Iker Kazijas, portieri më i mirë i vitit 2010

Spanjolli i Realit të Madridit, Iker Kazijas u përzgjodh si portieri më i mirë i vitit 2010. Klasifikimi është bërë nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll. Portieri i Kombëtares spanjolle, kampion i botës, ka grumbulluar 304 pikë, duke lënë pas me një diferencë të ndjeshme “rojen” e Interit, brazilianin Hulio Sezar, me 104 pikë, që fitoi me zikaltërit pesë trofe këtë vit. Podiumi kompletohet me portierin çek të Çelsit, Petër Ceh, 56 pikë. Në listën e 20 më të mirëve janë dhe portieri i Shalke 04, Manuel Nojer (53 pikë); Marten Stekelenburg i Ajaksit (48 pikë); Viktor Valdes i Barcelonës (38 pikë); Fernando Muslera i Lacios (37 pikë).
MURINJO
Trajneri i Realit të Madridit, portugezi Hoze Murinjo u shpall më i miri i vitit 2010. Ish-trajneri i Interit grumbulloi 298 pikë, duke lënë pas Pep Guardiolën e Barcelonës, 188 pikë. Në vend të tretë u vlerësua Luis van Gali i Bajernit 75 pikë), holandezi la Kike Floresin e Atletikos së Madridit (46 pikë). Murinjo me Interin fitoi kampionatin italian, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve. Guardiola fitoi kampionatin spanjoll, ndërsa Luis van Gal fitoi në Gjermani, kampionatin dhe kupën, por humbi finalen e Ligës së Kampioneve.
PORTIERËT MË TË MIRË
1. Iker Kazijas (Real Madrid, Spanjë) 304 pikë
2. Hulio Sezar (Inter, Brazil) 124 pikë
3. Petër Çeh (Çelsi, Çeki) 56 pikë
4. Manuel Nojer (Shalke, Gjermani) 53 pikë
5. Marten Stekelenburg (Ajaks, Holandë) 48 pikë
6. Viktor Valdes (Barcelona, Spanjë) 38 pikë
7. Fernando Muslera (Lacio, Uruguai) 37 pikë
8. E. van der Sar (Man.Junaitid, Holandë) 32 pikë
9. Xhanluixhi Bufon (Juventus, Itali) 28 pikë
10.Tomoti Haurd (Everton, SHBA) 15 pikë
11.Vinsent Enejema (Hapoel, Nigeri) 10 pikë
12.Eduardo Karvajo (Xhenoa, Portugali) 9 pikë
13.Riçard Kingson (Bllekpull, Ganë) 9 pikë
14.Hugo Loris (Lion, Francë) 8 pikë
15.Igor Akinfev (CSKA Moskë, Rusi) 7 pikë
16.Husto Vijar (R.Valadolid, Paraguai) 6 pikë
17.David De Gea (Atletiko Madrid, Spanjë) 5 pikë
18.Hoze Manuel Reina (Liverpul, Spanjë) 5 pikë
19.Mark Shvarcer (Fulham, Australi) 5 pikë
TRE TRAJNERËT MË TË MIRË
1. Hoze Murinjo (Inter/Real Madrdid) 294 pikë
2. Pep Guardiola (Barcelona) 188 pikë
3. Luis van Gal (Bajern Munih) 46 pikë.
Kaka: “Më mungonte kënaqësia e të luajturit”
Ylli i Realit të Madridit, Rikardo Kaka, tha se ndihet shumë i lumtur pas rikthimit në fushë. Kaka luajti vetëm 19 minuta si zëvendësues në ndeshjen e fituar kundër Getafes, por që i mjaftuan për të qenë sërish i gëzuar. “Më mungonte kënaqësia e të luajturit. Kur je jashtë fushe, duhet të heqësh dorë nga shokët, nga dhomat e zhveshjes, nga stërvitjet, nga ndeshjet, nga presioni. Është bukur të kthehesh të luash, të jesh në fushë dhe të argëtohesh. Dëmtimi i përket së kaluarës, tani synoj të përmirësohem dhe të luaj në nivel më të lartë”, - tha Kaka për një televizion spanjoll. “Kam kaluar shumë vështirësi në këtë periudhë, por mendoj se këto i përkasin të kaluarës. Nuk e dija se kur do të kthehesha, por tani që jam rikthyer jam i lumtur, ndihem me të vërtetë mirë. Veçanërisht për gruan time, pasi ajo e di atë që kam kaluar”. Kaka mbërrit te Reali i Madridit në verën e vitit 2009, por deri tani nuk ka dhënë shumë nga repertori i tij. “Nuk ka dyshim, në Spanjë nuk është parë asgjë nga unë dhe kjo përbën një sfidë për mua: dëshiroj të rikthehem në nivele të larta, pa dëmtime”.
INTERI
Mbrojtësi Andrea Ranokia u prezantua zyrtarisht si blerja e re e Interit. “Ndihem gati, jam këtu me shpresa të mëdha për të bërë mirë e mbyllur këtë vit me diçka të madhe”.
BARCELONA
Trajneri Pep Guardiola shpreson se do ta ketë akoma në radhët e tij mbrojtësin Gabriel Milito, ky i fundit nuk po gjen dot hapësirën e duhur te Barcelona.
REALI
Reali i Madridit mund të bëjë një goditje surprizë në merkaton e janarit. Trajneri Hoze Murinjo është gati të investojë te 19-vjeçari i panjohur i Istresit, Florian Lëzhën.
VOLFSBURGU
Me kalimin e Edin Xhekos te Mançester Siti, Volsburgu është në kërkim të zëvendësuesit të tij. Objektivi numër një është sulmuesi i Bajernit të Munihut, Mario Gomezhi.
Tare: “Nuk e lëshojmë Rokin”
Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, hodhi poshtë mundësinë që Tomaso Roki (33 vjeç) të veshë fanellën e Fiorentinës gjatë merkatos së janarit. “Nuk ka asnjë mundësi që Roki të shkojë te Fiorentina, - tha Tare për faqen italiane Violanews. – Edhe gjatë verës së kaluar emri i tij u përmend, por fakti është që lojtari nuk lëvizi nga Roma. Do të jetë kështu edhe për merkaton dimërore. Kemi nëvojë për një lojtar karizmatik si ai, mund të japë akoma për Lacion”.
Erjon Bogdani bën këshilltarin
Çezena, skuadra e Erjon Bogdanit, bëri të sajin mesfushorin Paolo Samarko. Ish-lojtari i Sampdorias, tha se te Çezena aktuale njihte sulmuesin shqiptar. “E njoh Bogdanin që nga koha kur luanim te Kievo, dhe gjatë ditëve të kaluara, ai më shpjegoi se Çezena është një vend i qetë dhe që të lejon të punosh dhe nuk ka pasur kurrë dyshim në zgjedhjen time”, - argumentoi lojtari që do ta mbajë numrin 24 në fanellë, në respekt të yllit amerikan të basketbollit, Kobi Brajant.
Besart Berisha, gol në miqësore
Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Besart Berisha, shënoi golin e barazimit në miqësoren midis ekipit të tij, Arminia Bielefeld dhe Duisburgut (të dyja të Bundesligës 2), takim i luajtur në Belek të Turqisë dhe i përfunduar 1-1.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 05 Janar 2011