E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ikim nga puna, s‘punohet me kontingjentin me mesatare 6"

Stafi akademik i Universitetit të Vlorës ka reaguar me tone të ashpra kundrejt Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së Arsimit të Lartë, për studentët me mesatare 6. Në një njoftim zyrtar, pedagogët e "Ismail Qemalit" kanë njoftuar se vendimi për të mos pranuar studentët me mesatare nën 6 është i drejtë dhe është marrë sipas një arsyetimi kolektiv, duke pasur parasysh ligjin dhe të gjitha kompetencat dhe autonominë që u ka dhënë universiteteve askush nuk ka të drejtë të mos marrë parasysh vendimet e senatit apo stafeve akademike.

Studentët e këtij kontingjenti nuk mund ta përballojnë dot punën dhe fluksin e studimeve pranë Universitetit të Vlorës dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për cilësi, standarde, që sipas pedagogëve të "Ismail Qemalit", studentët me mesatare 6 nuk mund t‘i përmbushin. Pedagogët e këtij universiteti e kanë kuptuar urdhrin e Ministrit të Arsimit si nëpërkëmbje të vendimit të tyre, të senatit të universitetit, i cili është organ kolegjial.

"Në institucionet e arsimit të lartë senati akademik është organi kolegjial vendimmarrës që përcakton politikat e zhvillimit për gjithë aktivitetet e këtyre institucioneve", citojnë ligjin, në deklaratën e tyre, stafi akademik i "Ismail Qemalit". "Vendimi për të mos pranuar maturantë me mesatare 6 u mor me dëshirën e mirë që të rritet cilësia e përgatitjes së studentëve në këtë universitet, pra, në përgjigje të realizimit cilësor të përgatitjes së specialistëve të lartë. Me këtë vendim askush nuk ka të drejtë të abuzojë, duke e konsideruar atë si një masë diskriminuese kundër nxënësve të shkollave të mesme", kanë sqaruar zyrtarisht pedagogët e Universitetit të Vlorës. Sipas tyre, me një kontingjent nxënësish të cilët nuk kanë marrë njohuri të përgjithshme, nuk mund të punohet, pasi cilësia dhe efektiviteti nuk do të jetë ai i duhuri. Në këto kushte, ata më mirë do të largoheshin nga puna se sa të ndiheshin të fyer dhe të nëpërkëmbur nga njerëz, të cilët pavarësisht postit ku punojnë, nuk njohin dhe nuk respektojnë ligjet.

"Vendimi i universitetit tonë për të mos regjistruar nxënës me notë mesatare më pak se 6, nuk është një masë ndëshkuese për ta, sepse në rast të kundërt këta studentë do të përballeshin me vështirësi të mëdha për përvetësimin e programeve mësimore dhe detyrohen të përsërisin vitet e studimit", sqarojnë në njoftim pedagogët. Sipas tyre, kjo gjë nuk është as në interes të nxënësve e as të Universitetit të Vlorës, i cili me kontingjente të tilla nuk mund të realizojë një punë cilësore dhe të finalizojë detyrën e vet për përgatitjen e specialistëve cilësorë, siç kërkon shoqëria jonë nga universitetet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›