Muzeu i Kamenicës, i mbyllur në mes të sezonit turistik
Muzeun e bukur të Kamenicës e gjetëm të mbyllur me kyç të madh!
“Shega! O Shega!”, i thirrëm si gjithmonë nëpunëses së Monumenteve të Kulturës që mban çelësat dhe e hap e kujdeset për muzeun tashmë me famë botërore të Kamenicës.
Shega erdhi, por ndryshe nga herë të tjera, këtë radhë kishte çehre të prishur.
“E ka mbyllur Policia Financiare (tatim-taksat red.), tha Shega. Muzeu me urdhër të tyre nuk hapet. Më kanë thënë se sikur edhe nga ana e botës të vijnë turistët, dera të mos hapet. I kanë marrë me vete të gjitha objektet dhe brenda nuk ka asgjë”.
Te dera e muzeut gjetëm një grup turistësh të ardhur nga Franca. Biseda ime me Shegën, çudia e fytyrës sime, si edhe sikleti i Shegës, me sa duket u dha të kuptojnë se u kishte vajtur mundimi kot për të parë punën e mrekullueshme të arkeologut Bejko për zbulimin dhe ekspozimin për publikun të gjetjeve skeletore të gruas së vdekur me fëmijën në bark 1200 vjet para Krishtit, pra që nga koha e luftës së Trojës.
Shega nuk dinte asgjë në lidhje me psenë dhe qyshin e këtij veprimi të Policisë Financiare të Korçës. Te dera e muzeut të bukur nuk ka asnjë informacion mbi këtë vepër të bërë nga një institucion shtetëror, nuk ka asnjë gjë gjyqësore që të lajmërojë për veprimin e policisë.
Po ç’patën me muzeun ata të financës?! Pse e mbyllën në kulm të sezonit turistik? Pse i shkojnë kundër gjithë atij mundimi që bëjmë për të bërë të njohur në botë muzetë tanë interesantë? Ministri i tyre është edhe deputet në Korçë! A është në dijeni ai për këtë veprim të çuditshëm? Themi të çuditshëm, sepse kështu na duket veprimi i Policisë Financiare. Ata mund të vepronin sipas ligjit me të gjithë ata që qeverisin muzeun, por pa e mbyllur atë për publikun dhe turistët që vijnë të shikojnë gruan e tremijë e dyqind vjetëve më parë, të ruajtur në tumën e Kamenicës. ç’i kanë bërë eshtrat e asaj gruaje, të foshnjës, e cila edhe e pa lindur rrojti për të dëshmuar kulturën e lashtë të trojeve ku banojnë shqiptarët? Kushedi ku prehen të gjorët në ndonjë zyrë të papërshtatshme për ruajtjen e relikeve kaq të rralla!
Gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, ndalimi për të bërë vizitën te tuma e Kamenicës është bërë si i detyrueshëm për gjithë kalimtarët me interesa kulturore. Puna e Institutit të Arkeologjisë në përgjithësi dhe puna e pashoqe e arkeologut Bejko në veçanti, kanë marrë vlerësime maksimale, vlerësime të cilat gjenden në shumë guida turistike që tregojnë Shqipërinë në gjuhë të ndryshme të botës. Respekti dhe kujdesi i zotit Bejko për atë nënë, vdekur tremijë e dyqind vjet më parë, ngjall respekt te të gjithë vizitorët. Tregimi i historisë së saj, krahas historisë së punimeve shkencore në tumën e Kamenicës, me material të pasur arkeologjik, me grafikë dhe teknikë audiovizive, është i një rendi me tregime të tilla në muzetë më të vizituar të botës. është krenari edhe për ne, kur shoqërojmë për atje miqtë tanë për t’u treguar atë dëshmi kulturore të mrekullueshme.
Por, ç’e do! Injoranca nuk ka nevojë për brirë për të shkatërruar! Personalisht nuk mund të pranoj asnjë justifikim për mbylljen e Muzeut të Kamenicës nga Policia Financiare.
Hapja e atij muzeu nuk pret ditë e javë e muaj. Ai duhet hapur sot! Sot aty do të ndalojnë turistë të tjerë dhe duhet ta gjejnë hapur.
Turistët që ishin te dera, unë i gënjeva. U thashë se trupi i gruas dhe fëmijës janë dërguar në Tiranë për një ekspozitë që hapet atje. është nga herët e rralla që unë personalisht nuk tregoj për nxirjen e jetës kulturore në Shqipëri, bërë nga ata që na qeverisin. Por, ashtu si thotë edhe Bertholt Breht, në kushte të vështira si ato të diktaturës, herë-herë gënjehet për të thënë të vërteta.
#