E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ikonat e Beratit", një album-guidë në vlerat e artit mesjetar

21/02/2005  Dikur në fillimet e viteve 90, kur vendi ynë ishte "hapur", madje mund të thuash se ishte "hapur tejet për tej", një grup të huajsh, më kërkoi të isha interpreti i tyre gjatë një guide turistike në qytetitn e Korçës. Ishin një grup që predikonin fenë e krishterë, në një nga format e protestanizmit. Midis të tjerash, kisha menduar t’i çoja edhe një vizitë në Muzeun e Artit Mesjetar, një muze me vepra të mrekullueshme dhe vlera artistike të jashtëzakonëshme. Për habinë time, të huajt refuzuan të vizitojnë të gjithë muzeun, pasi në botëkuptimin e tyre fetar, ikonat apo veprat e tjera të artit fetar nuk u interesonin, ndërkohë që në realitet, ai ishte arti mesjetar jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Evropë. I befasuar dola jashtë, ndërsa drejtuesi i grupit më afrohet, pak i shkëputur nga të tjerët dhe më thotë: "Mos u shqetëso, por ky është koncepti ynë. Gjithësesi, ato pikturat e dominuara nga ngjyra e kuqe ishin shumë të bukura". E kishte fjalën për ikonat e Onufrit të madh. "Ruajini mirë, më tha. Në botë ato vlejnë miliona USD". Mu kujtua kjo bisedë, pas rreth 14 vitesh, kur më ra në dorë libri "Ikona të Beratit", këto thesare të artit shqiptar mesjetar, një libër-album, që prezanton një pjesë të mirë të koleksionit të Muzeut Kombëtar Onufri të Beratit, ku përfshihen vepra arti nga shek i XIV-XX. Ishte një botim i dytë, por që në ndyshim nga i pari, ka në përbërje të tij edhe një kapitull të shkurtër për Kodikët e Beratit, një tjetër pasuri e paçmueshme e vendit tonë, që nxjerr në pah më së miri zhvillimin dhe qytetërimin tonë. Një libër i përgatitur mjeshtërisht nga specialisti i artit Ylli Drishti, në bashkëpunim me një tjetër mjeshtër të fotografisë, Leon Çikën. Një guidë e mrekullueshme për këtë Muze Kombëtar. Një konceptim tepër modern, dy gjuhësh (shqip-anglisht), ku lexuesi merr një informacion tejet të hollësishëm jo vetëm për artin, artistët e ikongrafisë shqipare, por, edhe nëpërmjet një fjalori shpjegues, të njeh me terminologjinë e saktë fetare. Paralelisht, vjen edhe një album fotografik, ku Çika ka treguar të gjitha vlerat jo vetëm si njohës i teknikës së fotografisë, por edhe i artit në tërsinë e tij. Njohja me këtë album është në fakt njohja dhe komunikimi me veprat e mjaft autorëve anonimë e të njohur, ku koleksioni kryesor u përket piktorëve ikonografë shqiptarë, që kanë krijuar në Berat në shek. XVI deri në atë të XX. Lexuesi ka rastin të njihet nëpërmjet faqeve të këtij katalogu, me një pjesë të rëndësishime të koleksionit të mjeshtërit të ikonografisë shqiptare, Onufrit, të birit të tij Nikollas, të Onufër Qipriotit, si edhe dinastisë së piktorëve ikonografë Katro (Çetiri) etj. Të gjitha veprat vijnë me një cilësi shumë të lartë, sa të krijojnë bindjen se ke përpara krijimet autentike. Një album që prezanton me dinjitet jo vetëm këtë Muze Kombëtar, por të gjithë artin tonë të mrekullueshëm mesjetar para publikut shqiptar dhe atij të huaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›