Lorik Cana: I kënaqur nga 90 minutat e para
Pas aktivizimit të parë 90-minutësh në këtë sezon, në miqësoren që Sandërlendi fitoi 2-0 me Peterbroun, Lorik Cana është shprehur i kënaqur me paraqitjen e tij. Loja e tij ka entuziazmuar edhe stafin teknik dhe tifozët, ndërsa 26-vjeçari deklaroi: "Ishte hera e parë në këtë fillimsezoni që luaja 90 minuta dhe mund të them se u paraqita mirë. Miqësoret në këtë periudhë janë mjaft të rëndësishme, shpresoj të luaj gjatë gjithë takimit edhe të shtunën kundër Harts. Më pas do të jem gati për sezonin e ri në Premierligë". Mesfushori kuqezi nuk harroi të falënderonte tifozët për mbështetjen gjatë sfidave me Sëlltik dhe Peterbrou. "Dëshiroj t‘u jap këtyre tifozëve të mrekullueshëm atë që presin prej meje. Loja ime do të përmirësohet edhe më shumë, pasi nuk jam ende në formën optimale". Me 12 milionë eurot e shpenzuara për blerjen e Bent, Cana nuk është më lojtari më i shtrenjtë i "maceve të zeza": "Jam i lumtur që skuadra vazhdon të përforcohet. Kjo është diçka pozitive për Sandërlendin".