E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në bregdet, 3 në pranga

Hetimet e nisura prej 4 muajsh për abuzime me pronat në bregdet çojnë në pranga 3 zyrtarë në Vlorë. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Ish-kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Panozaqi, ish-juristi Sokol Kuçaj dhe topografi Fatmir Xhena, akuzohen për shpërdorim detyre. Tokat me të cilat është abuzuar ndodhen pikërisht në zonat bregdetare të Orikumit, Vlorës apo Himarës. Arrestimi i tyre është kryer nga sektori i antikrimit ekonomik në Policinë e Vlorës dhe atë të Shtetit, në kuadër të operacionit “Pronësi me Drejtësi”. Mësohet se Panozaqi, kunat i zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone, është aktualisht sekretari i PD-së së Vlorës. Ndaj tij dhe dy personave të tjerë u firmos dje urdhri i arrestit me burg nga Gjykata e Vlorës, pas kërkesës së Prokurorisë së rrethit, e cila hapi dosjen e pronave që në prill të këtij viti. Hetimet nisën mbi bazën e kallëzimeve të disa shtetasve për abuzime me pronat e tyre në zonën Vlorë-Orikum. Akuzat e tyre se pronat u ishin tjetërsuar nga personat që punonin në AKKP, çoi grupin hetimor te kreu i agjencisë, 47-vjeçari Panozaqi dhe dy specialistët e saj. Sipas policisë, të ndaluarit kanë ushtruar këto funksione nga tetori i vitit 2006 deri në mars të vitit 2008, periudhë në të cilën janë kryer abuzimet. Sapo është firmosur vendimi i arrestit, policia e Vlorës ka ndërhyrë, duke bërë arrestimin e ish-nëpunësve në orët e pasdites. Nga burime zyrtare konfirmohet se pas nisjes së procedimit penal në organin e akuzës, ka rezultuar se është abuzuar në tre vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave. “Subjekteve të shpronësuara u janë kthyer sipërfaqe trualli në mënyrë të jashtëligjshme, duke u ndryshuar sipërfaqet e trojeve. Këta punonjës kanë zhvendosur vendndodhjen e pronave në mungesë të dokumentacioneve ligjore, që vërteton pronësinë në bazë të ligjit të kthim-kompensimit të pronave. Ata njëkohësisht nuk kanë vërtetuar gjendjen juridike dhe natyrore të pronës, po kështu s’kanë verifikuar dhe përcaktuar kufijtë e saktë të saj”, bëhet e ditur nga Prokuroria. Nga burimet zyrtare nuk është bërë e ditur nëse ka pasur dhe sa ka qenë përfitimi material nga ana e tre zyrtarëve të pronave. “Theksojmë se nga ana e Prokurorisë dhe strukturat përkatëse kundër krimeve financiare dhe korrupsionit, u përdorën të gjitha format speciale të hetimit në këtë fushë”, u shprehën burimet zyrtare të policisë.
Pak ditë më parë, një grup banorësh të Vlorës i nisën një peticion drejtuesve të lartë të shtetit, ku akuzonin direkt Panozaqin për abuzime me pronat e tyre, pa pasur dijeni për hetimin që kryente Prokuroria. Sipas tyre, u ishin marrë tokat që i kanë trashëguar brez pas brezi nga paraardhësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›