Kur mbreteria rrezikohet nga rreshqitja
DURRËS – 84 vite më parë aty u ndërtua një ndër vilat më madhështore të kohës. Me një sipërfaqe prej 5000 metrash katrorë, ndërtesa, që më vonë nga banorët u quajt Vila e Zogut, ngrihej madhështore mbi qytetin 2700-vjeçar. Sot ajo që ka mbetur nga kjo ndërtesë është veç madhështia e zbehur nga shkatërrimi i saj. Mure të zhveshura nga pllakat e mermerit të cilësisë së parë, parket i shkatërruar, dritare të thyera dhe copëza xhamash të shpërndara në dyshemenë e vilës: kjo është pamja që të shfaqet porsa kalon gardhin me gjemba në hyrje të kësaj ndërtese.
Rrëshqitja e tokës, rrezik serioz
Pak metra larg murit rrethues të vilës toka ka filluar të rrëshqasë dhe të marrë me vete çfarë gjen. Më pak se dy metra është distanca nga muri rrethues, i cili tashmë ka pësuar dhe krisjet e para, nga vendi ku toka ka filluar të rrëshqasë.
Banorët e zonës shprehen të alarmuar për këtë fenomen, i cili prej disa kohësh është duke “ngrënë” pak nga pak tokën përreth kësaj ndërtese.
Qindra metra kub dhè tashmë janë shkëputur nga kodra në të cilën ngrihet vila, duke krijuar një situatë alarmante. Banorët e zonës përreth theksojnë se me këto ritme shumë shpejt muri rrethues i vilës do të shembet tërësisht. “Është e pamundur ta evitojmë këtë fenomen. Po përpiqemi të bëjmë çfarë mundemi, por për ne kjo është një luftë e humbur”, - shprehet njëri prej banorëve.
Përveç rrezikimit të murit rrethues, rrëshqitjet e dheut janë kthyer dhe në një shqetësim për shoferët e mjeteve që ngjiten në kodër. Ngushtësia e rrugës bën që ata të jenë në rrezik të vazhdueshëm për të pësuar aksidente dhe, më e keqja, për t’u rrëzuar. “Po përpiqemi të ndërtojmë një mur sigurie buzë vendit ku toka ka rrëshqitur, në mënyrë që të shmangim aksidentet që mund të vijnë nga pakujdesia e shoferëve”, - deklaron njëri prej banorëve, i cili, me një karrocë në dorë mbush me dhè gropat e krijuara në rrugë nga erozioni masiv që ka ndodhur në këtë zonë.
Vila e mbretit Zog ngrihet në një prej zonave më të rrezikuara nga erozioni në rrethin e Durrësit. Kodra e Currilave, siç njihet ndryshe, herë pas here është goditur nga rrëshqitje dheu, të cilat kanë dëmtuar ndjeshëm dhe disa banesa ose biznese që ndodhen në atë zonë.
Shkarjet e kodrës janë bërë të dukshme në anën e Currilave, por edhe në pjesën perëndimore e lindore të saj. Sipas specialistëve të kësaj fushe bëhet e ditur se situata të tilla në vjeshtë e në dimër favorizohen edhe nga prerja e pishave, bredhave dhe drurëve 100-vjeçarë, duke zhdukur kështu qindra metra katrorë me hapësira të gjelbra. Parku i madh në kodrën e Durrësit, por edhe vetë Vila e Zogut, që ka shërbyer si kurorë e gjelbër për qytetin e Durrësit, është dëmtuar pjesë-pjesë nga prerjet pa kriter dhe nga hapja e themeleve të pallateve shumëkatëshe. Në harkun kohor të 20 viteve janë shkëputur nga faqja e kodrës mijëra metra kub dhè. Banorët e rrezikuar nga gërryerja e dherave ndihen të pafuqishëm edhe për faktin se Bashkia, Prefektura, qarku dhe së fundi Drejtoria e ALUIZNI-t kanë deklaruar moslegalizim të ndërtimeve atje. Specialistët kanë pohuar se toka argjilore dhe pjerrësia e madhe në dy faqet e kodrës së populluar nga banesat e shumta rrezikojnë pasi kanë bazë të dobët.
