E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kjo palo qeveri që po lind është bashkimi i dy ndërmarrjeve familjareNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, po mban peng procesin zgjedhor, për shkak se kështu synon të mbajë pushtetin e tij, që

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Kjo palo qeveri që po lind është bashkimi i dy ndërmarrjeve familjareNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, po mban peng procesin zgjedhor, për shkak se kështu synon të mbajë pushtetin e tij, që tashmë është një pushtet personal dhe familjar që i sjell atij shumë fitime.

Rama tha se këtë e faktoi dhe mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit, ku Berisha miratoi disa projekte që favorizojnë familjen dhe sekserët e tij në dëm të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Sali Berisha ka marrë peng KQZ për të marrë peng kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës, Shkodrës dhe mbajtur kështu peng, jo thjesht procesin zgjedhor, por një pushtet personal e familjar fitimprurës, përmes të cilit mund të vazhdojë të therë brinjë më brinjë atdheun tonë të përbashkët, siç bëri dje në një mbledhje të turpshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës.

Ndërkohë që Partia Socialiste kërkon me të drejtën që i jep, pa asnjëfarë dyshimi, ligji zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, të bëjë transparencën e 28 qershorit në Berat, Tiranë e Shkodër, Sali Berisha vazhdon, në shkelje të plotë të çdo të drejte demokratike e ligjore, të shkatërrojë procesin zgjedhor dhe, njëkohësisht, të marshojë në rrugën e vendimeve shkatërruese për të ardhmen, për ekonominë kombëtare e për mjedisin tonë të përbashkët.

Për qëllime që s’kanë të bëjnë asgjëkund me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, po vetëm përfitimin material personal e klanor, Sali Berisha tregoi dje, edhe një herë, se arsyeja pse e do me çdo kusht pushtetin që votuesit nuk ia dhanë më 28 qershor, është që të marrë vendime si ato të djeshmet, ku me arrogancën e me injorancën e një dallkauku primitiv i hapi rrugë zhvillimit të disa projekteve tejet të dëmshme për vendin”, - tha Rama.

“Nuk do njohim zgjedhjet pa u bërë transparenca që kërkon ligji”

Kryetari i PS tha se nuk ka ndërmend të njohë zgjedhjet pa u bërë transparenca, ashtu siç e parashikon ligji. Rama tha se Shqipëria nuk mund të jetë peng i një familjeje.

“Ne nuk do t’i njohim zgjedhjet e 28 qershorit, në rast se nuk do të na njihet e drejta jonë demokratike e ligjore për të gjitha kontestimet tona të pamohueshme, dhe nuk do t’i njohim as ato vendime të djeshme të Sali Berishës që i mohojnë Durrësit, Lezhës, Shkodrës e, në fakt, gjithë Shqipërisë, të drejtën e një zhvillimi të qëndrueshëm e të shëndetshëm për sot e për brezat që do të vijnë.

Dhe në fund i them Sali Berishës që Tirana ta dha edhe një herë, për të katërtën herë, përgjigjen për politikën tënde të urrejtjes e të injorancës ndaj kryeqytetit. Humbe në Tiranë edhe më keq se ç’ke humbur dy vjet më parë, dhe strategjia jote e sulmit ndaj Tiranës për plane e për parqe të munguara fëmijësh, sa herë të duhet të ngresh mjegull për të kaluar, siç bëre dje, pa asnjë plan e asnjë kriter, vendime kriminale për këtë vend e për fëmijët e këtij vendi, jo vetëm është e diskredituar, po nuk do të të shpëtojë dot nga përballja me të vërtetat e mëdha që ne do të mbrojmë me zë të lartë e me çdo mjet demokratik, sepse vërtet koha është e maskarenjve, po Shqipëria nuk është as e jotja, as e një familjeje të vetme dhe as e një palo qeverie të lindur nga bashkimi i dy ndërmarrjeve familjare për qëllime të mirëfillta fitimi në kurriz të një populli të tërë.

Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve”, - deklaroi Rama.

“Projekti famëkeq i TEC-it me qymyr”

Rama tha se do të kundërshtohet me të gjitha mjetet demokratike ndërtimi i një TEC-i me qymyr në Durrës, në pronën e sekserit të familjes kryeministrore.

Kryetari i PS tha se të tillë përbindësha energjitikë nuk ndërtohen më në Evropë.

“I ashtuquajturi Park Energjitik në Durrës është në fakt i shumë herë denoncuari favor për sekserin serb të oborrit kryeministror, mbi një tokë që zien nga konfliktet e pronësisë dhe ku shtohet edhe projekti për TEC-in famëkeq me qymyr, të cilin me të drejtën e Zotit populli i Durrësit nuk e dëshiron e që ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike, duke u bërë zëdhënës të vendosur të kundërshtisë legjitime të qytetarëve durrsakë.

Përrallën e respektimit të standardeve evropiane gjatë ndërtimit e funksionimit të këtij përbindëshi që nuk sjell asgjë të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, Sali Berisha mund t’ia tregojë kukullave të tryezave të vendimmarrjeve të tij skandaloze, po askujt tjetër, sepse të gjithë e dimë fare mirë se kësisoj përbindëshash nuk ndërtohen më në Evropë, pikërisht sepse bien ndesh me standardet e zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe nëse për kryeministrin pa mandat për ta qeverisur Shqipërinë, mushkëritë e qytetarëve të Durrësit e të të gjithë vendit janë më pak të çmuara sesa mushkëritë e qytetarëve të Bashkimit Evropian, për ne ato janë po njësoj të çmuara dhe asgjë që në Evropën e Bashkuar nuk lejohet më të ndërtohet, nuk ka pse lejohet të ndërtohet në Shqipërinë që po shkon drejt Evropës”, - tha Rama.

“Fabrikat e çimentos do nxijnë jetën e qytetarëve”

Kryetari i PS përmendi dhe fabrikat e çimentos që po ngrihen kudo, duke nisur nga Shkodra e deri në Tiranë.

“Shqipëria s’mund të jetë as vendi ku rezultatin e zgjedhjeve e imponon kryeministri dhe as vendi ku kryeministri imponon zgjedhje të rënda, në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, siç është ky i ashtuquajtur Park Energjitik në Durrës apo siç janë seria e fabrikave të çimentos që do të nxijnë jetën e qytetarëve të Lezhës e të Shkodrës, duke i dhënë fund çdo ëndrre për turizëm të standardeve të shekullit të ri në ato territore, ku paralelisht me industritë e papranueshme për Evropën e Bashkuar, po nxiten edhe të ashtuquajturat studime urbanistike pa asnjë lloj vizioni e kriteri tjetër veç përfitimit të menjëhershëm në dëm të së ardhmes.

Qytetarët e zonave të prekura drejtpërdrejt nga kjo maskaradë klienteliste e korruptive e KRRTRSH, e cila zhvillohet paralelisht me maskaradën e KQZ, duhet të jenë të sigurt në vendosmërinë tonë për ta ndalur, me çdo mjet demokratik, dorën që shkatërron të ardhmen e një atdheu të tërë për të pasuruar një familje të vetme, duke i bërë pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve, copë e çikë për klientët e pushtetit të kësaj familjeje”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›