Elvin Beqiri e nis me gol sezonin e ri në Azerbajxhan
Elvin Beqiri e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik me Khazar Lenkoran. Mbrojtësi shkodran jo vetëm që është aktivizuar si titullar në ndeshjen e parë të Premierligës azerbajxhanase, por ai ka qenë vendimtar për skuadrën e drejtuar nga trajneri rumun Mirkea Redniç. 29-vjeçari shqiptar ka realizuar golin e fitores 1-0 të vendasve në “Lankaran City Stadium” përballë Kabalasë së drejtuar nga Toni Adams, ish-kapiteni i përfaqësueses angleze. Pas tentativave të shumta të Khazar Lenkoran, ka ardhur minuta e 77 e ndeshjes, kur Beqiri doli në ndihmë të sulmit dhe e dërgoi topin në rrjetë. Fakti që po luan si titullar në skuadrën që ndryshe njihet si “çelsi kaukazian” (për shkak të financave të jashtëzakonshme të klubit) dhe që arriti të ishte vendimtar, konfirmojnë formën e mirë të mbrojtësit, i cili vazhdon të presë një ftesë për t’u rikthyer në Kombëtaren shqiptare. Në elitën e futbollit Azer, sot në fushën e lojës do të zbresin edhe Admir Teli dhe Ansi Agolli, ndërsa skuadra e tyre Karabak luan në fushën e Neftçi.
#