E Diel, 1 Nëntor 2026

Merren në mbrojtje katër persona, mes tyre një i mitur


Veç dy vajzave në Kavajë, tashmë policia ka filluar të përballet çdo ditë me raste të lëshimit të urdhrave të mbrojtjes në familje. Në 24 orët e fundit, policia e kryeqytetit ka lëshuar katër të tillë, ku një prej tyre ka të bëjë me rrahjen e një fëmije. Në lidhje me këtë rast, deklarohet se Komisariati Nr. 1 ka dërguar për ndjekje penale Lumturie Gj., e cila është shpallur edhe në kërkim policor. Sipas të dhënave hetimore, bëhet fjalë për një denoncim, ku është deklaruar se Lumturi Gj. ka kërcënuar fëmijën e saj dhe më pas e ka goditur me pëllëmbë. Menjëherë, policia ka regjistruar këtë kallëzim dhe ka shpallur në kërkim Lumturinë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Veç këtij rasti, nga Komisariati Nr. 2 është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Zana Gjonin, 33 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse bashkëshorti Arben Gjoni, 47 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Ndërsa nga Komisariati Nr. 5 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Mirela Muratin, 31 vjeçe, sepse edhe bashkëshorti i saj, Kujtim Murati, 33 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike mbi të. Ndërsa rasti i fundit është regjistruar në Kavajë. Në këtë qytet u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për Myhre Tilën, 48 vjeçe, banuese në Golem. Por, kjo është keqtrajtuar nga djali Hamidian Tila, 20 vjeç, i cili ka qenë i dënuar për vjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›