E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Tare merr post drejtues në ekipin e Lacios

Igli Tare i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur në fushë, ndonëse ai do të vazhdojë të jetë protagonist në këtë sport edhe në të ardhmen. 

Jetmir Halilaj

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka bërë të ditur dje nëpërmjet një konference për shtyp se është tërhequr nga futbolli i luajtur dhe se në të ardhmen do të jetë pjesë stafit drejtues të Lacios. “Doja të jepja një lajm që personalisht për mua nuk është shumë i mirë, sepse sot (dje) do të jap dorëheqjen zyrtare nga futbolli i luajtur. Dua të falënderoj në radhë të parë babanë tim dhe dy trajnerët që më kanë ndihmuar në ecurinë dhe formimin tim, Musa Fagun dhe Pëllumb Shaqirin me të cilët pata mundësinë për të mësuar abc-në e futbollit”, ka thënë Igli Tare. Sulmuesi, i cili është padyshim një ndër futbollistët shqiptarë më të suksesshëm dhe më të njohur në arenën ndërkombëtare, në të ardhmen do të punojë si koordinator te klubi i Lacios dhe do të ketë rolin e ndërlidhësit mes klubit dhe skuadrës. Ky pozicion është thuajse i njëjtë me atë të drejtorit teknik të një skuadre.
Kërkesa
Tare ka sqaruar edhe arsyet e këtij vendimi, duke thënë se një nga motivet ishte kërkesa e Lacios. “Drejtuesit e Lacios më ofruan rinovim të kontratës edhe për dy vjet të tjera, por me kusht që unë të hiqja dorë nga nënshtetësia shqiptare dhe të merrja nënshtetësinë gjermane (bashkëshortja e tij është gjermane), me qëllim që unë të mos konsiderohesha një futbollist ekstrakomunitar dhe të liroheshin vende për blerje të reja. Nëse unë merrja nënshtetësinë gjermane, duhej të hiqja dorë nga pasaporta shqiptare dhe në fakt një gjë të tillë nuk e dëshiroja. Më pas krerët e Lacios më bënë edhe ofertën për të qenë pjesë e bordit drejtues dhe të them të drejtën kjo m’u duk tepër joshëse. Unë mund të luaja edhe për dy ose tre vjet të tjera në nivele të larta, por pasi reflektova gjatë, vendosa të bëj këtë zgjedhje. Ndihem krenar për vlerësimin që më ka bërë klubi i Lacios, pasi detyra ime e re është me shumë përgjegjësi”, ka thënë biondi.
Raportet
Marrëdhëniet e Tares me trajnerin aktual të skuadrës, Delio Rosi nuk kanë qenë ndër më të mirat dhe vetë sulmuesi e ka pohuar këtë gjë. Megjithatë ai është ndjerë mjaft mirë kur tekniku i Lacios i ka telefonuar dje dhe e ka përgëzuar për detyrën e re. “Detyra ime është që të jap maksimumin te Lacio dhe të ndihmoj në krijimin e një harmonie në grupin me të cilin do të punoj. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar njëkohësisht që emërimi im në këtë post drejtues ishte pritur shumë mirë si nga lojtarët e skuadrës, ashtu edhe nga krerët më të lartë të klubit. Unë e njoh shumë mirë këtë post, por nga distanca, dhe më duhet një periudhë kohe deri sa të futem në brendësi të tij. Megjithatë kjo është një sfidë që e pranoj me shumë kënaqësi, ashtu sikurse kam bërë edhe herë të tjera në jetë”, ka thënë 34-vjeçari. Është hera e parë që një futbollist shqiptar arrin të emërohet në një post drejtues të rëndësishëm në një klub të Serisë A. “Për mua është shumë e dhimbshme që pas 23 vjetëve si futbollist, tani të mendoj se nuk do të jem më në fusha. Megjithatë gjërat funksionojnë në bazë të një cikli dhe unë mendoj se ky ishte momenti i duhur për të bërë një zgjedhje të tillë”, ka thënë sulmuesi. “Futbollin shqiptar do ta ndjek me kujdes dhe nëse do të ketë talente shqiptarë që do të jenë të vlefshëm për klubin do t’i ndihmoj me shumë kënaqësi”, ka thënë ish-kapiteni.

Lotito: Zgjodha Taren se flet 5 gjuhë të huaja

Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito ka thënë se është i kënaqur që Igli Tare ka pranuar ofertën për të qenë pjesë drejtuese e klubit dhe se ka shumë besim te shqiptari. “Sezonin e kaluar lindi nevoja për të pasur një figurë ndërlidhëse mes klubit dhe skuadrës, por ende nuk kisha arritur të gjeja personin e duhur. Këtë ofertë ia bëra edhe Perucit, por ai nuk e pranoi. Ua bëra ofertën edhe disa ish-lojtarëve të tjerë të Lacios, por ata m’u përgjigjën se nuk ishin të përgatitur aq sa duhet psikologjikisht për të bërë një detyrë të tillë, – ka thënë numri 1 i Lacios për mediat italiane. – Isha unë ai që propozova Igli Taren dhe e bëra këta për disa arsye. Ai është një njeri që ka njohje të mëdha në arenën ndërkombëtare, flet pesë gjuhë të huaja dhe është një personazh shumë karizmatik në vendin e tij. Këto janë cilësi të një personi me aftësi shumë të mira komunikuese dhe gjithashtu mund t’ju them se Tare ka një karakter shumë të fortë. Ai është një njeri shumë korrekt dhe do të jetë përfaqësuesi i klubit tonë në skuadër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›