Igli Tare, i papërmbajtshëm në merkaton verore të Lacios
Pas një viti në postin e drejtorit sportiv, Igli Tare po shpalos aftësitë e tij menaxhuese te Lacio. Në prag të startit të sezonit 2010-2011 në Serinë A, shqiptari ka realizuar dy blerje mjaft me peshë. Në harkun e pak orëve, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare arriti t’i siguronte skuadrës italiane shërbimet e brazilianit, Anderson Hernanes de Karvajo Andrade Lima dhe mbrojtësin spanjoll, Havier Garrido. Pas qëndrimit disaditor në Brazil, Tare arriti të siguronte firmën e Hernanes, duke e blerë mesfushorin e talentuar nga San Paolo. Në anën tjetër, mbrojtësi Garrido u ble nga anglezët e Mançester Sitit. Por Tare dhe presidenti i Lacios, Lotito, nuk janë kënaqur me kaq. Tashmë, drejtori sportiv po kërkon të afrojë në klubin e kryeqytetit italian edhe Kevin Prins Boateng, i cili dukej fare pranë kalimit te Milani. Tare pritet të udhëtojë drejt Anglisë për të mbyllur negociatat me drejtuesit e Portsmuth, ndërsa Boateng do t’u kushtojë bardhekaltërve rreth 6.5 milionë euro.
#