E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikja e Ramës, një standard më shumëNga Andi BushatiLexova në gazetën e djeshme editorialin e kolegut tim, Mero Baze, i cili midis të tjerash i bënte jehonë një teze që po zë vend përditë e më shumë në shtypin e përditshëm e për të cilën dua ta them q

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ikja e Ramës, një standard më shumëNga Andi Bushati

Lexova në gazetën e djeshme editorialin e kolegut tim, Mero Baze, i cili midis të tjerash i bënte jehonë një teze që po zë vend përditë e më shumë në shtypin e përditshëm e për të cilën dua ta them që në fillim, jam kategorikisht kundër. Në editorialin “Standardet që shpëtojnë Ramën dhe Berishën” mes shumë ideve, të cilat i ndaj plotësisht, zinte vend edhe ajo, sipas së cilës zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhje pa standarde, ndaj ato i japin mundësi humbësit të tyre të madh, Edi Ramës, të prishë standardin e vendosur në Partinë Socialiste për të mos u larguar prej kreut të saj.

Një nga argumentet që e mbështeste këtë arsyetim, qe se mediet, përjetësisht antiopozitare, enkas për të mbuluar problemet postzgjedhore, për të relativizuar aferat e KQZ dhe lojën me kuti të hapura e të pahapura, janë përfshirë në një fushatë të shfrenuar që kërkon largimin e kreut të Partisë Socialiste.

Po, kjo është e vërtetë. Ka një zell të neveritshëm antiopozitar, që në fakt nuk është se nuk ka munguar gjithmonë, për të parë vetëm “njërën gjysmë të mollës së kalbur”. Ka një teprim aspak luajal për t’i përqendruar prozhektorët vetëm te përgjegjësitë e liderit të dërrmuar të PS dhe tek afatet e largimit të tij. Ka një prirje gati prej xhelati për t’i dhënë Ramës së rrëzuar edhe shkelmin e fundit.

Natyrisht, nuk do mend të thuhet se kjo është një strategji mediatike për t’u përbuzur, që nuk ka lidhje as me standardet, as me të vërtetën, por thjesht me shërbimin. Dhe në këtë pikë, Mero Baze ka plotësisht të drejtë. Por ajo, ku unë s’pajtohem, është tjetër gjë. Është përdorimi i këtij shtrembërimi, përdorimi kësaj ane të errët dhe të turpshme të medieve dhe elitave tona në përgjithësi, si një lëmoshë të vonuar për Edi Ramën. Kreu i PS sot nuk mund të mbrohet me faktin se dikush, kushdo qoftë ai, po e sulmon më shumë se ç’duhet. Ai nuk mund të gjejë si alibi fushatën kundër tij për t’u strehuar në PS. Ai nuk mund të ankohet për ato zgjedhje që i projektoi, i drejtoi dhe i monitoroi si deshi vetë. Ai nuk mund të përdorë asnjë nga këto shfajësime për të mos marrë burrërisht përsipër dështimin e tij, vetëm personal.

Ndaj dhe çdo tentativë për ta ushqyer me këto alibi egoizmin, frikën, mospërballjen dhe etjen e Edi Ramës për t’u kapur pas pushtetit të mbetur, është për të ardhur keq.

Sipas meje, ajo nuk është një kundërshtim i antiopozitarizmit, por mbrojtja e kotë e një kauze të pamundur.

Pikërisht për këtë, mendoj se kolegu im, Baze, nuk ka të drejtë, sepse, në rastin më të mirë, duke synuar të fshikullojë armiqtë e antiopozitarizmit dhe pikërisht për këtë edhe të kreut momental të PS, ai bie në të njëjtin kurth si ata. Nëse këta të fundit përdorin presionin për dorëheqjen e Edi Ramës si një temë që do të mbulojë standardet e zgjedhjeve, edhe përdorimi i standardeve të zgjedhjeve si një alibi për të mos parë dështimin e Ramës, do të thotë të kesh të njëjtin raport të deformuar me të vërtetën.

Dhe kjo e vërtetë (natyrisht sipas meje) është se, të dyja këto probleme madhore të demokracisë sonë nuk duhen parë të lidhur së bashku me njëri-tjetrin. Ato janë secili një problem më vete dhe çdo përpjekje për t’i bashkuar, për t’i trajtuar si të ndërvarur, është një përpjekje për t’iu shmangur thelbit të tyre ose një pjese të së vërtetës.

