Ilaçet antireumatizëm rrisin riskun e ulcerës dhe vdekjes
Ilaçet e përdora për qetësimin e dhimbjeve, sidomos atyre reumatizmale të kyçeve rrisin më shumë riskun e shfaqjes së ulcerës dhe komplikacioneve tjera si hemorragji, perforacion dhe vdekje. Prof.Dr.M.Enver Dolar, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Uludag, thotë se dhimbjet e kyçeve janë ndër arsyet më të shpeshta të cilat na çojnë tek doktori. Për këtë arsye, ilaçet (qetësuese të dhimbjeve reumatizmale) non-steroid anti-inflamator që mundësojnë një përmirësim simptomatik bëjnë pjesë në grupin e ilaçeve të rekomanduara më shumë në recetat mjekësore. Duke theksuar se në Amerikë shkruhen rreth 100 milionë receta, të cilat rekomandojnë ilaçet non-steroid anti-inflamatore dhe përdoren 40 miliardë tableta aspirine, pedagogu i degës së Gastroenterologjisë dhe sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Uludag pohon se në Amerikë ka më shumë se 14 milionë, ndërsa në botë 300 milionë të sëmurë që përdorin rregullisht ilaçet non-steroid anti-inflamatore. Ai deklaroi se tek përdoruesit e këtyre ilaçeve non-steroid anti–inflamator rritet risku i krijimit të ulcerës dhe komplikacioneve tjera.
Efektet anësore
Tek 25 për qind e të sëmurëve që përdorin ilaçet non-steroid anti-inflamator shihen efekte anësore në sistemin gastrointestinal. Gjithashtu, Dr.Dolar, tha se këto lloj ilaçesh mund të bëhen shkak për shfaqjen e sëmundjeve si kolit, hemorragji, ulcerë në sistemin e poshtëm gastrointestinal. Duke shpjeguar domosdoshmërinë e ndërprerjes së menjëhershme të ilaçeve në 10% të të sëmurëve tek të cilët shihen efekte anësore të sistemit gastrointestinal, Dr.Dolar shprehet se në 10-15% të të sëmurëve që përdorin vazhdimisht ilaçe non-steroid anti-inflamator shfaqen ulcera gastro-duodenale. Dhe afërsisht 3% e të sëmurëve të këtij grupi preken dhe nga hemorragjia dhe perforacioni. Përdoruesit e ilaçeve non-steroid anti-inflamatore janë të rrezikuar 4 herë më shumë nga dëmtimet e mukozave, 3 herë më shumë nga hemorragjitë gastrointestinale dhe 6 herë më shumë nga perforacioni. Në analizat e bëra endoskopike është parë që përdoruesit e ilaçeve non-steroid anti-inflamator rrezikohen dy herë më shumë se të sëmurët me gastrit duodenal. Afërsisht 50-60% e personave që kalojnë një hemorragji të sistemit të sipërm gastrointestinal përdorin ilaçe non-steroid anti-inflamator brenda javës së fundit.
Shenjat që shfaqen
Duke theksuar se tek të moshuarit nuk shihen simptoma tipike të ulcerës, Prof.Dr.M.Enver Dolar, pohon se shenja e pare e 50% të ulcerave të shkaktuara nga ilaçet non-steroid anti-inflamator është hemorragjia, ndërsa tek 60% e të sëmurëve që kalojnë një ulcerë kërcënuese për jetën vihet re një përdorim i ilaçeve non-steroid anti-inflamator. Ilaçet non-steroid anti-inflamator rrisin dhe riskun e zhvillimit të ulcerës peptike. Dr.Dolar thotë se tek 30% e personave që i marrin rregullisht këto ilaçe shfaqet një ulcerë aktive, ndërsa përdorimi për një kohë të gjatë i steroideve rrit edhe më shumë riskun e ulcerës tek personat që kanë vuajtur edhe më parë nga ajo, por ky risk nuk lidhet shumë me ilaçet non-steroid anti-inflamator. Ilaçet non-steroid anti-inflamator që shkrihen në ujë (aspirina) kanë efekte më të forta. Në shumicën e ilaçeve non-steroid anti-inflamator ka pak përbërje acidi të dobët i cili nuk mund të jonizohet në mjedisin acidik të stomakut. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve si aspirina, qetësuesit e dhimbjeve dhe veçanërisht ilaçet antireumatizmale dëmton cipën e stomakut dhe lehtëson krijimin e ulcerës. Dr.Dolar gjithashtu thotë se: “Kur ilaçet non-steroid anti-inflamator përdoren në mënyrë sistematike, klinikisht mund të krijojnë ulcera shumë të thella. Prostaglandinët parandalojnë efektet anësore që mund të shkaktojnë ulcerë të ilaçeve non-steroid anti-inflamator. Mundësia e krijimit të ulcerës nga antikoret Prostaglandin është më e madhe se mundësia e parandalimit të ulcerave të shkaktuara nga ilaçet non-steroid anti-inflamator prostaglandin analoge”. Efektet akute të shkaktuara nga ilaçet non-steroid anti-inflamator janë erozione sipërfaqësore të mukozës dhe hemorragji. Dëmtimi vihet re menjëherë dhe brenda pesë ditëve përfshihet e gjithë mukoza. Nëse personi vazhdon të marrë këto ilaçe, atëherë duke hyrë në punë mekanizma e adaptimit gastritit mund të heqë dëmtimin e mukozës. Fenomeni i adaptimit realizohet me rritjen e shumimit të qelizave të mukozës dhe rregullimin e qarkullimit të gjakut. Nëse procesi i adaptimit nuk është i mjaftueshëm, klinikisht tek disa të sëmurë shfaqet ulcera.
