Merkatoja e Superligës me aromë ndërkombëtare

Merkatoja dimërore e Superligës po merr ngjyra ndërkombëtare. Shumë lojtarë të huaj janë në provë apo priten të mbërrijnë në Shqipëri ditët e ardhshme.
Te Skënderbeu, që tani ndodhet në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë - e ku më 8 janar do të ndeshjet me Paris Sën Zhërmenin – do të testohet mbrojtësi serb, Marko Xhorxheviç. Edhe mbrojtësi kamerunas Zhan Pol Ndeki do të jetë nën vëzhgimin e trajnerit Shkëlqim Muça, ky i fundit është në kërkim të një alternative për të zëvendësuar kosovarin Alban Drafusha, të larguar në Suedi.
Tirana, sipas mediave sportive është shumë pranë firmosjes me mesfushorin e Benfikës, Luis Felipe, i cili ka luajtur edhe me Kombëtaren U-21 të Portugalisë. 31-vjeçari pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme te rekordmenët e Shqipërisë. Gjithsesi, Tirana pret të nënshkruajë edhe me “turkun” Gilman Lika, mesfushorin shkodran.
Dinamo blerjen e parë të saj ka Milovan Miloviçin, por tashmë nën urdhrat e Ilir Dajës ka dhe sulmuesin serb Mlladen Bërkiç, një nga të huajt më të spikatur në kampionatin shqiptar. Bërkiç vjen si i huazuar nga Skënderbeu, por më parë 29-vjeçari ka veshur edhe fanellën e Apolonisë.
Bylisi mund të konsiderohet një si ekipi i dashuruar me të huajt. Pesë lojtarë të huaj janë afruar në këtë fillim të merkatos dimërore: Luçiano Da Silva, Luis Sabato, Genivaldo Souza, Xhovani Tavores, Denis Da Silva. Këtyre brazilianëve u shtohet dhe kosovari Valon Bajrami.
Elbasani, pas konfirmimit të boshnjakut Esad Karishik në bankinë, është duke testuar sulmuesin serb Miroslav Rikanoviç, i cili më parë ka luajtur edhe në kampionatin rus dhe atë boshnjak.
Kastrioti ka në gjirin e tij disa lojtarë kroatë, por tani krutanët do të kenë shërbimet edhe të boshnjakut, Albin Pelak, një lojtar me karrierë të pasur si një Bosnjë ashtu dhe në Rusi.
Besa, skuadra më aktive në merkato, përveç konfirmimeve të Kotorit, Mancakut, Hoxhës, Shametit, Norës dhe Sefës, ka si synim kroatin Djarmati dhe sulmuesin afrikan me pasaportë meksikane Endone Elokan.
Emigron Kategoria Superiore
Dy ekipet kryesuese të Superligës, Flamurtari dhe Skënderbeu, kanë zgjedhur Turqinë për të kryer fazën përgatitore dimërore. Flamurtari synon disa miqësore luksi dhe në listë janë Shalke 04 dhe kryesuesi i Bundesligës gjermane, Borusia e Dortmundit. Në Antalia është dhe Besa e Kavajës. Vllaznia do ta kryejë grumbullin në Malin e Zi, ashtu si dhe Shkumbini.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 05 Janar 2011