E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Berisha 2” betohet si një qeveri e të gjithë shqiptarëve

Kabineti i ri qeveritar e ka shpallur në programin e vet shndërrimin në një qeveri të të gjithë qytetarëve, duke shpallur kapërcimin nga stadi i shërbesave, tek reformat që do të mbyllin procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian

TIRANE – Kabineti i ri qeverisës “Berisha 2” mbylli dje procedurat parlamentare dhe Kushtetuese, duke startuar nga puna, pas betimit që bëri tek Presidenti i Republikës Bamir Topi. Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, bashkë me ministrat e qeverisë së tij, morën pjesë në ceremoninë e betimit të kabinetit. Në këtë ceremoni merrnin pjesë politikanë e përfaqësues të lartë të institucioneve kushtetuese në vend.
Sikundër e kërkon protokolli, Presidenti Topi u dorëzon të gjithë anëtarëve të qeverisë dekretet e emërimit të tyre, duke u uruar njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat e kabinetit qeveritar, me dorë mbi Kushtetutë, bënë betimin: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Kryeministri Sali Berisha ka marrë i pari dekretin, pasi u betua mbi formulën e posaçme që parashikon Kushtetuta për këtë moment, që në thelb nënkupton respektim të ligjit dhe vetë Kushtetutës. Qeveria u betua dje te Presidenti i Republikës, pas votëbesimit që mori në parlament të mërkurën në mbrëmje, me 74 vota “pro”.
Këshilli i Ministrave fillon punën - Mbledhja e parë, shpejtësia dixhitale ritmi i ri i qeverisë së re/Vetëm pak minuta pas betimit të qeverisë së re, të votuar në Kuvend me 74 vota, kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje mbledhjen e parë të kabinetit të ri. Një mbledhje që për herë të parë gjithashtu u zhvillua me e-kabinet, që nënkupton futjen e teknologjisë dixhitale në funksionimin e qeverisë. Kreu i qeverisë e cilësoi të rëndësishëm këtë moment për shkak të transparencës që garanton në Kushtetutë kur programi qeverisës është dhe më ambicioz. Berisha vlerësoi se kabineti i ri qeveritar bazohet në performancën dhe suksesin e anëtarëve të tij dhe theksoi disa nga prioritet bazë të qeverisë së re, duke shprehur vullnetin e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën, në kuadër të realizimit të reformave të mëdha për vendin. “Mbledhja e parë fillon me E-kabinet, çka do të thotë shpejtësi dixhitalike për këtë kabinet. Kjo kërkon nga ne një angazhim, i cili nuk do të mungojë, për të shndërruar në realitet programin më ambicioz të shpallur ndonjëherë para zgjedhësve shqiptarë. E-government do të thotë gjithçka në rrezen e diellit, gjithçka transparente në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet tona. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të shëndetshme se një administratë në rreze të diellit. E-government do të thotë reforma të thella e të mëdha, të cilat në katër vjet do të formësojnë një Shqipëri tjetër, Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, vendi me infrastrukturë moderne; Shqipëria, vendi në moshën dixhitale; Shqipëria, vendi që ka konsoliduar shpirtin dhe frymën sociale; arsimin dhe shëndetësinë të standardeve më të mirë; pavarësinë e institucioneve”, u shpreh Berisha.
Qeveria “Berisha 2”, vlerësohet nga anëtarë të kabinetit, por edhe nga opinioni publik, politike e mediatik në tërësi, si më i formësuari, formacion nga i cili pritet të preken edhe sukseset e para. Kreu i qeverisë ka vënë pikat mbi “i” në programin e tij, për realizmin e mëtejshëm të reformave, vënien në jetë të atij programi ambicioz, që si kryefjalë të tij, ka përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, brenda këtij mandati të dytë. Liberalizimi i vizave të qytetarëve shqiptarë me vendet e BE-së, është objektivi më i afërt që pritet të implementohet zyrtarisht brenda vitit të parë të këtij mandati. Zotimet e tij, kryeministri Berisha i mbështet në potencialet dhe perspektivën e pandalshme të Shqipërisë, për të prekur ndryshimet e thella.
Në programin e qeverisë së re do të gjejë veten çdo qytetar shqiptar/Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e parë të qeverisë, se në programin e saj të ri, do të ketë vend për të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindja dhe vullneti politik. “Ky është një shans i madh për ne dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës atyre që kanë votuar ‘pro’ nesh, por duhet të garantojmë edhe ata që kanë votuar për alternativa të tjera, se ne do të bëjmë çdo gjë që në programin tonë të gjejë veten e tij çdo qytetar shqiptar”, garantoi Berisha.
Gjithashtu, si një dimension të veçantë të kësaj qeverie, Berisha renditi marrëdhëniet intensive me publikun, duke theksuar se, “sa më intensive t’i mbajmë këto marrëdhënie me qytetarët shqiptarë, aq më mirë do të jemi në gjendje të qeverisim, aq më mirë do të jemi në gjendje të njohim dhe ndjekim pulsin e tyre, problematikën, opinionet, shqetësimet, sugjerimet”.
Kryeministri Berisha i sugjeroi ministrave që numrat e celularëve t’i afishojnë në vullnetin e ministrive. “Unë e kuptoj se nuk është e mundur t’u përgjigjesh telefonatave, edhe unë nuk arrij dot t’u përgjigjem telefonatave, por mesazhit po”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh edhe për një interpretim të Kushtetutës, në mënyrë që mbledhjet e qeverisë të jenë transparence për publikun. “Gradualisht, duke gjetur një interpretim të Kushtetutës, do të doja që mbledhjet e këtij kabineti të jenë transparente për publikun, i cili të adresojë, gjatë mbledhjes, pyetje dhe çështje për ato që diskutohen këtu. Ky është një nga qëllimet e E-kabinetit. Për momentin kemi një pengesë Kushtetuese, e cila thotë se mbledhjet janë të mbyllura, por, nëse do të isha unë në opozitë, votën e parë që do t’i jepja qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën do të ishte për të imponuar zhvillimin e mbledhjes hapur. Shpresoj që opozita kur të kthehet në parlament ta konsiderojë seriozisht këtë. Ajo klauzolë është e panevojshme. Mbledhja e qeverisë mund të jetë e mbyllur vetëm në raste shumë të veçanta, por në masën 99 për  qind të rasteve asgjë nuk është sekrete, por gjithçka ka të bëjë me qytetarët. Ndaj ne duhet të parapërgatitemi për të kaluar në këtë stad, pasi kam besim se opozitës i intereson transparenca”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë përshëndeti mediat në vend, për punën dhe pasqyrimin me profesionalizëm të veprimtarisë së Këshillit të Ministrave qeverisë dhe rikonfirmoi se ministrja e Integrimit dhe njëherazi zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, do të vazhdojë të mbajë lidhjet me mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Marrëdhëniet me mediat do t’i kemi të shkëlqyera, ashtu siç i kemi pasur deri më sot. Mediat kanë përcjellë me shumë korrektësi dhe profesionalizëm veprimtaritë e Këshillit të Ministrave dhe mbledhjeve të tjera. Zonja Bregu do të mbajë lidhjet e qeverisë me mediat kombëtare dhe ndërkombëtare”, dekalroi më tej Berisha.
Në përfundim kryeministri qartësoi dhe njëherë se merita e këtij kabineti të ri, është se të gjithë kanë qenë zyrtarë dhe ministra dhe se bazohet në performancën dhe suksesin e gjithsecilit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›