E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën shikasi, takoi Kristopullin

Zhduket ish-agjenti i SHIK, i cili ka takuar Ziso Kriostopullin në Ksamil dy javë para se të rrëmbehej. 

 Policia Gjyqësore njoftoi dje gjykatën se inspektorët, që kishin dërguar njoftimin në banesën e tij kishin marrë konfirmim nga familjarët se ai ndodhej jashtë shtetit. Ndërkohë në gjykatë munguan edhe tre dëshmitarë të tjerë ish-agjentë të SHIK-ut lokal, të Sarandës në vitin 1995, të cilët do të pyeteshin, nëse e njihnin apo jo këtë person që kishte kontaktuar me Ziso Kristopullin para rrëmbimit. Por mosparaqitja e tyre u bë shkak që gjykata të shtynte seancën për një javë më vonë dhe të përsëriste thirrjet për ta. Ndërkohë thirrjet do të përsëriten edhe për vajzën e dëshmitarit, Kristopullit, e cila pritet të paraqitet për të dëshmuar te Krimet e Rënda pas një jave.
Dëshmitarët
Veç kësaj gjykata njoftoi edhe gjashtë dëshmitarë të tjerë, nga lista për t'u paraqitur seancën e ardhshme, duke e çuar në 10 numrin e tyre, me qëllim që edhe nëse nuk paraqiten të gjithë, të pyeten të pranishmit në mënyrë që të mos zvarritet procesi. Nëse këta dëshmitarë, nuk do të paraqiten edhe seancën e radhës, atëherë pritet që gjykata t'i kërkojë ndihmë organeve policore për shoqërimin e tyre forcërisht në gjykatë. Dëshmitarët e akuzës pritet që me deklarimet e tyre të hedhin dritë mbi ngjarjen e tetorit 1995, kur punonjës të SHIK-ut kanë kryer rrëmbimin e trefishtë me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndërsa në këtë proces ndodhen në bankën e të akuzuarve të pandehurit, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, nga të cilët ky i fundit në mungesë.
Procesi
Ndërkohë dosja në ngarkim të Budjon Meçes, dikur i bashkëpandehur me ta, është veçuar për t'u gjykuar në një tjetër proces, pasi ky prej gjashtë muajsh ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak dhe është e pamundur njoftimi i tij për procesin e pritshëm. Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore dhe Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit akuzohen për "torturë" dhe "rrëmbim me pasoja të rënda", vepra penale të konsumuara tre herë nga secili, për çka rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm, nëse gjenden fajtorë. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Budjon Meçen, ish-inspektor, i cili do të gjykohet në një tjetër proces.             fa.ma.

Prokuroria: Ministria refuzoi statusin për Kristopullin

TIRANE - Në muajin korrik të këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë pajisjen e Ziso Kristopullit me statusin e të mbrojturit nga drejtësia. Lajmin e bëjnë të ditur burime të organit të akuzës, të cilët pohojnë se kjo kërkesë zyrtare është refuzuar nga  ministria, ndërsa pritet që e njëjta kërkesë të ripërsëritet pas dëshmisë më të fundit të Kristopullit në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Organi i akuzës ka hedhur dyshime se Ziso Kristopulli, mund të jetë kërcënuar, çka e ka detyruar atë të mos prekë disa detaje të ngjarjeve, ku ai u rrëmbye së bashku me Avdyl Loshajn dhe Remzi Hoxhën në tetor të vitit 1995. Sipas organit qendror të akuzës Kristopulli është dëshmitari kyç i këtij procesi, pasi Loshaj është e pamundur të gjendet, ndërsa Hoxha, është fakt që është zhdukur pas rrëmbimit nga agjentët e SHIK, të cilëve mendohet se u ka vdekur nga torturat.                                                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›