E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli Rehn uron Berishën, i kërkon Edvinit t’i kthehet dialogut në Parlament

Komisioneri për Zgjerimin në BE Olli Rehn ka uruar Kryeministrin Berisha për riemërimin si Kryeministër i Shqipërisë dhe ka ftuar opozitën të zërë vendin e saj në parlament. Edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso uron Kryeministrin, duke shprehur besimin se kabineti i ri do të përmbushë sfidat reformatore me të cilat përballet Shqipëria

TIRANE – Presidenti i KE Jose Manuel Barroso dhe Komisioneri për Zgjerim në BE, Olli Rehn, i përcjellin urimet e tyre kreut të qeverisë shqiptare Sali Berisha, për rikonfirmimin si Kryeministër i Shqipërisë edhe për një mandat të dytë qeverisës.
Barroso dhe Rehn vlerësojnë perspektivën e Shqipërisë përballë sfidave të integrimit evropian dhe shprehen të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në përshpejtimin e procesit.
Dy zyrtarët e lartë të Brukselit, shprehin besimin e tyre se qeveria e re e Berishës, do të përmbushë me sukses rekomandimet e ndërkombëtarëve, për realizmin në kohë të reformave.
Për sa i takon kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat, krerët e BE theksojnë se raporti mbi zgjedhjet është një përparësi e konsiderueshme për shqyrtimin e aplikimit. Ndërsa për liberalizimin e vizave, ata nënvizojnë kushtet e vendosura për finalizimin me sukses të procesit, ndërkohë që theksojnë se për këtë është i domosdoshme dhe bashkëpunimi i opozitës. Sipas tyre, dialogu parlamentar ndikon pozitivisht për çuarjen përpara të axhendës së reformave evropiane dhe se ky dialog konstruktiv të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.
 
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barrozo
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barrozo, i përcolli dje kryeministrit Sali Berisha urimet e tij për riemërimin e tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe për miratimin e kabinetit të ri qeverisës. Barroso shprehet se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetje të Shqipërisë drejt sfidave të integrimit evropian. “Në emër të Komisionit Evropian dhe emrin tim, do të dëshiroja t’ju uroja për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe miratimin nga Parlamenti të Qeverisë së re  që Ju drejtoni. Tani që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe vendi juaj ka aplikuar për anëtarësim në BE, Komisioni Evropian beson se qeveria Juaj do të tregoj vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tuaj në këtë proces”, shprehet Barroso.
Barroso cilëson si të rëndësishëm bashkëpunimin parlamentar në Shqipëri, në kuadër të realizimit të reformave kryesore, që janë parakushte, për afrimin e vendit me “familjen e madhe evropiane”.
Presidenti i Komisionit Evropian, nënvizon se “Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj në nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe kam besim se vendi juaj do të luaj një rol konstruktiv në Rajon”.
“Ju uroj suksese në trajtimin e sfidave që ju presin përpara dhe në punën për përmbushjen e të ardhmes evropiane të Shqipërisë”, përfundon telegramin e tij të urimit, Jose Manuel Duroao Barroso, drejtuar kreut të qeverisë shqiptare, Sali Berisha, me rastin e ri emërimit si Kryeministër i Shqipërisë. 
Komisioneri për Zgjerimin në BE Olli Rehn
Edhe Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olli Rehn, i përcjell urimet e tij, kryeministrit Berisha për riemërimin e si Kryeministër i Shqipërisë dhe për miratimin e kabinetit të ri qeveritar. Ai shprehet se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për perspektivën evropiane, ndërkohë konsideron si jo racional vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin, duke pezulluar kështu miratimin e reformave.
“Shqipëria ka treguar gatishmërinë e saj për ecjen përpara drejt rrugës së Integrimit Evropian. Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet mirë. Ju keni aplikuar për anëtarësim në BE. Ju inkurajoj Ju, i dashur Kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në parlament, në çuarjen përpara të axhendës së reformave evropiane. Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave. Pres që ky dialog i rivendosur të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së”, shprehet Rehn.
Ai vlerëson se progres i mirë është arritur në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, por nevojiten përpjekje të mëtejshme.
“Komisioni mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Tani që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje më pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me axhendën e reformave. Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol thelbësor në këtë kontekst”, nënvizon Komisioneri për Zgjerim në BE, Olli Rehn.
Zyrtari i lartë i Brukselit vlerëson progresin e shënuar të Shqipërisë vitet e fundit, ndërkohë që shprehet optimist për arritjen e qëllimit të qeverisë shqiptare, integrimin e Shqipërisë në BE.
“I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Evropën”, përfundon telegramin e tij të urimit Rehn, duke i uruar suksese qeverisë re, në përballjen me sfidat e ardhshme dhe punën drejt të ardhmes Evropiane të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›