Sistemi i Bolonjës, Ministri Tafaj: “Pedagogët duhet të jenë me Doktoraturë”
Jonida Tashi
Pedagogët që japin mësim në universitetet publike të vendit duhet të kenë mbrojtur edhe Doktoraturën. Kjo deklaratë është bërë dje nga kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka ritheksuar edhe njëherë nevojën për kualifikimin e personelit akademik, duke i ngritur në një shkallë më të lartë në këtë proces. Kështu, ndërsa në fillim të këtij viti akademik, ministri i Arsimit kërkoi që pedagogët e universiteteve të kishin titullin “Master”, tashmë ata duhet të ngjisin edhe një shkallë më sipër, për të dhënë mësim në institucionet e arsimit të lartë. Deklaratën për kualifikimin e personelit akademik, ministri Tafaj, e ka bërë dje në konferencën shkencore “Procesi i Bolonjës, një realitet me shumë sfida për t’u zgjidhur”, në të cilën ai ka theksuar: “Objektivi ynë, krijimi dhe promovimi i një profesorati të ri”.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij në konferencën e Bolonjës, ministri i Arsimit, theksoi se reforma e sistemit të arsimit të lartë në përputhje me standardet e Bolonjës dhe performanca e tij në hapësirën europiane të arsimit të lartë kërkojnë më së pari një profesorat të niveleve europiane. “Objektivi ynë politik është promovimi i shpejtë i të rinjve për krijimin e profesoratit të ri në Shqipëri. Baza për këtë është shkolla e doktoratës. Gjenerata e re e doktorantëve që futet në Universitetin e Tiranës mund të angazhohet në mësimdhënie dhe në projektet e kërkimit shkencor. Universiteti i Tiranës duhet të synojë që juria e doktorantëve të bëhet me një anëtar profesor të një universiteti të huaj. Kjo është shumë e rëndësishme për garën internacionale të UT-së”,- cilësoi Tafaj. Duke e cilësuar Universitetin e Tiranës si një qendër të fuqishme mësimore, shkencore të Shqipërisë, ministri Tafaj, vlerësoi se si e tillë ajo ka një impakt shumë të madh dhe direkt në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Sipas kreut të Arsimit, të gjitha universitetet tona duhet të fillojnë të mendojnë për të luajtur në ligën rajonale dhe internacionale. Në argumentimin e ministrit të Arsimit, universiteti duhet ta shohë veten në këtë garë në të gjitha aspektet, si në nivelin e mësimdhënies, në aspektin e kërkimit dhe sigurisht në nivelin e kërkimeve shkencore. Më tej, ministri Tafaj përmendi se do të vazhdojnë të mbështeten nga Fondi i Ekselencës studentët më të mirë të doktoratës, për të realizuar studimet e tyre jashtë vendit.
Konferenca
Universiteti i Tiranës organizoi dje në mjediset e Rektoratit konferencën shkencore “Procesi i Bolonjës, një realitet me shumë sfida për t’u zgjidhur”, me pjesëmarrjen e dekanëve, shefave të departamenteve e dhjetëra pedagogëve të universitetit, me qëllim prezantimin e sfidave të procesit të Bolonjës, problemeve të krijuara deri tani dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre. Konferenca e djeshme në Universitetin e Tiranës është organizuar në kuadër të një raundi konferencash që Ministria e Arsimit do të zhvillojë me të gjithë universitetet në vend. Përveç aspekteve të strukturës, fokusi do të vendoset në çështje të përmbajtjes dhe kualifikimeve që fitojnë të diplomuarit pas çdo cikli studimi. Gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule vlerësoi se nevojiten më shumë përpjekje për harmonizimin e arsimit të lartë në vend me ato që përcaktohen në Kartën e Bolonjës, si një proces mbareuropian i zhvillimit të arsimit të lartë. Rektori Kule vendosi theksin në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe në organizimin e studimeve universitare, sikurse theksoi nevojën për ligjin për financimin e universiteteve. “Besoj se brenda vitit Ministria do të ketë përfunduar hartimin e ligjit për financimin e universiteteve, që do t’i japë një tjetër rol autonomisë sonë”,- theksoi Kule. Gjatë kësaj konference referuan edhe përfaqësues nga të tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës, në lidhje me sfidat e ardhshme të arsimit të lartë në vend, në kuadër të procesit të Bolonjës. Konferenca me këtë çështje do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim në institucione të tjera të arsimit të lartë.
Kualifikimi i pedagogëve, kriteret e reja për vendet e punës
Pak muaj më parë, qeveria përcaktoi kritere të reja për punësimin e pedagogëve, sipas të cilave personeli akademik, do të riorganizohet me vendet e reja të punës, duke filluar që nga viti 2009-2010. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, personeli akademik, i cili në vitin akademik 2008-2009, nuk e ka pasur shkallën e kualifikimit, do të mbajë një vend pune, që i afrohet më shumë kualifikimeve të tij, me detyrimin që, brenda një periudhe 5-vjeçare, nga hyrja në fuqi e Ligjit të Arsimit të Lartë, Nr.9741, datë 21.5.2007, të ndryshuar, të kualifikohet, sipas kërkesave të vendit të punës. Për t’i ardhur në ndihmë trupës pedagogjike në procesin e kualifikimit, qeveria ka vendosur që personeli akademik, i punësuar aktualisht në universitetet publike të vendit, të ketë përparësi ndaj kërkesave të kandidatëve të tjerë, në kuotat që miratohen për programe studimi “Master i Nivelit të Dytë” dhe “Doktoraturë”. Kjo do të thotë se duke filluar që nga viti i ardhshëm akademik e deri në atë pasardhës të tij, do të vështirësohet së tepërmi nisja e masterave për mijëra student të sapodiplomuar, për arsye se kandidatët e parë që do të pranohen për të vijuar këto studime do të jenë pedagogët. Sipas vendimit, universitetet nuk mund të klasifikojnë në kategorinë “Profesorë” dhe “Docentë” anëtarë të personelit akademik, të punësuar në institucion, të cilët nuk përmbushin kriteret përkatëse të kualifikimit, shkencor e pedagogjik të vendit të punës. Sipas udhëzimi të mësipërm, pedagogët që nuk do arrijnë të kualifikohen brenda vitit 2011, nuk do të japin më leksione nga vendi i punës që aktualisht ata kanë. Ndërsa vendet e punës, të zëna nga personeli akademik, që, në qershor të vitit 2009 (muaj në të cilin hyri në fuqi vendimi “Për ndarjen në nivele, brenda kategorive, të personelit akademik, në institucionet e arsimit të lartë, emërtimin e renditjen e tyre, si dhe kriteret dhe kualifikimet për secilin vend pune”), kanë arritur moshën 60 vjeç për meshkujt dhe 55 vjeç për femrat, nuk shpallen e rishpallen për konkurrim. Për rrjedhojë, ky personel ka të drejtë ta ruajë vendin e punës deri në daljen në pension, në kategorinë dhe nivelin që do të klasifikohet, në bazë të vendimit të ri për ndarjen e pedagogëve në nivele, pa zbritur nga paga që ka gëzuar deri në atë çast.
17 Mars 2010