Ikja e deputetit çam, “pajtohen” Idrizi e Muhedini
Autori i Lajmit: Redaksia
Pas shumë debatesh muajt e fundit pas zgjedheve të 28 qershorit 2009, deputeti çam Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, i ka zgjatur dorën dje kryetarit të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini. Ata kanë qenë të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në 19-vjetorin e shoqatës “Çamëria”.
Përplasjet mes Idrizit dhe Muhedinit filluan pas zgjedhjeve kur i vetmi deputet i Partisë Drejtësi dhe Integrim, i fituar në Vlorë në koalicion me Partinë Demokratike, braktisi forcën politike të drejtuarnga Tahir Muhedini dhe kaloi në partinë e krijuar prej deputetit Shpëtim Idrizi. Pas kësaj Muhedini bëri edhe akuza duke thënë se partia e re nuk përfaqësonte interesat çame. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e djeshëm, deputeti Idrizi tha se është koha për të vlerësuar dhe bërë homazh për ata mijëra burra e gra të Çamërisë, që me shumë ndjenjë, forcë e sakrifica kanë punuar që “Çështja jonë e madhe, Çështja Çame, të jetë më e fortë se kurrë. Çështja ÇAME ka rilindur dhe garant për këtë jemi ne, janë të gjithë çamet patriotë. Çdo anëtar i komunitetit tonë ka në ADN e tij të fortë e të gjalle amanetin e të parëve Drejtësi për Çështjen Çame”, tha Idrizi në fjalën e tij.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010