Ikonat e Beratit dhe të Korçës ekspozohen në Bari
Një ekspozitë e rrallë me ikona të shenjtorëve të Adriatikut, është hapur prej datës 18 qershor në kështjellën Svevo në Bari të Italisë. Ikonat e rralla që ekspozohen këtu janë të marra nga Muzeu Onufri në Berat dhe Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë. Çelja e kësaj ekspozite të titulluar Shenjtorë të Adriatikut ishte iniciativë e projektit Cooperation @ Heritage, i cili bashkoi në një rrjet të vetëm pasuritë muzeale të muzeve kombëtarë shqiptarë dhe atyre puliezë. Ky projekt ka funksionuar për një vit, duke pasur si synim kryesor takimin e kulturave të dy vendeve fqinje në breg të Adriatikut.
Në ceremoninë e hapjes në prani të disa mediave italiane, z.Ardian Tana, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, theksoi edhe një herë rëndësinë e këtyre iniciativave për promovimin e kulturës së lashtë të shqiptarëve dhe ndryshimin e imazhit tek vizitori europian, si një vend që tashmë eksporton vlera kulturore dhe qytetare. Ai u shpreh se Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve do të vijojë punën për konkretizimin e nismave të tjera të këtij lloji, me qëllim krijimin e një prezence të vazhdueshme të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare në vendet e tjera evropiane duke demonstruar kështu se vlerat e trashëgimisë shqiptare janë pjesë integrale e mozaikut të madh evropian por dhe botëror. Ekspozita u bë e mundur në sajë të programit Interreg Itali-Shqipëri, në të cilin bashkëpunuan Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Muzetë e Beratit dhe Korçës, Rajoni i Pulias, Rajoni i Markeve, Drejtoria Rajonale e Pasurive Kulturore të Pulias, etj. Ekspozita Shenjtorë të Adriatikut, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun në një nga pikat më tërheqëse dhe të vizituara të Barit deri më datë 25 tetor 2009, do jetë jo vetëm një rast unik për të shijuar vlerat artistike, historike të ikonave të muzeve shqiptarë, por dhe një mundësi për të evidentuar raportet që përmes detit, kanë formuar atë gjuhë artistike, që përkthen ndjenjën fetare dhe besimin në tërësi të popujve në të dy anët e Adriatikut. Muzeu "Onufri" në qytetin e Beratit është një nga më të njohurit në Shqipëri. Fondi arkivor ruan vlera të papërsëritshme të ikonografisë mesjetare shqiptare. Po ashtu dhe Muzeu i Artit Kombëtar Mesjetar ka një fond të madh të objekteve ikonografike. Janë të paktën 7000 objekte, mes të cilave ikona, kodikë, skulptura, punime në gur, ar, tekstil, etj.