, Krenar Ahmeti, për mënyrën se si funksionojnë këto aparatura dhe si do të procedohet me ata drejtues që shkelin rregullat e qarkullimit. Radarët e vendosur në rrugë fotografojnë drejtuesin dhe automjetin e tij në momentin që kryen shkeljen. Imazhi filmik dhe fotografik përcillet në kohë reale tek kompjuterët qendrorë në zyrat e kontrollit të policisë.
FUNKSIONET E SISTEMIT
Sistemi i kontrollit kryen në mënyrë automatike identifikimin e shkelësit dhe dokumentimin e gjobës, sipas Kodit Rrugor. Gjoba e vendosur për shkeljen e kryer, së bashku me foton postohen në adresën e personit, në emër të të cilit është i regjistruar automjeti, i zënë “mat” nga radarët. Salla e kontrollit mund të verifikojë nga pamjet on-line që sjell radari, edhe nëse një automjet ka gjoba të pashlyera. Qendra e Kontrollit verifikon përmes targës, edhe nëse automjeti është i vjedhur. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje se struktura e re e policisë, e cila bën pjesë në një strategji të Policisë së Shtetit për të dhënë kontributin e saj në uljen e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugët e Shqipërisë, do të japë efektet e duhura duke zvogëluar aksidentet. Sipas ministrit, Njësia e Kontrollit të Autostradave do të ndikojë duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve, përgjegjshmërinë e tyre për sjelljen në rrugë, dhe duke përmirësuar statistikat lidhur me humbjen e jetëve apo plagosjen e tyre në rastet e aksidenteve rrugore.