E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherret shqiptare që gllabërojnë familjet në izolim

Shkodër - Kristian Luli, një djalosh 17-vjeçar me një të folur të butë, i ka kaluar 10 vitet e fundit të jetës i mbyllur në shtëpinë e vogël spartane të familjes së tij, me frikën se do të qëllohet për vdekje nëse del tek porta. Për të kaluar kohën ai luan video game dhe pikturon shtëpi. 

Dan Bilevsky/ The New York Times

Për shkak se nuk ka qenë në gjendje të ndjekë shkollën(i ngujuar), niveli i leximit të Kristianit është ai i një 12-vjeçari. Të ketë një të dashur është plotësisht e pakonceptueshme. Atij do t’i pëlqente të bëhej arkitekt, por e dëshpëron e ardhmja e mbyllur brenda, duke u rrotulluar rreth katër mureve. “Kështu po kalon jeta ime. Nuk kam parë asgjë tjetër që kur kam qenë i vogël”, thotë Kristiani, duke vështruar dhimbshëm, nëpërmjet një dritareje, botën e jashtme të ndaluar për të. “Ëndërroj për lirinë dhe për të shkuar në shkollë. Nëse nuk do të isha kaq i trembur, do të dilja jashtë. Të jetosh në këtë mënyrë është më keq sesa të jesh i burgosur”. Fati i keq i Kristianit ishte se lindi djalë i një babai, që kishte vrarë një burrë në këtë zonë të varfër të Shqipërisë së Veriut, ku riti i lashtë i marrjes së gjakut ndikon ende. Sipas Kanunit, një kod shqiptar i sjelljes, i cili ka kaluar gjatë 500 viteve të fundit, “gjaku duhet të paguhet me gjak”, me autorizimin e një anëtari të familjes së viktimës të shpaguajë një vrasje, duke vrarë çdonjërin prej të afërmve meshkuj të vrasësit. Ndikimi i kanunit po venitet, por ai ka shërbyer si një Kushtetutë e këtij vendi për shekuj, me rregulla që drejtonin një sërë çështjesh përfshirë pronësinë e tokave, martesën dhe vrasjen. Komiteti Kombëtar i Pajtimit, një organizatë jopërfituese shqiptare që punon për eliminimin e praktikës së gjakmarrjes, vlerëson se 20 000 njerëz janë ngujuar nga gjakmarrja që nga rënia e komunizmit në vitin 1991, me 9 500 njerëz të vrarë dhe rreth një mijë fëmijë të privuar nga shkolla, pasi janë kyçur brenda. Sipas traditës, çdo mashkull i aftë për të përdorur një pushkë është një shënjestër e drejtë për gjakmarrje, duke bërë kështu që 17 meshkuj të familjes së Kristianit të jenë në ankth. Edhe ata janë ngujuar në shtëpitë e tyre. Frenimi i vetëm është se kufijtë e shtëpisë së familjes nuk duhet të shkelen. Edhe gratë dhe fëmijët kanë imunitet, përveç disave, si Kristiani, që janë maturuar fizikisht në moshë të re, që nisin burgosjen e tyre që fëmijë. Anëtarët e familjes së viktimave zakonisht janë gjakmarrësit, edhe pse disa familje preferojnë angazhimin e vrasësve me pagesë. Gjakmarrjet kanë qenë dominuese edhe në shoqëri të tjera, si hakmarrje të mafies në Italinë Jugore dhe dhuna e shpaguar ndërmjet familjeve suite dhe shihite në Irak. Kontrabandistët alkoolikë në Apalashe në shekullin e 19-të, po ashtu kanë ngritur armët për të mbrojtur nderin e familjeve të tyre. Por fenomeni është cilësuar i veçantë në Shqipëri, një vend dëshpërimisht i varfër, që po lufton për të mbështetur ligjet dhe rregullat pas dekadash të tëra të diktaturës staliniste. Gjakmarrjet janë zhdukur këtu gjatë regjimit mbi 40-vjeçar të Enver Hoxhës, diktatori komunist shqiptar, i cili e vlerësoi si të jashtëligjshme këtë praktikë, ndonjëherë duke varrosur të gjallë ata që nuk i bindeshin, në një arkivol me viktimat e tyre. Por, ekspertët ligjorë në Shqipëri vlerësojnë se gjakmarrjet shpërthyen përsëri pas rënies së komunizmit, në një periudhë pa ligje. Rreth një mijë meshkuj në gjak kanë dalë jashtë vendit, disa prej tyre kanë kërkuar azil. Por edhe kështu, dhjetëra njerëz janë vrarë jashtë Shqipërisë nga familjet e gjakësve të tyre. Ismet Elezi, një profesor i kriminalistikës në Universitetin e Tiranës, i cili këshillon policinë dhe qeverinë se si ta luftojnë këtë problem, tha se ndryshimet e fundit në kodin penal shqiptar, përfshirë edhe dënimet me 25 vjet burg për ata që vrasin për gjakmarrje dhe individë, që kundërpërgjigjen vetë për shkeljet, kanë ndihmuar të ulet ky fenomen. Por ende duket se disa besojnë më shumë në Kanun sesa në sistemin e drejtësisë, duke sjellë shpesh pasoja sociale shkatërruese. “Brezi i ri nuk i shikon më kodet e sjelljes së brezave të vjetër”, tha ai. “Por gjakmarrjet ende po shkaktojnë mjerim, pasi një burrë i ngujuar nuk mund të punojë, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë dhe e gjithë familja është e shkëputur nga bota e jashtme”. Aleksandër Kola, një ndërmjetës që punon për të zgjidhur gjakmarrjet, tha se shkaku më i zakonshëm i hyrjes në gjak ishin grindjet për pronat dhe tokën. Ai theksoi se armiqësitë mund të lindnin edhe nga përballje dhe debate të vogla në dukje. Ai kujtoi një rast të fundit në të cilin 12 meshkuj u detyruan të mbylleshin në shtëpi, pasi një mashkull i familjes vrau një shitës, i cili refuzoi t’i shiste djalit të tij një kaush akulloreje. Në një rast tjetër, një armiqësi shpërtheu kur një dele kulloti në tokën e fqinjit, duke u pasuar me një sherr vdekjeprurës.