Vetëm disa ditë më parë një masiv dheu shkatërroi një lokal dykatësh që ndodhej në krah të kodrës dhe rrezikoi ndjeshëm dhjetëra biznese të tjera dhe banesa që ndodheshin në atë zonë.
Dështimi i projektit anglez
Në vitin 2007, me shumë bujë u finalizua një marrëveshje midis princit Leka dhe një kompanie ndërtimi britanike, e cila kishte në plan ta shndërronte Vilën e Zogut në një nga resortet turistike më të mëdha në rajon.
Një ndërtues nga Tirana, në bashkëpunim me kompaninë britanike të konsulencës “HLL Humbert's Leisure”, do të investonte 20 milionë euro për të ndërtuar 50 apartamente luksoze, që do t’u shiteshin investitorëve ndërkombëtarë. Gjatë vlerësimeve të tyre investitorët u shprehën se ndërtesa ka një rezonancë unike historike. Investimi do të ndahej me princin Leka, i cili është zotëruesi i godinës. “Blerësit mund t’i kenë të disponueshme apartamentet e tyre për rreth 10 jave në vit. Pjesa tjetër e vitit do të jepet me qira për turistë”, - u shpreh asokohe biznesmeni shqiptar. Por të gjitha planet e nisura në vitin 2007 nuk mundën të realizoheshin për një arsye ose një tjetër. Një nga shkaqet e largimit të investitorëve mund të ketë qenë dhe toka jo e qëndrueshme në të cilën ngrihej vila.
Ndërtimi i një resorti, siç ishte parashikuar dhe në projekt, mendohej se do t’i sillte shumë të ardhura shtetit shqiptar nga turistët e huaj, të cilët do të zgjidhnin të pushonin në godinën ku rreth 70-80 vite më parë ka qëndruar mbreti i shqiptarëve.
Historia e Vilës
Vila 84-vjeçare, e vendosur në kodrën me lartësi 98 metra mbi nivelin e detit, të cilin ajo e sheh nga të tria anët kryesore të konstruksionit të saj me krahët në formë shqiponje, ishte një dhuratë që tregtarët durrsakë i bënë mbretit Zog në vitin 1926. Profesor Kristo Sotiri, arkitekti i laureuar në Padova dhe Venecia të Italisë, i cili kishte mbi shpatulla edhe përvojën 11-vjeçare si arkitekt i oborrit të mbretëreshës Elisabeta Karmen Silva të Rumanisë, projektoi dhe ndërtoi në kodër variantin e parë të njërës prej veprave më të bukura të qytetit me histori 2700-vjeçare. Godina mori formën e bukur përfundimtare në vitin 1937 nën kujdesin e arkitektëve dhe specialistëve italianë, vetëm pak muaj para martesës së monarkut Zog I me konteshën hungareze, Geraldine Apony. Mjediset e brendshme, të zbukuruara hijshëm, salla e madhe e pritjeve, shkallët e gjëra prej mermeri, kati i sipërm që ishte projektuar enkas për çiftin mbretëror, ballkonet që shohin krejt gjirin detar të Durrësit, janë provë e një ndërtimi modern për vitet 1920-1930.
Vila mbi kodrën e Durrësit për më shumë se 40 vjet është shfrytëzuar si rezidence pritjeje. Në mjediset e saj kanë pushuar emra të njohur të kampit komunist, që nga Hrushovi deri të princi kamboxhian, Samde Norodom Sihanuk, bashkë me gruan e tij të re, Monika, ndërsa pas viteve 1990, ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter, është një prej bujtësve të shquar të saj. Por ndërtesa me arkitekturë të veçantë u dëmtua rëndë në mars të vitit 1997, kur brenda dy ditësh ajo u plaçkit, duke shkatërruar plotësisht edhe sistemin e ndriçimit, që kishte mbetur i paprekur që në kohën kur u ndërtua. Për disa vite radhazi ajo u shfrytëzua nga forcat ndërkombëtare të NATO-s që mbërritën në vendin tonë me misione ushtarake. Tashmë, vila që i është kthyer pasardhësit të mbretit Zog është në mëshirë të fatit, ku rreziku i rrëshqitjes së tokës është po aq i madh sa vetë ndërtesa.
17 Mars 2010