Iker Kasijas: Asnjë arsye përse duhet ta kemi zili Barcelonën
“Nuk kemi asnjë arsye përse duhet ta shikojmë me zili Barcelonën”. Kapiteni i ri i Realit të Madridit, Iker Kasijas, i cili është bashkuar me skuadrën e drejtuar nga Zhoze Murinjo pas triumfit në Kupën e Botës, ka folur rreth ambicieve të klubit “merengue” në prag të sezonit të ri futbollistik. “Në skuadër kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, shpjegoi ai për të përditshmen ‘Marca’ dhe ndiej një përgjegjësi të madhe. Për mua, kjo është një sfidë personale: nuk është e lehtë të zëvendësosh një ikonë si Raul. Të gjithë ata lojtarë që kanë qenë kapitenë të Realit më parë kanë treguar profesionalitet të jashtëzakonshëm; kanë shërbyer si shembuj të mirë dhe kam mësuar shumë prej tyre. Po flasim për një sfidë shumë të bukur dhe do të jap maksimumin”.
Kasijas ka folur edhe për mesfushorin brazilian Rikardo Kaka, për të cilin është spekuluar se do të largohet nga “Santiago Bernabeu” pas sezonit zhgënjyes që lamë pas. Portieri tha: “është 100 për qind e sigurt që Kaka dëshiron të jetë pjesë e skuadrës dhe të japë kontributin e tij. Duhet të punojë me qetësi për t’u rikuperuar dhe të shfaqet në nivelet e mëparshme: mjekët kanë thënë se nëse nxitohet, do të jetë më keq për të”. Emërimi i Zhoze Murinjos në krye të stolit ishte ndryshimi më i rëndësishëm te Reali gjatë kësaj vere. “Trajneri kërkon që të bëjë një punë sa më të mirë në Madrid. Edhe për Murinjon kjo është një sfidë e madhe. Ai është një teknik me shumë eksperiencë, që ka arritur të fitojë shumë dhe ka në dispozicion një skuadër cilësore, ku janë të ndërthurur lojtarët me përvojë dhe të rinjtë”.
Për një skuadër si “merengue”, në fillim të çdo sezoni objektivat janë të qartë: ata duhet të fitojnë në çdo aktivitet ku marrin pjesë. Kasijas shpreh bindjen se nuk ka si mund të jetë ndryshe: “Reali i Madridit duhet të synojë triumfin në të tri aktivitetet ku merr pjesë. Megjithatë, nuk duhet të jemi të fiksuar për të fituar La Liga-n, Champions League ose Kupën e Mbretit. Duhet të ecim hap pas hapi. Nuk ekziston asnjë arsye përse duhet ta kemi zili Barçën”.
#