Sociologët këtu thanë se armiqësitë kanë kthyer përmbys rolet tradicionale gjinore në Shqipërinë rurale, ndërsa gratë janë bërë ato që fitojnë bukën e familjes, ndërsa meshkujt janë të detyruar të rrinë mbyllur dhe të bëjnë punët e shtëpisë. Nëna e Kristianit, Vitoria, 37 vjeçe, tha se i kishte dhënë urdhër të birit të mos dilte më nga shtëpia që kur ishte 7 vjeç, pasi bashkëshorti i saj dhe i vëllai kishin vrarë një burrë në fshat gjatë një sherri pijeje. Ajo tha se djali tjetër i tyre, Klingsman, 7 vjeç, shkonte në shkollë, por shumë shpejt do të ishte i detyruar t’i bashkohej mënyrës së jetës të vëllait të tij. Bashkëshorti i saj dhe kunati po vuajnë dënimin prej 20 vitesh burg për vrasje. “Jetoj me frikën dhe ankthin se Kristiani do të vritet, se ata po gjuajnë fëmijët e mi”, tha zonja Luli, e cila mbështetet në bamirësinë që mbështesin atë, dy djemtë dhe dy vajzat e saj. “Vetëm shpresoj se familja tjetër të vrasë dikë në familjen tonë që ky makth të marrë fund”, shprehet ajo, ndërsa shtoi se kishte dërguar një ndërmjetës për të kërkuar falje te familja tjetër, por nuk kishte bërë dobi. Familja e viktimës, Simon Vuka, nuk pranon të komentojë. Por z. Kola, i cili ndërmjetëson në këtë rast, tha se familja nuk ishte e përgatitur për të falur gjakun, pasi viktima kishte dy djem të vegjël që tani kanë mbetur pa baba. “Shumë familje të viktimave, besojnë se ngujimi i të gjithë meshkujve të familjes në gjak brenda shtëpive të tyre është një hakmarrje më e mirë se t’i vrasin ata”. Z. Kola, një ish-mësues fizkulture që ka studiuar zgjidhje konflikti në Norvegji, tha se ai është përpjekur të pajtojë gjakrat duke identifikuar miq apo të afërm me influencë të viktimave, të cilët mund ta lusnin familjen të falte dhe harronte. Ai tha se kërkesa për falje shpesh shoqërohej me një ofertë monedhash floriri apo dhurata të tjera nga familja e vrasësit. “Unë u them familjeve të viktimave se falja është më e rëndësishme se hakmarrja”, tha ai. Kristiani, i hollë e stoik me një pjekuri përtej viteve të tij, tha se fajësonte të atin, xhaxhain e tij dhe kodin e sjelljes jashtë kohe se i kishin shkatërruar jetën. Ai tha se nuk ishte e drejtë të dënohej ai për fajet e të afërmve të tij.
Kontakti i tij i vetëm me botën jashtë është kur një grup murgeshash, që bëjnë bamirësi në komunitet formojnë një rreth mbrojtës përreth dhe e hipin atë shpejt në makinë për një udhëtim 30-minutash në një qendër tjetër komuniteti. Ai tha se, fantazonte për t’u arratisur nga Shqipëria, por familja e tij ishte shumë e varfër për ta dërguar jashtë vendit. Ai mund të armatosej dhe të ikte, por kishte frikë se rrezikonte jetën. “Kanuni është plot me rregulla idiote për një kohë tjetër”, tha ai, “është totalisht i padrejtë dhe pa kuptim”. Gjakmarrja ka prekur të rinjtë, por edhe anëtarët e moshuar të popullsisë shqiptare, shumë prej të cilëve nuk marrin kujdesin e duhur mjekësor, pasi nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre. Sherif Kurtaj, 62 vjeç, është detyruar të jetojë me një tumor të pa kuruar dhe dhëmbë të prishura, pasi është ngujuar brenda shtëpisë së tij prej tetë vitesh, që kur dy djemtë e tij vranë një fqinj, i cili i kishte tallur ata, pasi kishte dëgjuar planet e tyre për të emigruar në Gjermani. Ai tha se, kishte nevojë për një operacion, por kishte frikë se nëse shkonte në spital, do të vdiste nga plumbi i gjakësit. Kurtaj tha se, dy djemtë e tij, të dy të dënuar me nga 16 vjet burg, kanë qenë në arratisje që nga vrasja. Por edhe nëse ata do të ktheheshin, ankohet ai, do të duhej që të qëndronte përsëri i mbyllur brenda. Ai tha se miqtë e tij kishin frikë t’i shkonin për vizitë se mos qëlloheshin aksidentalisht në vend të tij. Ai tha se, gjaku e kishte bërë komplet të varur nga e shoqja. “Jam një burrë kanuni, isha rritur për të qenë burri i shtëpisë. Por tani ime shoqe është gjithçka për mua”. Kurtaj mund të denonconte familjen e viktimës se e kanë kërcënuar me vdekje; një akuzë e tillë dënon deri në tre vjet burg. Por z. Kurtaj tha se kishte frikë se kjo do të sillte vetëm një masë ndëshkimore. “Kanuni duhet të zbatohet”, tha ai. “Gjaku duhet të merret”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›