Dhe për hir të kësaj të vërtete, duhet thënë se kjo përpjekje u nis nga Edi Rama dhe ithtarët e vjetër të politikës së re, vetëm pasi ata panë se humbja e tyre ishte e pashmangshme. Vetëm pas kësaj filloi nxjerrja e turmave në rrugë. Vetëm pas kësaj u artikuluan kërcënimet për protesta nga një Parti Socialiste që del në rrugë, sa herë ka hall kryetari i saj (që ka bërtitur më fort për shembjen e “Zogut të Zi”, sesa për krimin e Gërdecit).

Vetëm pas kësaj filluan të vihen kushte për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe zërat për mos-hyrje në parlament. Edhe në këto qëndrime, të ekzagjeruara mund të thotë ndokush, nuk ka ndonjë shqetësim të madh. Është e drejtë e opozitës të bëjë namin, jo vetëm për një mandat, por qoftë edhe për një votë të vetme. Dhe ky pretendim është legjitim.

Po pyetja që shtrohet është: Pse kjo betejë për të mbrojtur çdo votë duhet lidhur me fatin e Edi Ramës? A ndikon në dështimin e tij një votë më shumë apo më pak? A është i bindur tashmë gjithsecili, që Rama është humbësi i kësaj gare e pavarësisht faktit nëse ruan një mandat më shumë apo më pak, ai duhet të marrë mbi vete, ashtu sikurse ka premtuar, përgjegjësinë e kësaj humbjeje?

Natyrisht që këto pyetje nuk duan përgjigje. Për këdo që nuk vuan nga pasioni i çartur për një lider, kjo përgjigje është e qartë. Çdo votë duhet të ruhet dhe çdo premtim duhet të mbahet, qoftë edhe ai i largimit të kryeopozitarit. Sepse, ashtu sikurse duket, Edi Rama do të përpiqet të qëndrojë me çdo çmim në krye të PS, edhe kur numërimi të ketë përfunduar, edhe kur mandatet e deputetëve të jenë ndarë, edhe kur raportet për zgjedhjet të jenë shpallur. Po, Edi Rama do të përpiqet të zvarritet në atë zyrë, nga e cila themeluesi i PS dhe paraardhësi i tij u largua për të njëjtën arsye. E vetmja gjë që mbetet të hamendësohet është se ç’argument do të gjejnë, kur kjo të ndodhë, ata që e kushtëzojnë qëndrimin e tij me numërimin e votave dhe standardet e zgjedhjeve?

Natyrisht te këta mbrojtës pa kushte të Ramës nuk bën pjesë kolegu im Baze. Unë jam i bindur që sot për të Edi Rama është vetëm instrumenti për të mbrojtur idetë e tij për një opozitë të fortë, të panëpërkëmbur, ashtu sikurse ndodh gjithnjë në Shqipëri. Unë e di se shigjetat e tij janë për ata që antiopozitarizmin e kanë shndërruar në një zanat fitimprurës.

Por, për fat të keq as këtu nuk jam në një mendje me kolegun tim, sepse, nëse ai bën kompromis me faktet, vetëm për të mbrojtur një gjë më të madhe: idenë e një opozite të fortë e të pakërcënueshme, instrumenti taktik që ai ka zgjedhur, nuk është ai i duhuri. Ky mandat që shkoi tregoi se Edi Rama ka bërë opozitën më të dobët dhe më pak të frytshme në Shqipëri; se ai u shndërrua në një peshë për PS gjatë fushatës; se me frikën e tij për të kandiduar dhe për të mos humbur bizneset e bashkisë, ai e demoralizoi elektoratin e PS; se ai u kthye në një handikap elektoral, me lejet e ndërtimit dhe bizneset okulte, duke i bërë socialistët në opozitë të akuzoheshin për modelin e një kryetari prej 12 vitesh në pushtet; se me personalizimin e fushatës dhe me etjen e tij të çmendur për të zhdukur me një të rënë të lapsit gjithë figurat e së majtës, ai e dobësoi deri në asgjësim familjen e tij politike; se me frikën e tij për të hapur temën e korrupsionit dhe bizneseve që përfitojnë nga fondet publike, ai nuk arriti të diskreditojë qeverisjen e Gërdecit dhe të privatizimeve problematike.

Pikërisht për këtë, nëse edhe unë si Mero Baze jam ithtar i një opozite të fortë e kurajoze, kam rezerva se një opozitë e tillë mund të bëhet me Edi Ramën. Kjo opozitë iu besua për katër vite dhe ai bëri më të pamundurën, e çoi drejt humbjes. E nëse i besohet përsëri, rezultati rrezikon të mbetet i njëjtë. Ndaj ithtarët e një opozite të fortë duhet ta kërkojnë idenë e tyre te largimi i liderit aktual. Të bindur se mbrojnë standardet e PS. E bashkë me to edhe standardet e mospërdhosjes së zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›