E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ikëm nga shtëpia, sepse nuk kishim bukë për të ngrënë"

Vite më parë, njerëzit vendosnin të largoheshin nga vendlindja e tyre dhe të emigronin jashtë vendit për një jetë më të mirë, për arsye ekonomike, apo edhe shumë probleme të tjera. Por, në ditët e sotme nuk ishte dëgjuar që dy motra të iknin nga shtëpia se nuk kishin me çfarë të ushqeheshin. E pikërisht kjo ka ndodhur në një fshat të Kavajës, pavarësisht se policia nuk ka dashur ta ekspozojë si rast. Precedenti i rrallë "bën fjalë" për dy vajza të reja, motra, 21 dhe 15 vjeçe, të cilat pak ditë më parë ndërmorën "aventurën për një jetë më të mirë", por që ju ndërpre nga uniformat blu, të cilat i kthyen te prindërit, në banesën e tyre.
Historia e rrallë, por tepër e rëndë, jo shumë larg Tiranës, ka ndodhur në një fshat të Tiranës. Rreth një javë më parë, një baba, i veshur me rroba të vjetra dhe i vuajtur nga jeta, është paraqitur për të kërkuar ndihmë pranë Komisariatit të Policisë në Kavajë. Ai u është drejtuar uniformave blu, që të bëjnë të pamundurën për të kthyer në banesë vajzat e tij. Babai 51-vjeçar, i ulur në një karrige përballë oficerit të policisë gjyqësore, ka treguar se vajzat e tij kishin ikur nga shtëpia që më datë 22 prill. Duke mos ditur të tregojë motivin pse ato kishin marrë këtë vendim, ai ka mundur të shpjegojë veçse se dy motrat kishin dalë në mëngjes, rreth orës 10:00 të asaj dite dhe nuk ishin kthyer më. Madje, nga frika se ato nuk kishin lëvizur shpesh nga fshati, kërkonte që punonjësit e policisë të bënin të pamundurën për t‘i gjetur. Babai, ka treguar emrat e vajzave, duke i lënë në dispozicion edhe dy certifikata, ku vajat kishin dalë në fotografi rreth një vit më parë. Ai ka treguar se vajza e madhe quhej Rajmonda dhe e vogla Xhulieta. Gjithashtu, ai ka treguar edhe pak nga jeta e tyre, duke thënë se ato nuk ishin ndarë asnjëherë nga njëra-tjetra. Oficeri e ka përcjellë "hallexhiun" duke i premtuar se shumë shpejt do të mundësojnë gjetjen e vajzave. Por, qetësia nuk ishte e pranishme te Bajrami, që për disa ditë priti kthimin e vajzave e nuk iu nda derës së policisë për ndonjë informacion në lidhje me to.
Policia, pasi e mori këtë kallëzim nga babai i dy vajzave, i printoi fotot dhe emrat e tyre, duke ia shpërndarë gjithë shërbimeve në qytetin e Kavajës. Kërkimet vijuan për disa ditë në zona të ndryshme të qytetit. Uniformat blu morën kontakt edhe me të afërm të vajzave, duke menduar se ato ishin zemëruar me familjen dhe nuk donin të ktheheshin pranë tyre. U pyetën edhe miqtë e tyre, por nuk doli asgjë për to. E kur dalëngadalë po shuheshin shpresat për gjetjen e shpejtë të tyre, një informacion i vlefshëm ka ardhur në polici. Një patrullë e qytetit, gjatë një kontrolli në një nga lokalet e qytetit, kishte pikasur dy vajza të reja, sipas të dhënave që ishin të kërkuarat. Menjëherë u bë verifikimi i tyre dhe rezultoi se ishin pikërisht ato që kërkoheshin. Policia njoftoi se dy motrat u gjetën në lokalin "Zio" të qytetit të Kavajës, ku po rrinin me persona të tjerë.
Ato u shoqëruan në komisariat dhe u pyetën me orë të tëra. U pyetën pse kishin ikur nga shtëpia, pse nuk kishin njoftuar familjen që ishte e shqetësuar për to, e pse nuk ktheheshin atje. Përgjigjja ishte shumë e thatë, ishin larguar me dëshirën e tyre, por diçka fshihej më tej. Nga frika e dhunës në familje, drejtuesit e policisë së Kavajës kërkojnë ndihmën e seksionit të mbrojtjes së këtyre rasteve. E pas disa orësh, ato arrijnë të thonë diçka. "Jemi larguar nga shtëpia se nuk kemi me çfarë të ushqehemi. Ishim nisur për jashtë vendi, por nuk gjetëm njeri të na ndihmonte. Donim të gjenim një punë, të ndihmonim veten dhe familjen, të kishim edhe ne para si gjithë të tjerët".
Këto kanë qenë fjalët e vajzave, që kanë habitur punonjësit e policisë, duke i bërë të mendohen dy herë për fatin e tyre. Më tej, ato shpjeguan se mamaja dhe babai ishin pa punë e nuk mund të përballonin shpenzimet. Duke parë situatën dramatike, policia vendosi që ato t‘u nënshtrohen procedurave për mbrojtjen e tyre, jo vetëm nga problemi ekonomik në familje, por edhe të mundësohej ndonjë veprim më tepër. Megjithatë, në përfundim, ato u dërguan në banesë, ku vazhdojnë jetën e tyre normale në varfëri, me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›