E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Tare heq kostumin e zyrtarit, mesfushor… për të mashtruar Murinjon

Superkupa e Italisë, që të shtunën në Pekin do të vendosë Lacion përballë Interit, ka nxitur sfidën e spiunëve ndërmjet dy skuadrave. Por, ajo ka shërbyer për të kthyer edhe Igli Taren në versionin "futbollist". 36-vjeçari i kishte dhënë lamtumirën sportit më popullor në botë gjatë verës së vitit 2008, kur la "profesionin" e sulmuesit për t‘u emëruar drejtues klubi te lacialët. Megjithatë, përpara ndeshjes, ish-kapiteni i Kombëtares ka hequr kostumin dhe ka marrë pjesë në lojën e kontrollit të bardhekaltërve, përpara sfidës së vlefshme për trofeun e parë sezonal. Kjo, për shkak se Hoze Murinjo, i cili njihet si një trajner që i pëlqen të vëzhgojë ekipet kundërshtare, për të kuptuar më shumë rreth taktikave të lojës, tentoi të "spiunonte" të besuarit e Balardinit. Tentativa e luzitanit për të studiuar "live", me sytë e tij apo të bashkëpunëtorëve, dështoi. Trajneri i Lacios, i informuar për prezencën e vëzhguesve, përzjeu skuadrën, duke mos lënë të kuptohej asgjë rreth formacionit titullar. Ndërkohë që drejtori sportiv, Igli Tare, "harroi" për një moment detyrën si drejtues dhe u aktivizua në rolin e mesfushorit. Pozicioni në të cilin ish-sulmuesi shqiptar nuk ka luajtur as kur ishte aktiv në futboll, tregon më së miri se fituesit e Kupës së Italisë kanë "fshehur" çdo gjurmë të skuadrës që do të sfidojë zikaltrit. Tekniku Balardini pritet të përdorë skemën 4-3-1-2 me Zaraten dhe Rokin në sulm, por për t‘u mbrojtur nga "spiunët" e Murinjos ai ka urdhëruar që stërvitja e Lacios të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në këtë mënyrë ka përfunduar edhe rikthimi i Tares në fushat e lojës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›