E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetot, si "karton i verdhë" për Maqedoninë

Filozofia politike e përkeqësimit permanent të marrëdhënieve ndërfqinjësore të Maqedonisë me fqinjët, po vazhdon edhe më tej të kultivohet nga kreu i ekzekutivit maqedonas, Nikolla Gruevski. Pas ftohjes së skajshme të marrëdhënieve me Greqinë, si rezultat i kontestit rreth emrit kushtetues të Maqedonisë, një veto tjetër për anëtarësim në strukturat e Bashkimit Europian (BE), qeverisë "Gruevski" i arriti edhe nga Sofja zyrtare. Edhe ky hap i fqinjit lindor të Maqedonisë, ishte refleks i sjelljes megallomane e diletanteske të autoriteteve maqedonase ndaj fqinjëve, në rastin konkret ndaj qytetarëve bullgarë. Sjellje të tilla të pamatura, Maqedonia shpalosi kohë më parë edhe në raport me Kosovën, me rastin e pritjes së Presidentit kosovar, si dhe me Shqipërinë, me aplikimin e vizave në mënyrë selektive.

Është për t‘u habitur se vetoja dhe sidomos sjellja e pandryshuar e Kryeministrit Gruevski, vijnë të "paketuara" pikërisht në momentin kur faktori politik shqiptar po "ushtron" njëfarë presioni te politikëbërësi kryesor i Maqedonisë, Gruevski, me qëllim që udhëtimi i Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike të dinamizohet dhe Maqedonia, sa më shpejt, të integrohet në këto mekanizma të fuqishëm ndërkombëtarë. E, në vend që kreu i ekzekutivit të mendojë mirë dhe thellë për gjërat e tilla, me qëllim që të gjendet një formulë më e përshtatshme dhe e kapshme për shtetet fqinje (të cilat po kërcënohen seriozisht), Gruevski po vazhdon avazin e vjetër të inferioritetit, gjegjësisht të politikës së tij mospërfillëse.

Këto veprime të Gruevskit do t‘i sjellin pasoja të pariparueshme Maqedonisë për interesat e shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi. Ai është i vetëdijshëm se shqiptarët (por edhe një pjesë tjetër e madhe e qytetarëve) me përqindje të madhe absolute, janë të përcaktuar "pro" integrimit të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Me fjalë tjera, do të thotë se Gruevski jo që nuk përfill shtetet fqinje, në kontekst të vendosjes së marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, por ai, me po të njëjtin qëndrim mospërfillës e inferior, sillet edhe ndaj një pjese të qytetarëve të Maqedonisë. Dhe, për çudi, rejtingu i tij vazhdon të jetë pothuajse i njëjti: i lartë dhe konstant. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e anketave të ndryshme. Një rejting të tillë, të lartë e konstant, e kishte për disa vite me radhë edhe diktatori serb Sllobodan Millosheviç, por faktet tregojnë se politika e tij e çoi Serbinë drejt humnerës dhe krizës së thellë, nga e cila ende s‘po mundet të dalë.

Pasojat nga politika të tilla do t‘i ndiejnë qytetarët e Maqedonisë, pa dallim. Maqedonia, dalëngadalë, por e sigurt, po krijon imazhin e futbollistit të papërmirësueshëm, i cili nga arbitri vazhdimisht sanksionohet me "kartonë të verdhë", gjegjësisht veto. Dhe, nëse vazhdohet me këtë filozofi politike, duhet kujtuar se pas "kartonit të verdhë", vjen "i kuqi", i cili heq të drejtën për të luajtur në ndeshjen e radhës, që për Maqedoninë ka kuptimin e BE-së dhe NATO-s. E mungesa e Maqedonisë në "lojën e radhës" me BE-në dhe NATO-n ka kuptimin e "përmbylljes së karrierës", që do të thotë krijimin e pikëpyetjes së madhe për Maqedoninë në kuptimin e ekzistencës së saj. Këta skenarë të errët nuk i përjashtojnë as njohësit e mirë të rrjedhave të këtushme politike.

Në këtë kuadër, duhet parë dhe pranuar ideja për ndryshimin e kufijve, që doli nga faktorë me ndikim të politikës botërore. Dhe, përderisa të gjitha këto sinjale negative, larg në horizont i vërejnë faktorët me relevancë dhe sidomos politikanët, është pikërisht Gruevski ai që sillet sikur gjithçka është në rregull dhe se Maqedonia nuk ndikohet nga rrjedhat e përgjithshme rajonale apo fqinjësore. Parë nga këndvështrimi pragmatik dhe praktik, ky është një absurd dhe paradoks më vete. Përcaktimi i tillë politik i Kryeministrit të shtyn të dyshosh: ose Gruevski është politikani më i mençur në rajon (këtë asnjëherë nuk e ka dëshmuar), ose ai po luan skenarë, të cilët gjithsesi Maqedonisë nuk i garantojnë ardhmëri të sigurt e as perspektivë. Vetëm shkurtpamësit dhe të marrët mund ta mendojnë variantin e parë, kurse varianti i dytë është shumë më i afërt, nëse Gruevski do të vazhdojë me politikën "izolacioniste" dhe të përkeqësimit të raporteve me shtetet fqinje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›