E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partizani, fatin e keq bëhet pengesë

21/02/2005  Edhe pas humbjes në derbi të shtunën e kaluar, drejtuesit dhe futbollistët e Partizanit ja kanë faturuar atë sërisht fatit

Humbja në derbin, me rivalët historikë të Tiranës, ka lënë një shije të hidhur te skuadra e kuqe. Veçanërisht, për atë çfarë shfaqën në fushën e lojës të dyja skuadrat. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit, drejtuesit dhe vetë futbollistët e skuadrës së kuqe, nuk kanë vonuar t’ia faturojnë fatit humbjen me kampionët e vendit. Të paktën kështu duket edhe vetë fjalët e ndihmës-trajnerit të Partizanit, Edmond Zhupa në përfundim të derbit. “Ishte një ndeshje e luajtur mirë nga ana jonë, më mirë se Tirana do të thoja. Por, përsëri, siç ka ndodhur shpesh në këto kohët e fundit, fati ka qenë kundra nesh edhe në derbin me Tiranën. Edhe nëse skuadra nuk ka luajtur në maksimumin e saj, duhet të them se në pjesën më të madhe të takimit, ne e kemi kontrolluar lojën. Tre shtylla nuk janë pak, por dukej se topi nuk kishte dëshirë të hynte në portë”,- ka deklaruar fill pas takimit Zhupa. Por, nëse sheh aksionin e golit të Tiranës, pa dashur t’i heqim aspak meritën e bardhebluve, edhe mbrojtja e Partizanit nuk ishte pa faj. Ishte një rreshtim i gabuar, që çoi në pësimin e golit nga skuadra e kuqe. Këtë fakt e ka përmendur edhe Zhupa në intervistat e tij dhënë për mediat. “U ndërshkuam nga një gabim i yni. Ishte një rreshtim jo fort i saktë i mbrojtjes sonë, e cila i dha mundësinë kundërshtarit që të na ndërshkonte. Gjithsesi, dua t’i përgëzoj djemtë, për punën e bërë. Ata u përpoqën të reagonin, por edhe fati i shte kundër Partizanit”,- ka shtuar më tej ndihmësi i Memës, Edmond Zhupa. Në të veçantat e derbit numër 119, ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, ishte edhe tifozeria. Dhe këtu mund të veçohet ajo e Partizanit, e cila për të dytën herë në këtë sezon, ka shfaqur hapur kundërshtitë dhe mërzinë e saj në drejtim të presidentit të Partizanit, Albert Xhani. Edhe të shtunën ka qenë një parrullë me gërma të mëdha “XHANI IK“, që tregon më mirë se kushdo se tifozët e skuadrës së kuqe e kanë humbur toruan me skuadrën e tyre, por në veçanti me presidentin e Partizanit, i cili konsiderohet si fajtori numër një për situatën që po kalon skuadra e tyre e zemrës. Kujtojmë, se edhe në derbin e luajtur në dhjetorin e vitit të kaluar ndërmjet dy skuadrave, tifozeria e Partizanit ka hedhur të njëjtën parrullë kur skuadra e tyre ndodhej në disavantazh 1:3. Megjithatë, vetë Zhupa ka bërë të ditur se, sjellja e tifozëve mund të pranohet, por ai nuk ka pranuar idenë, se ky mund të jetë fillmi i një braktisje. “Tifozeria ka të drejtën e saj të protestojë me forma nga më të ndryshmet. Por, jam krejtësisht kundër me idenë se ajo do të na braktisë. Për këtë ju garantoj. Me atë çfarë tregoi skuadra në fushë, tifozët e kanë kuptuar se nuk kishim ç’të bënim më tepër“. Në fund të deklaratës së tij për shtypin, Zhupa ka bërë të ditur se punët do të ecin më mirë në të ardhmen. “Mendoj se ndaj Tiranës treguam një nivel të mirë loje dhe shpresoj të ecim në të njëjtin ritëm. Por, në rradhë të parë, na duhet një fitore për të fituar më shumë besim te vetja, sigurisht, që na duhet edhe pak fat“, ka përfunduar Zhupa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›