Lushnjë, Bujar Nishani printon certifikatën e parë
LUSHNJE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaroi dje nga qyteti i Lushnjës fillimin e shpërndarjes së certifikatave të printuara në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile të vendit. Burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme pohojnë se, gjatë vizitës në zyrën e Gjendjes Civile së bashku me kryebashkiakun Albert Sanxhaku, nënprefektin Daut Sula dhe pushtetarë të tjerë vendorë, ministri Nishani tha se, Bashkia e Lushnjës u zgjodh simbolikisht për komunikimin e fillimit të këtij procesi në të gjithë vendin, ndërkohë që ky shërbim i ri në Bashkinë e Tiranës ka filluar që në muajin gusht. "Ky është një akt, i cili së pari do të lehtësojë shumë ofrimin e këtij shërbimi për qytetarët shqiptarë, natyrisht duke lehtësuar punën e përpunuesve të zyrave të gjendjes civile, por mbi të gjitha është një hap i parë, por shumë i rëndësishëm për implementimin e regjistrit të ri elektronik të gjendjes civile, i cili do të vihet së shpejti në zbatim si një sistem i tërë", tha ministri pasi i dorëzoi certifikatën e printuar një banori të qytetit myzeqar. Më tej, Nishani, i cili shoqërohej nga zëvendësministri Ferdinand Poni dhe kreu i Gjendjeve Civile, Armand Teliti, zhvilloi një takim të veçantë në Bashkinë e Lushnjës me kreun e këtij institucioni, ku shprehu rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe vendor për realizimin e proceseve madhore të zhvillimit të vendit, ndër to të projektit për modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave.