Devolli përpin maunet me gjela deti, shpëtojnë shoferët
Dy maune të ngarkuara me gjela deti janë mbuluar nga uji i lumit Devoll, ndërsa po udhëtonin në aksin e rrugës kombëtare që lidh Cërrikun me Gramshin. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së dielës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Shefi i Shtabit të Emergjencave pranë Prefekturës së Elbasanit, Mustafa Arapi, ka shpjeguar se vërshimi i menjëhershëm i ujit deri në bazamentin e rrugës erdhi si pasojë e daljes nga shtrati i lumit të Devollit, por edhe nga mosfunksionimi i linjës së shkarkimit të basenit të hidrocentralit të Banjës. Të njëjtat burime saktësojnë se të dy maunet e ngarkuara me gjela deti janë mbuluar nga uji, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë detyruar të braktisin mjetet për të mos rrezikuar jetën. Ndërkohë, Sotir Panxhi, kryeveterineri i Drejtorisë së Bujqësisë, ka deklaruar se në vendin e ngjarjes ndodhet një grup veterinerësh të cilët janë në pritje të normalizimit të situatës dhe më pas të groposin gjelat e detit me qëllim evitimin e përhapjes së ndonjë epidemie në këtë zonë. Që nga mëngjesi i djeshëm, ky aks rrugor është bllokuar për kalimin e të gjitha mjeteve, deri në përmirësimin e situatës.
Be.Dy.