“Thyhet” PS, deputetët shkojnë nesër në seancë plenare
Autori i Lajmit: Redaksia
Një replikë deklaratash në distancë duket se do të shërbejë për të çuar deputetët e partisë Socialiste në seancë parlamentare. Kushti i vënë dje gjatë një konference për shtyp nga deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni se “deputetët e PS do të thyejnë bojkotin, vetëm në rast se Kuvendi vendos të zhvillojë seancë me objekt përmbytjet në Shkodër”, është pranuar nga maxhoranca dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. “Ishte parashikuar që seanca të zhvillohej ditën e enjte. Ne e afruam në përgjigjje të kërkesës së deputetëve të opozitës. Detyra ime si kryetare është që ti jap hapësirat institucionale deputetëve të opozitës në kërkesat e tyre”, u shpreh Topalli, ndërsa burime pranë saj konfirmojnë se nesër, në ora 17.00 do të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme me objekt përmbytjet në Shkodër. Burimet nuk bëjnë të ditura detaje të mëtejshme, por ky vendim duket se do të vërë në provë socialistët, të cilët në këtë rast do tu duhet të shkojnë në Kuvend. Dhe ky veprim do të shënonte edhe ditën e tyre të parë të punës, që nga koha kur morën mandatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po ashtu, do të ishte një thyerje e vendimit të marrë nga grupi parlamentar i PS-së, të cilët që në shtator kanë deklaruar unanimisht bojkotin e Kuvendit deri në hapjen e kutive të votimit. Ndërkaq, deputetë të PS-së, si Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani kanë paralajmëruar hyrjen në Kuvend duke mos lejuar djegien e mandateve. Afati i fundit brenda të cilit sipas ligjit mandatet e deputetëve të PS janë në fuqi, është 6 marsi 2010.
Gjermeni e pohon, Rama e mohon
Deputetët e opozitës kanë munguar dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, e cila zhvilloi do të duhej të zhvillonte kalendarin dy javor të punimeve në seancë plenare. Por, ndërsa maxhoranca vijonte brenda duke diskutuar kalendarin, nga ana tjetër, deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni deklaroi se PS do të hynte në Kuvend, nëse zhvillohej seancë për përmbytjet në Shkodër. Kjo deklaratë nuk mund të kalonte në heshtje nga maxhoranca, e cila në mënyrë të fshehtë ka ngritur kurthin për të çuar socialistët në Kuvend; pra plotësimin e dëshirës së Gjermenit. Megjithatë, duket se entuziasmi nuk ka zgjatur shumë. Duke kuptuar situatën, sisa orë më vonë deklarata e Gjermenit u korrigjua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili tha se PS nuk hyn në Kuvend, pasi sipas tij, kështu do të bëhej fajtore edhe për “Gërdecin e ujit”. Rama tha se pasojat që po vuajnë qytetarët kanë ardhur si rezultat i keqmenaxhimit nga ata që janë paguar me taksat e qytetarëve për të prodhuar energji. Sipas kreut të PS-së, opozita dha kontributin e saj në ndihmë të banorëve të prekur ndërsa kërkon tani hetimin e plotë të situatës dhe shkaqeve të saj.
Islami: Të thyejmë bojkotin
Pavarësisht vendimit të Ramës, duket se disa deputetë do të shkojnë në Kuvend. Lëvizja për Mendim Ndryshe do të kërkojë në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së kthimin e deputetëve të kësaj force politike në Parlament dhe dhënien fund të bojkotit. Deputeti Kastriot Islami ka pohuar dje se PS i ka pranuar zgjedhjet e 28 qershorit përmes të gjithë komisionerëve të saj në të gjitha instancat zgjedhore. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve është certifikuar edhe nga organizmat ndërkombëtare që monitoruan procesin. Deputeti Islami thotë se që pas zgjedhjeve veprimtaria e Partisë Socialiste në të bërit opozitë ka dështuar.
Sipas Islamit, është koha që PS dhe deputetët e saj, të bëhen tashmë pjesë e demokracisë parlamentare të vendit duke thyer vendimin e bojkotit dhe duke hyrë në Kuvend.
“Do djegim mandatin e qeverisë”
Partia Socialiste ka reaguar pas thirrjes së kryeparlamentares Topalli se do të digjet mandati i deputetëve socialistë nëse nuk hynë në parlament deri më 6 mars. Deputeti socialist Taulant Balla është shprehur se deputetët nuk kthehen në parlament për seancën e jashtëzakonshme, një seancë të tillë do ta zhvillojnë ditën e dielë në orën 11, ku do të zbulohen provat për “Gërdecin e ujit”. “I them sot Sali Berishes dhe Znj.Jozefina se seanca e jashtëzakonshme për zbardhjen e Gërdecit të ujit që mbyti Shkodrën do të bëhët nesër (sot) në orën 11 nga partia Socialiste ku do të prezantohen provat, faktet dhe shifrat që tregojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare të Kesh-it përmbytjen me ujë të mijërave hektarë të mbjellë. Duke provokuar tmerrin e mijëra familjeve e ankthin e një populli të tërë, për fatin e atyre fatkeqëve për të cilët tmerri do të fillojë edhe një herë me kthimin në shtëpitë e përmbytura”, - deklaroi Balla. Ai u shpreh i bindur se PS nuk kthehet në parlament deri në hapjen e kutive, sipas tij do të jetë mandati i parlamentit dhe i vetë qeverisë që do të digjet. “Prandaj znj.Jozefinë ti lërë diversionet me seanca të jashtëzakonshme, e me djegie mandatesh të deputetëve socialistë, sepse jo vetëm që nuk kemi ndërmend tja falim ato mandate Sali Berishës, por me fuqinë e jashtëzakonshme të popullit do të djegim mandatin e këtij parlamenti e kësaj qeverie, përmes protestave që nuk do të ndalen nëse nuk pranojnë të heton kutitë ku mbahet peng e vërteta e mandatit të këtij parlamenti”, përfundoi Balla.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010