Çfarë janë dhimbjet e kyçeve?
Termi dhimbje kyçesh përdoret kur një person i caktuar në një moment të caktuar ndjen të lënduar më shumë se një kyç. Përsa i përket karakteristikave të dhimbjes mund të veçojmë intensitetin e saj (e lehtë, e fortë, shumë e fortë), kohën e shfaqjes(e mëngjesit, e pasdites, e natës) dhe ndikimin e lëvizjes apo të qetësisë. Kyçet vuajtëse mund të pësojnë ose jo ndryshime të tjera si ënjtje, nxehtësi lokale, kërcitje, mavijosje etj. Ankesa të tjera shoqëruese në indet në afërsi ose në ato në distancë mund të jenë të pranishme në sëmundje të ndryshme. Prandaj asnjëherë nuk mund të diagnostikohet saktësisht një i sëmurë që vizitën nuk e nis tek mjeku i përgjithshëm i familjes, por tek specialisti. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe kur mjeku i familjes vetëm emërtimin ka të tillë, pasi ai as që merr mundimin së paku të pyesë dhe të kontrollojë fizikisht vuajtësin, por i mbush menjëherë një shkresë përcjellëse për tek specialisti. Të tillë pacientë rrugën e diagnostikimit dhe të shërimit e kanë shumë të gjatë dhe të kushtueshme. Tek të sëmurët me dhimbje të kyçeve mjeku duhet të japë përgjigje disa pyetjeve si: A është e lokalizuar dhimbja në një apo në disa kyçeve?; A përbën dhimbja një dukuri të një procesi të lokalizuar në një a më shumë kyçe apo një dukuri të një sëmundjeje trupore. Prej këtej dalin nënçështje të tjera që kërkojnë zgjidhje.
Kush shkakton dhimbje të disa kyçeve njëkohësisht?
Shkaqet më të rëndësishme të dhimbjes së kyçeve mund të jenë proceset e degradimit kërcor-kockor, mahisja jomikrobike dhe sëmundjet e indeve në afërsi të kyçeve. Përsa i përket degradimit kockor-kërcor ai është një çekuilibrim metabolik që normalisht fillon rreth dekadës së tretë ose më vonë, por nuk përjashtohet as në moshat e reja. Këtu luan rol ushqimi, dieta, veprimtaria fizike, mjedisi, ilaçet, kimikatet, abuzimi me alkoolin, duhanin etj. Ritmi degradues varion në vartësi të çrregullimeve në ekuilibrin ujoro-mineral si pasojë e veprimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, në përthithjen dhe formimin e kombinacioneve të nevojshme. Sistemi i gjëndrave me derdhje të brendshme, vitaminat dhe trashëgimia kanë ndikim të pazëvendësueshëm në shpejtimin dhe ngadalësimin e procesit të degradimit dhe përtëritjes së indeve të organizmit të njeriut. Individët kanë në organizmin e tyre të veçantat krahas prirjeve të përbashkëta, të cilat janë përmirësuar përmes përzgjedhjes dhe eliminimit gjatë procesit të evolucionit. Përveç gërryerjes, në kërcin e kyçeve mund të ketë gumgime të vogla që provokojnë dhimbje dhe vështirësi lëvizjeje. Këto mund të evidentohen gjatë prekjes me gishtat e dorës ose gjatë filmimit me rreze X të kyçeve dhe të kockave. Prania e lëngut të shtuar lubrifikues të kyçeve nuk përjashtohet. Keqfurnizimi i indeve, i kockës dhe i kërcës me gjak ose me përbërës të tij mund të jetë manifestim i sëmundjes së ceflosjes së damarëve (arterosklerozës) ose defekteve në rruazat e gjakut (si talasemia etj.). Mahisja jomikrobike e kyçeve mund të shkaktohet nga bashkimi i qelizave të dëmtuara dhe lëshimi i përbërësve të tyre në hapësirën ndërkërcore të kyçit përkatës. Procesi i autoagresionit imunologjik mund të shtrijë dëmtimin jo vetëm në një, por në disa kyçe. Sëmundje të tilla si artriti rheumatoid, sëmundja e ujkut(lupusi eritematos), podagra dhe pseudopodagra mund të shoqërohen me ënjtje, skuqje, nxehtësi lokale, lëndim dhe vështirësi të lëvizjes së segmenteve kufizues të kyçit të prekur. Dhimbja e kyçeve mund të lidhet edhe me sëmundje të indeve rrethues ose fqinje si ato të lëkurës, të dejve, të muskujve etj.
17 Mars 2010